Basha: Tirana do të jetë kryeqendra e festimeve

27/10/2012 00:00

Tirana do të jetë kryeqendra e festimeve për vitin jubilar të
100-vjetorit të Pavarësisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në
relacionin bashkëngjitur vendimit qarkullues të qeverisë, për dhënien e
160 milionë lekëve të vjetra për të zbukuruar qytetin sqaron
destinacionin e fondit.

Sipas këtij relacioni rrugët e Tiranës do të zbukurohen në qendër, rreth e qark unazës së qytetit. Ndërkohë që zbukurimet nuk do të jenë vetëm për pavarësinë, por edhe për Vitin e Ri.

Ndërsa në Vlorë ende nuk dihet se si do të zhvillohen festimet, bashkë me financat e pushtetit vendor në këtë qytet.

Ndërsa një vendim i qeverisë i vitit 2004 sqaron se kryeqendra e festimeve në ditën e pavarësisë është Vlora, këtë vit, kryeqendra do të jetë Tirana, në plot kuptimin e fjalës.

Vendimi i qeverisë

Në VKM në e datës 23 prill të vitit 2004, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 29 dt 14 maj 2004, kapitulli shtatë, për ceremonitë zyrtare pika dy, është ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar. Në këtë pikë sqarohet se ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë në dt. 28 nëntor është ceremonia më solemne në Shqipëri, e cila organizohet në qytetin e Vlorës çdo pesë vjet. Kjo daton me ngritjen e flamurit në datën 28 nëntor. Pika tjetër 2/2 shpjegon se në këtë ceremoni marrin pjesë të ftuar, titullarë të Republikës së Shqipërisë, trupat diplomatike të akredituar në vendin tonë etj. Kjo ceremoni fillon në orën 10:00 te monumenti i Pavarësisë, ku sipas protokollit, kryetari i bashkisë shoqërohet nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri, si dhe prefekti i Qarkut të Vlorës. Në orën 10:00, Presidenti kryen ritin e ngritjes së flamurit. Pika tjetër thotë se për nder të pjesëmarrësve, pushteti vendor shtron një drekë, ku kryetari i bashkisë ngre dolli dhe përshëndet të ftuarit. Kjo ceremoni mbyllet në orën 16:00.

Relacioni

Gazeta “Shqip” zbardh relacionin e vendimit për një shtesë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012.

“Qyteti i Tiranës do të shërbejë si kryeqendra e festimeve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe Bashkia Tiranë ka planifikuar dekorimin e qytetit në një mënyrë sa më të veçantë gjithëpërfshirëse dhe madhështore. Në mënyrë që të krijohet një atmosferë sa më festive dhe patriotike është menduar që të dekorohen të gjitha rrugët kryesore të qytetit, si dhe dy sheshet kryesore të qytetit përkatësisht sheshi “Skënderbej” dhe sheshi “Nënë Tereza” dhe përreth”, thuhet në relacionin dërguar këshillit bashkiak.

Përtej dekorimit me shirita ceremonialë me ngjyrat dhe logon e flamurit kombëtar në bulevardin dëshmorët e kombit bulevardin “Zogu i parë”, si dhe në Rrugën e Durrësit dhe Rrugën e Elbasanit gjithashtu do të dekorohen me flamuj ceremonialë rrugët akset kryesore t]ë qytetit dhe institucionet. Rruga e Kavajës, kryqëzimi i sheshit “Wilson”, kryqëzimi te “Zogu i zi”, kryqëzimi te “21 Dhjetori”, kryqëzimi te “Bërryli” kryqëzimi te “Vasil Shanto” kryqëzimi te pallati me shigjeta, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Universiteti Politeknik i Tiranës, ministritë kryesore.

Emocionet dhe festimet për vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë do të vazhdojnë edhe me dekorimet për festat e fundvitit duke shtuar dekorimin e më shumë rrugëve për krijimin e një atmosfere ngazëlluese për të gjithë qytetarët. Në këtë kontekst do të dekorohet një nga rrugët më të veçanta të qytetit, Rruga e Elbasanit. Dekorimi i kësaj rruge do të përmbajë struktura alumini me forma të lidhura me simbolikën e festës në  tredimensional (3D) me ndriçim led ndryshimi i shpejtë ngjyrash.

Aktualisht, Bashkia e Tiranës po merr të gjitha masat dhe hapat e nevojshëm për festimet e 100-vjetorit me fondet e veta, por Këshilli i Ministrave me vendim të datës 12 tetor për një shtesë në buxhetin e vitit 2012 të Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve për Bashkinë e Tiranës për dekorimin e qytetit në muajin nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë ka vendosur t’i akordojë bashkisë një fond në vlerën prej 160 milionë lekësh me qëllim përdorimin e tij për dekorimin e kryeqytetit të Shqipërisë në kuadër të kësaj feste me shumë rëndësi për shtetin shqiptar.

Në këto kushte i drejtohemi këshillit të bashkisë për miratimin e një shtese në buxhetin e bashkisë për vitin 2012, në mënyrë që të procedojmë me të gjitha hapat ligjorë në vazhdim deri në finalizimin përfundimtar dhe zbukurimin e kryeqytetit tonë si një kryeqytet i të gjithë shqiptarëve dhe për të gjithë shqiptarët që dinë të festojnë bukur pavarësinë e kombit të tyre.

Top Channel