Kriza greke në Shqipëri

22/10/2012 17:50

Përkeqësimi i situatës ekonomike në Greqi prej të paktën 2 vitesh duket se ka ndikuar edhe në ekonominë e rretheve pranëkufitare me Greqinë siç është Gjirokastra.

Shenjat e para të ndikimit të saj filluan të shfaqen që prej qershorit të vitit 2011, kur emigrantët shqiptarë atje po humbisnin vëndet e punës.

“Ata që akoma e kishin një punë paguheshin rreth 50% më pak”, thotë Polikron Gjini. Ai është kthyer në fshatin e tij të lindjes, në Kardhiq, pas 20 vitesh emigracioni në Greqi.

Për rrjedhojë të kësaj krize,prurjet e emigrantëve ranë me gati 60% të vlerës që prurjet kishin në vitin 2009. Polikroni, baba i dy djemve, Kristos dhe Kostandinit thotë se kthimi ishte i detyruar dhe mjaft i vështirë sidomos për fëmijët.

“Ishte e vështirë se Greqia mbahej me ndërtim më shumë. Në ndërtim unë dhe shumë shqiptarë të tjerë ishim punëtorë, por nisi e u pre dita e punës, qeratë u rritën, ranë pagesat të punëtorëve shumë, Nga 70 euro ra në 35 euro në ditë. Me qeratë rreth 300-400 euro në muaj dhe punën 50-100 kilometra larg, llogarit kostot e benzinës, nuk kishte më leverdi që të qëndronim. Prandaj hapëm një lokal këtu në Shqipëri, por as këtu njerëzit nuk kanë lekë”, shprehet Polikroni.

Kristo, 22 vjeç, thotë se me kthimin në vendlindje situata nuk u lehtësua sepse ekonomia edhe në Gjirokastër është mjaft e rënduar dhe e ndikuar prej krizës në shtetin grek.

“Është e vështirë për mua, e para sepse është fillimi dhe nuk jam mësuar. Nga ana tjetër, shoh që njerëzit nuk kanë punë, ekonomia është e dobët, ndaj nuk presim shumë fitime”, thotë i riu, me një shqipe në të cilën dallohet qartësisht theksi grek.

Emigrantët që po kthehen dikur ishin klientët kryesorë të sektorit të ndërtimit me një peshë rreth 70-80% të fuqisë blerëse, por gjatë dy viteve të fundit më shumë se 60% e apartamenteve të ndërtuara nuk janë shitur.

Ndërtuesit thonë se nga rreth 20 firma ndërtimi në rajon vetëm tre ose katër vazhdojnë ende punën.

Kompanitë e tjera po akumulojnë humbje të pallogaritshme për shkak të rritjes së çmimit të lëndës së parë, mosshitjes së objekteve dhe detyrimeve të pashlyera prej tenderave shtetërorë.

Ndërtuesi Panajot Naçiku thotë se ka qenë i detyruar të shkurtojë fuqinë punëtore nga 18 në 7 veta, por edhe për pjesën e mbetur nuk mund të sigurojë punë për të gjithë vitin.

“Deri përpara dy vitesh, kishim realizime prej 40-50 milionë lekësh të reja në vit, ndërsa këto dy vitet e fundit sigurojmë vetëm 40% të kësaj shume, rreth 15 milionë lekë ose tre herë më pak. Kjo ka ardhur për shkak të emigrantëve, që nuk kanë më të ardhurave. Në këto vite, 70-80% e blerësve kanë qenë pikërisht emigrantët”, shprehet Naçiku.

Greqia renditet e dyta në listën e partnerëve tregtarë të Shqipërsië, dhe e para për nga numri i emigrantëve shqiptarë që jetojnë atje.

Por, për Gjirokastrën dhe rajonin jugor prej të paktën 10 vitesh,  80% e shkëmbimeve tregëtare dhe kompanive “joint-venture” janë realizuar me Greqinë.

