Merr fund greva e ish-të përndjekurve

22/10/2012 00:00

Ish të përndjekurit politikë i japin fund grevës së urisë, e cila sot
shënonte ditën e 31-të të saj. Me anë të një deklarate për media,
përfaqësuesit e grevistëve thanë se me mbylljen e grevës nuk marrin fund
kërkesat e tyre për dëmshpërblim.

Ata ndihen të zhgënjyer për indiferentimin e institucioneve dhe e konsideruan të padrejtë deklaratën e Berishës, se greva kishte motive politike.

Ditët e fundit grevistët shprehën shqetësimin e tyre për heqjen nga cadra të lëngjeve, shqetësim që u përcoll edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit.

“Falenderojmë qytetarët, mediat, ekipet mjekësore, partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen. Kërkojmë që kërkesat tona të shqyrtohen dhe për këtë kërkojmë ndihmën e ambasadorëve të akredituar këtu”, thanë grevistët.

Tufa: Do vazhdojmë betejën

Por cilat janë rrugët e protestës së ish të përndjekurve për plotësimin e kërkesave të tyre? Koordinatori i protestës ekstreme të përfunduar në ditën e 31-të të saj, Skënder Tufa thotë se ish të përndjekurit do të vazhdojnë betejën e tyre në linjë paqësore dhe shtoi se nëse nuk do të ketë reagim nga qeveria do të rinisin format ekstreme të protestës.

“Të burgosurit politikë nuk kanë mbaruar betejën e tyre, lodhja, terrori psikologjik dëshmoi që qeveria aktuale nguli dhëmbet në trupin tonë duke na kujtuar metodat e vjetra të diktaturës komuniste. Do të vazhdojmë kauzën tonë në linjë paqësore, por nëse nuk do shohim asnjë reagim, nëse Partia Demokratike do të japë shifra tallëse dhe fyese, do ta rinisim sërish nga e para”, tha zoti Tufa, duke shtuar se kërkojnë zgjidhje institucionale të kauzës së tyre. 

Odisea e ish të përndjekurit

Një ish i përndjekur politik ka katër vjet që endet në Gjykatën e Tiranës, duke hapur gjyq pas gjyqi, në kërkim të mbiemrit te tij. Xhetan Ceku, 67 vjeç ka lindur në internim, nuk e ka njohur kurrë babanë e tij i cili në tentativë për t’u arratisur u dënua dhe më pas u vra.

Ky burre ka kater vite qe endet gjykatave e qe merr vendime pas vendimesh  per te konfirmuar se eshte djali i njeriut qe vdiq ne burg i Avdul Cekut, por serish sipas tij nga viti ne vit mbiemri i tij ne letra ndryshon nga Osmani, ne Hamiti e pastaj ne Destani.

Per te treten here ky i moshuar ka hapur serisht proces gjyqesor per te korrigjuar konfirmuar mbiemrin ne menyre qe te marre me pas demshperblimin si ish i perndjekur. I moshuari leshon akuza ne gjykate se po sorollatet qellimisht.

PD: Ish-të përndjekurit po dëmshpërblehen

Partia Demokratike ka reaguar pasditen e së hënës pas mbylljes së grevës së urisë të ish-të përndjekurve politikë, duke deklaruar se qeveria po i shlyen të gjitha detyrimet ndaj kësaj shtrese.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi ka deklaruar se, të përndjekurit e vërtetë, por edhe ata të financuar sipas saj nga PS, kanë marrë dhe po marrin dëmshpërblimet e premtuara në forma të ndryshme financiare.

“Me ligjet e miratuara nga viti 1992 e në vazhdim janë vendosur tarifat prej 18.6 dollarë për çdo ditë burgim. Janë vendosur pensione shtetërore duke llogaritur një vit burg të barabartë me dy vite pune shumë të rënda. Janë vendosur pensione familjare për persona nën 26 vjeç, janë lidhur pensione invaliditeti për të gjithë personat në gjendje invaliditeti. Në zbatim të këtyre ligjeve janë lidhur 21.400 pensione individuale, familjare dhe invalidititeti. Gjithashtu, janë dhënë mbi 100 milionë dollarë dëmshpërblim, mbi 2 mijë apartamente dhe janë shitur fabrika e objekte industriale”, ka deklaruar Bardhi.

“Vetëm anëtarët e grevës të financuar nga Edi Rama dhe trafikanti Skënder Tufa kanë marrë së bashku lekë, lekë privatizimi dhe fabrika, me një vlerë që shkon mbi 900 mijë dollarë”, ka shtuar zëdhënësja.

Ajo ka përsëritur akuzat e bëra fundjavën e kaluar nga deputeti Genti Strazimiri ndaj deputetit socialist Pandeli Majko, se ky i fundit gjatë qeverisjes socialiste ka dëmshpërblyer persekutorët.

Top Channel