Flet nusja: U shtriva në dhomë dhe u zgjova në spital

30/10/2012 00:00

Dasma në Thumanë të Krujës, e kthyer në ditë zie, sepse në të humbën
jetën dy persona dhe një i tretë rrezikoi jetën, mbetet ende një mister i
pazgjidhur për grupin hetimor. Policia së bashku me ekspertët e
mjekësisë ligjore, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes,
e cila edhe pas kaq ditësh, mbetet një “ekuacion” që duhet zgjidhur.

Familjarët, përveçse të shokuar nga ngjarja e rëndë tragjike, janë edhe të habitur, për atë çka ka ngjarë në dhomën në të cilën flinin viktimat së bashku me 21-vjeçaren e mbijetuar.

Fatmirësisht, Pashke Gega, nusja e cila u “helmua” ditën e saj të dasmës, duket se ka dalë nga rreziku për jetën. Mesditën e së hënës, ajo ka dalë nga reanimacioni dhe është shtruar në pavijonin e toksikologjisë të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë. Në këtë pavijon do të qëndrojë për disa ditë, ku do të vijojë trajtimin intensiv mjekësor, sepse gjendja shëndetësore e saj mbetet ende delikate.

Personeli i mjekëve nuk di të thotë se cilat janë arsyet që shkaktuan vdekjen e dy personave dhe rrezikimin e jetës së Pashkes. Gjatë 48 orëve të fundit, mjekët i kanë marrë kampione gjaku, për t’i bërë të gjitha analizat, ku do të shohin nëse në gjak ka apo jo helme. Ata hedhin poshtë faktin se femrat që kanë fjetur në të njëjtën dhomë me nusen janë helmuar nga ushqimi. Gjithsesi, mjekët nuk arrijnë të japin një version të saktë për shkaktimin e dy vdekjeve, duke ia lënë në dorë mjekësisë ligjore. Mësohet se Pashke Gega është koshiente, madje ka treguar për familjarët dhe personelin mjekësor se nuk e mbante mend se çfarë kishte ndodhur natën e dasmës së saj. “U shtriva për të fjetur në dhomë pas dasmës dhe jam zgjuar në reanimacion. Nuk e di çfarë ndodhi” mësohet se ka deklaruar nusja. Ajo ende nuk e di, se dy personat që e shoqëronin në dhomë atë natë, kanë humbur jetën dhe se mëngjesin e së hënës, janë dërguar për në banesën e fundit. Familjarët kanë dëshiruar që t’ia mbajnë të fshehtë këtë fakt, sepse mendojnë se ajo nuk është në gjendje që të përballojë një lajm kaq të hidhur. Dhëndri, Kreshnik Pula, prej dy ditësh nuk lëviz prej spitalit, duke u kujdesur deri në detaj, për nevojat e nuses së tij. Bindja e Pulës, se Pashka nuk është helmuar nga ushqimi, është vërtetuar edhe nga institucionet mjekësore, por ende ai nuk ka marrë një përgjigje të saktë rreth ngjarjes.

Ekspertiza e mjekësisë ligjore ka marrë mostrat nga dy trupat e pajetë dhe nuses së tij, Pashkes. Pas 17 ditësh, pritet që të dalin edhe analizat e sakta, duke qartësuar mjekët dhe familjarët se çfarë ka ndodhur me organizmin e tyre. Menjëherë pas ngjarjes, policia deklaroi se shkaku i vdekjes së dasmoreve ka qenë prej helmimit nga ushqimi, por hipoteza është hedhur poshtë nga të afërmit. Ata e kanë përjashtuar këtë pistë, sepse asnjë nga dasmorët e tjerë që kanë konsumuar të njëjtin ushqim, me 2 viktimat dhe të sëmurën, nuk kanë pasur komplikacione me shëndetin. Deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, dasma e kthyer në ditë zie, do të mbetet mister. Kjo duket se do të zgjasë të paktën dy javë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel