Pasi ka bërë dhjetëra apele për të zhbllokuar procesin ndaj Dritan
Dajtit, Mariglen Muçës dhe Ergys Xhoxhajt, gjyq i cili ka shënuar
rekordin e 150 seancave të shtyra, kryetari i Gjykatës së Krimeve të
Rënda, Sandër Simoni ashpërson tonet, duke kaluar në akuza për
mosefikasitet të sistemit të drejtësisë.

“Për mua si drejtues gjykate dhe si gjyqtar është situatë shumë shqetësuese, është një ngërç, është një mungesë e efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale në tërësi, nuk është një çështje vetëm e gjykatës, është një çështje e raportit me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, me Dhomën e Avokatisë në Tiranë, është një çështje që bëhet fjalë për mungesë efikasiteti të sistemit të drejtësisë penale në tërësi”, tha Simoni.

Zoti Simoni shprehet per Top Channel, se prej një viti nuk zhvillohet asnjë seancë e këtij procesi dhe se prej muajsh Gjykata është në pritje të procedimeve ndaj avokatëve. Kërkesat më të fundit të gjykatës datojnë më 18 tetor, kur Dhomës së Avokatisë i është dërguar lista e 13 avokatëve për procedim disiplinor dhe ende nuk ka një përgjigje.

“Kemi kërkuar masa disiplinore për 13 nga lista e Avokatëve Kryesisht, deri më tani Dhoma Kombëtare e Avokatisë nuk ka reaguar. Ne në fakt disa herë i kemi shprehur shqetësimin tonë në lidhje më këtë çështje dhe për çështje të mungesës për reagimin nga Dhoma e Avokatisë. Unë shpreh shqetësimin tim që është e vërtetë si një proceset gjyqësore që gjykohet nga kjo gjykatë nuk po funksionon dhe shpreh shqetësimin si drejtues i kësaj gjykate që raporti i Gjykatës së Krimeve të Rënda me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe me Dhomën e Avokatisë në Tiranë nuk po funksionon. Gjithashtu nuk funksionon edhe raporti me të ashtuquajturin sistem i mbrojtjes ligjore falas”, tha Simoni.

Por ndersa askush nuk pergjigjet nga institucionet per t’i dhene zgjidhje ketij procesi, ndoshta ne pritje derisa sa te hyjne ne fuqi ndryshimet ne Ligjin per Avokatinë, në Gjykatën e Krimeve te Renda po konsumohet e gjithe lista e Mbrojtësve Kryesisht. Për këtë Gjykata i ka nisur Dhomës së Avokatisë një tjetër shkresë, ku i lutet t’i gjejnë Avokatë Kryesisht, pasi shumica e atyre që ndodhen në pritje janë ‘të padëshiruar” tashmë.

Avokatët, të cilët nuk i janë përgjigjur kërkesës së Gjykatës në procesin në fjalë dhe nuk i janë përgjigjur thirrjes së Gjykatës për të marrë pjesë si Avokatë Kryesisht, ne do të kërkojmë masa administrative, ne do të ndërpresim çdo raport me këta avokatë, ndaj tyre nuk do të ofrojme me sherbime ndaj tyre apo pagesa dhe tarifa për sherbimet e tyre. Ne do kerkojme qe ata te çregjistrohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda, deri në pritje të një përgjigjeje nga Dhoma e Avokatëve”, tha Simoni.

Top Channel