Të jesh një grua biznesi e suksesshme është punë, fat, përvojë, inteligjencë, apo të gjitha së bashku? Duket si një pyetje shkolle, por përgjigja mund të ishte pak nga të gjitha.

Gratë që ja kanë dalë në botën e vështirë të biznesit na japin disa mënyra për të arritur majat. Këshilla e parë është të marrësh më të mirën nga trashëgimia prindërore. Një prind i mirë është një rol model për një fillim të mbarë e frymëzues.

Së dyti, nuk duhet të planifikosh deri në detaj karrierën tënde. Nga përvoja, mundësitë që të vijnë papritur në jetë janë ato që na çojnë në drejtime të paparashikuara. Ndaj, në planet tona duhet të lëmë hapësirë edhe për situatat e papritura të momentit.

Ndërsa përpiqemi në rrugën tonë të re, mund të përfitojmë edhe nga përvoja që kemi grumbulluar deri në atë moment, nga ngjarjet me të cilat na ka përballuar jeta siç është kalimi i një sëmundjeje të rëndë apo mënyra e përballimit të një humbjeje të madhe.

Drejtimi i një biznesi kërkon shpirt lidershipi. Këshilla kryesore në këtë rast është të zbulosh dhe zbatosh mënyrën tënde të drejtimit të punëve. Duhet t’i besojmë vetes dhe aftësive tona e mbi të gjitha duhet të mbajmë mend edhe ato pjesë thelbësore të identitetit tonë që na bëjnë ata që jemi.

Është shumë e rëndësishme të mos dorëzohesh, të mos lejosh pengesat dhe personat mosbesues të të ndalojnë apo të të kthejnë pas nga rruga që ke nisur.

Së fundi, një bashkëshort i dashur dhe mirëkuptues, fëmijë të mbarë dhe miq të mirë janë një ndihmë kryesore për të të shtyrë drejt karrierës.

Gratë shqiptare në biznes

Gratë shqiptare në biznes mbulojnë gati ¼  e këtij sektori dhe kryesisht ato janë sipërmarrëse të bizneseve të vogla. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2011, numri i ndërmarrjeve aktive në vend është 106,503.

Por prej këtyre vetëm 27% e bizneseve drejtohen nga gratë. Kryesisht vërehet se kjo gjini drejton ndërmarrje Mikro. 95.2% e grave shqiptare në biznes mbulojnë sipërmarrje të tilla. 3.9% drejtojnë ndërmarrje të vogla, 0.7 % kanë mbi supe ndërmarrje të mesme dhe vetëm 0.2% e grave kanë nën drejtim ndërmarrje të mëdha.

Sektorët ku gratë janë të përhapura në biznes janë : industria me 17.6% dhe ndërtimi me  6.7%. Gratë sipërmarrëse, sipas të dhënave duket se kanë një dominancë në sektorin e tregtisë, në raport me të tjerët. Në këtë fushë ato mbulojnë 29.9% të sektorit. Po ashtu edhe në turizëm në 26.7% të bizeseve janë gratë sipërmarrëse, në transport 5.5% dhe në shërbime të tjera gratë mbulojnë 33.9% të sipërmarrjeve.

Por të jesh një grua shqiptare në biznes duket se nuk është shumë e lehtë. Problemet kryesore që raporton komuniteti i tyre janë: trajtimi jo i posaçëm i qeverisë për këtë kategori, mungesa e fondeve nga qeveria për këtë grup interesi. Madje ato vetë vërejnë barriera për mbështetjen me projekte.

Megjithë vështirësitë, një grua në biznes së pari arrin të sigurojë autonomi financiare. Modeli i saj ndikon në emancipim, në lehtësimin e problemeve sociale për gratë e tjera në biznes. Gjithashtu ato janë një faktor në rritjen e vendeve të punës, por edhe një mendim ndryshe në biznes.

Biznesi mbi supet e një gruaje

“Të jesh një grua në biznes është mjaft e vështirë sepse ke shumë angazhime, ke shumë ngarkesë. Gjithashtu jemi një shoqëri maskiliste që mendon se një grua nuk duhet të ecë në karrierë. Nuk është e vërtetë aspak. Gjëja më e mirë është që një grua nuk korruptohet”, shprehet një biznesmene.

Më pas, ajo tregon se bashkëshorti ka qenë mbështetja e saj kryesore: “Aktivitetin tim e kam nisur që në vitin 1992 dhe ndihmesën më të madhe e kam marrë nga bashkëshorti im, oficer policie. Ai më ndihmonte mua kur kthehej nga puna në fillimet e biznesit.”

“Jeta ime ka qenë e vrullshme dhe e shpejtë. Më duket sikur koha ka fluturuar dhe më duket e pabesueshme se si i kam arritur këto gjëra. Kam sakrifikuar tek familja, por duke menduar se ky biznes të sjell të mira materiale, familja nis të të mbështesë”, shton gruaja biznesmene.

Top Channel