BERZH: Rritja ekonomike 0.6%

29/10/2012 00:00

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka përgjysmuar brenda tre muajsh vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Në muajin korrik, BERZH vlerësonte se rritja e prodhimit në vitin 2012 do ishte 1.2 për qind. Por në buletinin e fundit të sapopublikuar, shifra është tkurrur në vetëm 0.6 për qind, shumë pranë variantit te Fondit Monetar Ndërkombëtar prej 0.5 për qind. Arsyet për korrigjimin e fortë në ulje, sipas BERZH lidhen me ecurinë e dobët të ekonomisë në gjashtëmujorin e parë, kryesisht për shkak të thellimit të krizës në dy ekonomitë fqinje, Italisë dhe Greqisë, partnerët kyç ekonomike të vendit.

Sipas BERZH-it, lidhjet e forta të Shqipërisë me këto vende në tregti, investime, por edhe dërgesat e emigrantëve do të frenojnë rritjen ekonomike përgjatë vitit dhe borxhi i lartë publik nuk i lë hapësira Qeverisë për të ndërhyrë. Skenarët e ndërkombëtarëve për rritjen ekonomike në Shqipëri, paraqesin një situatë të zymtë dhe  shumë larg vlerësimeve zyrtare të qeverisë, e cila për vitin 2012 pret një rritje të prodhimit me 3 për qind.

Kriza e BE ndeshkon rajonin

Të gjitha ekonomitë e Europës Juglindore po përballen me thellim të krizës. BERZH thotë se prespektiva ekonomike e rajonit është e pasigurtë dhe rreziku kryesor tashmë janë dobësitë e sistemit financiar. Sektori bankar në Europën Juglindore zotërohet në pjesën dërrmuese nga grupe bankare me kapital nga vendet e Eurozonës.

Që prej fillimit të vitit thuajse të gjitha këto banka po zbatojnë një politikë të ashpër për të riekulibruar bilancet e tronditura nga kriza dhe rruga e kryesore është ajo e tkurrjes së fortë të kredive. Shqipëria, për shkak edhe të varësisë së lartë nga Bankat e Eurozonës është një nga vendet më të prekura.

Në gusht rritja e kredisë për sektorin privat shënoi shifrën më të ulët historike, 4.8 vit më vit, duke paralajmëruar ngadalësim të investimeve në ekonomi. Prej shumë vitesh një nga mbështetësit kryesor të rritjes ekonomike, kriza i ka detyruar bankat tashmë të marrin rolin e kundërt, atë të frenuesit të saj duke mos financuar investimet por edhe konsumin privat. Pak dite me parë në Tiranë, Kryeministri Berisha dhe guvernatori i Bankës Kombetare i bënë thirrje vendeve të BE-se që punojnë më shumë për izolimin e efekteve të krizës duke kërkuar në një farë mënyrë që ato të kompensojnë vendet e Ballkanit për koston që po paguajnë ekonomitë e tyre si pasojë e krizës që lindi në Eurozonë.

Top Channel