Shoqërohen disa të dyshuar për masakrën

27/10/2012 00:00

Terrori që po ushtron krimi mbi jetët e njerëzve dhe opinionin e gjerë
publik vazhdon të shfaqet gjithmonë dhe më i frikshëm. Ende pa u shuar
nga kujtesa e publikut të gjerë masakrimi i 18-vjeçares nga fshati
Vllazërim i Komunës Xhafzotaj, Ajshe Vatës, e cila u gjet nga i ati pa
kokën e saj mbi supe dhe ekzekutimin e 42-vjeçares Lime Dedej nga
Durrësi, nga bashkëshorti në sy të fëmijëve, duke e goditur me çekiç në
kokë, krimi ka marrë jetën e dy banorëve të fshatit Belishovë të Komunës
Qendër në Mallakastër.

Por, ndryshe nga motivet e dy ngjarjeve të mëparshme, këtë herë autorët e masakrës së çiftit Myftaraj, kanë tentuar t’u grabisin të hollat dhe sendet me vlerë që kishin në banesë. Pasi i kanë ekzekutuar, 56-vjeçaren Azbie Myftaraj dhe bashkëshortin e saj 59-vjeçar, Enverin, autorët nuk janë mjaftuar me kaq, por i kanë vënë zjarrin banesës, duke shkrumbuar edhe trupat e tyre. Ngjarja makabre ka terrorizuar banorët e zonës dhe mbarë opinionin publik.

Masakrohet çifti

Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 22:40 të së enjtes, kur në banesën e çiftit Myftaraj, e cila gjendet në anë të një rruge automobilistike të paasfaltuar, sipër shtëpive të tjera të fshatit Belishovë e Sipërme, ka qenë e vetme 56-vjeçareja Azbie Myftaraj.

Kjo e fundit, pasi kishte mbyllur dyqanin me produkte ushqimore, që gjendej në një dhomë të improvizuar të banesës së tyre dhe lidhej me një derë të brendshme, por me hyrje të veçantë, mendohet të ketë qenë në kuzhinë, në pritje të kthimit të bashkëshortit nga puna.

Enveri punonte si roje i puseve të naftës që ndodhen në fshatin Drenovë të rrethit Mallakastër, prej nga i duhej rreth një orë ecje në këmbë për t’u kthyer në shtëpi. Autorët e ngjarjes, që mendohet të kenë qenë më shumë se tre, pasi kanë kapërcyer murin rrethues kanë hyrë në banesën e 56-vjeçares Myftaraj dhe janë përleshur me të.

Dyshohet se ata i kanë kërkuar të ndjerës që t’u japë kodin e hapjes së kasafortës ku mbanin të hollat, por kanë hasur në rezistencën e saj. Duke përfituar edhe nga distanca që banesa e Myftarajve kishte me shtëpitë e tjera të lagjes, autorët, pasi e kanë parë që ajo nuk është bindur, e kanë qëlluar të paktën dy herë me hanxhar në trup. Sipas konkluzioneve paraprake të ekspertizës mjekoligjore, e ndjera është goditur dy herë me send prerës që dyshohet të jetë hanxhar, herën e parë në qafë, në rrëzë të veshit të majtë dhe herën tjetër në shpatull.
Këto goditje kanë qenë fatale për 56-vjeçaren, e cila ka ndërruar jetë pas përleshjes me grabitësit. Pasi e kanë vrarë, ata e kanë fshehur të ndjerën pas banakut të dyqanit të vogël ushqimor dhe e kanë mbuluar me batanije, me qëllim që të mos tërhiqte vëmendjen e të shoqit kur të mbërrinte në shtëpi. Ndërkohë, autorët e masakrës kanë nisur të vënë në zbatim planin e tyre për grabitjen e kasafortës që ndodhej në dhomën e gjumit të çiftit. Me një gur fresibël, ata kanë nisur të shkatërrojnë pjesët metalike të kasafortës, por nuk kanë arritur ta hapin atë.

Ndërkohë, rreth orës 23:30, në shtëpi mendohet të ketë mbërritur 59-vjeçari Enver Myftaraj. Ai e ka kuptuar se diçka nuk shkonte dhe sapo ka hapur derën e shtëpisë është gjendur përballë grabitësve që e kanë sulmuar. Me fizik të fortë, ai është përleshur me ta, por duket se autorët i kanë marrë masat dhe kanë shtënë mbi të me armë gjahu, të cilën mendohet se e kanë gjetur në banesë. Madje, policia tha se ka sekuestruar armën e krimit, por edhe një çifte tjetër. Pasi është qëlluar me armë zjarri, 59-vjeçari ka dalë nga banesa duke lënë vazhda gjaku.

Kur grabitësit janë siguruar se kishin vrarë edhe Enverin kanë dashur të fshehin gjurmët e krimit. Të frikësuar se e shtëna e armës së gjahut mund të ishte dëgjuar nga fqinjët e çiftit Myftaraj, grabitësit kanë dashur të zhdukin gjurmët e tyre nga vendngjarja dhe i kanë vënë zjarrin banesës, duke djegur të gjitha orenditë. Trupi i Azbies nuk është dëmtuar shumë nga djegia, pasi ka qenë e mbuluar me batanije. Dëmtime ka pasur vetëm te këmbët që kanë qenë të ekspozuara për flakët. Ndërsa trupi i 59-vjeçarit Enver Myftaraj është djegur thuajse i gjithi, pasi autorët e kanë lënë pranë derës së dyqanit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel