Shirat e rrëmbyer dhe erërat e forta kanë shkulur pishat në pyllin e Divjakës duke shndërruar aksin rrugor Divjakë-Plazh në një aks të rrezikshëm për kalimtarët.

Pemët e rëna kanë bllokuar për disa orë rrugën pasi pisha gjigande, qindravjeçare janë shkulur nga rrënjët. Punonjës të shërbimit pyjor, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës, punuan për rreth dy orë për hapjen e rrugës.

Alltun Xingozi, shef i ruajtjes së pyllit Divjakë, shprehet: “Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz dhe makina.”

Sipas Xingozit, rënia e këtyre pishave ndodh pasi pylli i Divjakës është natyral dhe rrënjët e pishave janë jo shumë të thella në tokë: “Kemi pasur raste të tjera sepse ky është pyll natyral dhe sistemi rrënjor i pishave është në sipërfaqe duke bërë që të mos kenë rezistencë ndaj erërave të forta.”

Dëme janë shkaktuar dhe në brendësi të pyllit ku disa pisha janë thyer.

Top Channel