“Maldivet e Europës”/ Nga ujëvara e famshme te një nga kanionet më të thella në kontinent, Daily Mail eksploron 13 “mrekullitë” e vendit tonë “Kam një ekip shumë të mirë konsulentësh tepër të suksesshëm e me eksperiencë të jashtëzakonshme, e disa sidomos janë sprovuar me gara zgjedhore në mbarë botën”.
Kështu pat thënë kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Mitt Romney gjatë takimit të famshëm për mbledhje fondesh ne Boka Raton, ku sulmoi 47% të amerikanëve që mbështesin Obamën.
Por ndërsa vëmendjen e të gjithëve e rrëmbeu pikërisht ky koment, revista e njohur politike amerikane “New Republic” shkëput një deklaratë të çuditshme të republikanit, të cilës pakkush i vuri vesh.
Këta njerëz, thote ai, kanë marrë pjesë në gara elektorale në Armeni, Afrikë, Izrael e gjetkë. Ata shohin cili është publiciteti që funksionon, cili proçes shkon më mirë dhe e kemi pak a shumë idenë çfarë do të bëjmë gjatë fushatës. Do t’ju tregoja, shton me shaka Romney, por më pas do të më duhet t’ju vras.
Njëri nga njerëzit për të cilet fliste ish-guvernatori i Masaçusestsit është kryestrategu i tij, Stuart Stevens, person që para se të merrte përsipër fushatën presidenciale të republikanit, ka ndihmuar ngritjen në pushtet të dy liderëve të huaj, duke i udhëhequr ata drejt fitores në zgjedhje të shënuara nga parregullsitë e dhuna.
Një artikull i muajit të kaluar në “Politico” bënte një portret të Stevens ku thoshte se, në të kaluarën ai ka punuar në Shqipëri dhe Kongo. Ajo që shkrimi nuk përmendte ishin emrat e udhëheqësve të cilëve u ka drejtuar fushatën: kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe presidenti kongolez, Joseph Kabila, një figurë autoritare që ka alarmuar grupet e të drejtave të njeriut.
Nivelin e përfshirjes së Stevens në fushatat e Berishës dhe Kabiles, sipas “New Republic”, e dëshmon qartë profili në LinkedIn i Joel Frushone, ish-drejtues në firmën konsultente të “Stevens & Schriefer Group”.
Rezymeja e tij tregon se firma menaxhonte thuajse çdo aspekt të përpjekjeve zgjedhore të dy personave në fjalë, që nga fushatat mediatike, tek mbledhja e fondeve, kërkimet e thelluara për opozitën, strategjitë politike, taktitat, praktikisht të njëjtat shërbime që i ofron dhe Romney-t.
Revista citon një person të brendshëm të fushates së 2005-ës të pohojë se Berishës, Stevens ia rekomandoi biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç, një njeri të cilin Departamenti i Shtetit e cilëson “të errët”.
Në Shqipëri, Stevens-it iu bashkua një shoqërues nga grupi BGR me seli në Uashington, firmë strategjish të komunikimit dhe ekspertize. Puna e tyre ishte e qartë: imazhit të Berishës i nevojitej një rehabilitim serioz. Qeverisja e tij e mëparshme kish përfunduar në një katastrofë surreale, pothuajse apokaliptike. Stevens e paraqiti atë si faktor të një ndryshimi madhor e vizionar.
Gjatë prezantimit në hotel “Sheraton”, vazhdon artikulli duke cituar për këtë pohim një gazetë lokale, ai insistoi të tregonte se Berisha mishëron vlerat amerikane ashtu si dhe George W. Bush. Vetë Berisha e quajti Stevens-in “magjistarin e fushatës së tij” dhe tha se, së bashku punojnë si dy binjakë siamezë.
Por revista politike përmend më tej një intervistë telefonike të Erjon Veliajt që deklaron se Stevens luajti pisët përgjatë gjithë fushatës. Pak përpara zgjedhjeve, Veliaj kishte marrë një telefonatë kërcënuese nga një prej konsulentëve të Berishës, të cilin për momentin nuk e kish idenfitikuar, por sot thotë me bindje se ishte Stevens.
Stevens qe tërbuar, rrëfen ai, dhe kërkoi ndalimin e rezultateve të një sondazhi të realizuar me ndihmën e ambasadës britanike e asaj holandeze, i cili u krye nga Gallup International. Sondazhi tregonte një garë tepër të ngushtë, e kjo Berishës nuk i vinte për shtat.
Sipas Veliajt, Stevens e kishte paralajmeruar se do të përdorte influencën e tij në Uashington për t’i hequr të drejtën e vizës nëse nuk hiqte dorë nga publikimi i të dhënave.
Berisha, vazhdon artikulli, i fitoi zgjedhjet e 2005-ës me një diferencë prej 5%, por monitoruesit e OSBE-së e përshkruan proçesin si një zhgënjim, e thanë se ai dështoi në përmbushjen e standarteve ndërkombëtare për shkak të parregullsive të mëdha, frikësimit, blerjes së votës e dhunës nga ekstremistë të të dy krahëve.
Artikulli përmend më tej telefonatën e regjistruar fshehurazi në 2008-ën, gjatë të cilës një tregtar amerikan armësh, referim i qartë ky për Efraim Diverolin, ankohet se skema e tij e shitjes së municioneve të paligjshme ishte zënë në kurthin e mafias shqiptare që përfshinte Berishën dhe të birin.
Ndër të tjera, artikulli përmend vrasjen e protestuesve në 21 janar, faktin që kryeprokuroren që hetoi vdekjen e tyre e quajti “një lavire bulevardi”, apo dhe kabllogramën e vitti 2010 të shkruar nga John Withers, ku ish-ambasadori amerikan paralajmëronte se Berisha po përpiqet të ngrejë në këmbë një forcë sekrete policore.
Pas triumfit me zgjedhjen e Berishës, Stevens punoi për zgjedhjet e 2006-ës në Republikën Demokratike të Kongos, ku Kabila kishte qeverisur për katër vjet përmes diktatit, por Stevens e mbajti premtimin ta shfaqte si reformator falë ndihmës në negocimin e fundit të pjesshëm të një lufte madhore rajonale.
Top Channel