Statistikat zyrtare të “INSTAT”-it flasin për një rënie me rreth 8% të vëllimit tregëtar me Greqinë gjatë 6 mujorit të parë të 2012-ës.

Megjithatë sipërmarrësit në rajon thonë se bisnesi i tekstileve ka qenë pothuajse i paralizuar dhe rënia është të paktën 10 herë më e madhe.

“INSTAT” argumenton se rënia erdhi për shkak të importeve të lëndëve të para dhe porosive. Por, bizneset flasin për prishje përfundimtare të kontratave me shumë porositës në Greqi ndërsa sipas tyre tenderimet publike që furnizonin me punë pjesën dërmuese të kompanive fasoniste kanë rënë me 60%.

Kështu tregon Vasil Karanxha, bisnesmen fasoni në Gjirokastër i cili pohon se kriza greke është reflektuar menjëherë në rajon.

Ai u detyrua të nxjerrë në asistencë sociale rreth 100 punëtore të ndërmarrjes së tij ndërsa ka riaktivizuar vetëm me kontrata një mujore 40% të fuqisë punëtore.

“Efekti i krizës u ndie në mënyrë të dukshme në gjashtë muajt e dytë të 2011-s, ndonëse shenjat ishin kuptuar që në 2010-n”, shprehet Karanxha. “Në këtë periudhë u ndie shumë fuqimisht kriza. Besoj se kjo nuk lidhet vetëm me Greqinë, pasi kriza është gjithë-europiane, por jam i bindur se me një politikë më të bindur ndaj fasonit, rrjedhojat e saj mund të ishin zbutur. Fatkeqësisht, shteti shqiptar, pavarësisht qeverive, nuk ka pasur kurrë vëmendje ndaj fasonit”.

Vetëm në kompanitë fasoniste që janë të vendosura në Gjirokastër rezultonin të punësuara rreth 2000 punëtore nga Gjirokastra dhe rrethinat. Aktualisht sot punojnë vetëm 1/10 e tyre.

“Para se të filloja punën, kisha një vit pa punë për shkak të krizës greke. Për familjen time, ishte një vit shumë i vështirë. Është e qartë që kjo punë është e vetmja që kemi, prandaj ndikimi tek mirëqënia jonë është i menjëhershëm”, shprehet një prej punonjësve të rrobaqepësisë.

Efektet e krizës greke duket se kanë prekur çdo sektor, por nga ana tjetër kthimi i emigrantëve ka një aspekt pozitiv.

Sipas kreut të Dhomës së Industrisë dhe Tregëtisë në Gjirokastër, z. Mustafa Devolli, tashmë emigrantët janë konsumatorë dhe një pjesë e tyre kanë zhvendosur paratë e grumbulluara ndër vite nga bankat greke në ato shqiptare.

Fenomeni po ndodh gjatë të paktën gjashtë muajve të fundit me ritme të larta, duke katërfishuar vlerën e depozitave bankare në rajon.

Kreu i Dhomës së Bisnesmenëve thotës se biznesi gjendet në situatë kritike. Shumica e tyre kanë vetëm aktivitet sezonal ndërsa ka mes tyre që rezultojnë të mbyllura.

“Si rezultat i ndikimit të krizës, uljes së likuiditeve, detyrimet që kanë shumë organe shtetërore greke apo kompani ndaj bizneseve të Gjirokastrës nuk janë shlyer. Nga ana tjetër, kjo krizë ka ndikuar që shumë biznese të përsosen në teknologji dhe të gjejnë partnerë të tjerë ndërkombëtarë”, deklaroi Devolli.

Nga ana tjetër, z Devolli flet për një angazhim të munguar të strukturave shtetërore që në kohë krize duhet të aplikonin masa lehtësuese dhe ndihmuese për biznesin.

Kështu, proceduarat doganore burokratike, mungesa e subvencioneve, mungesa e shpeshtë e energjisë elektrike si dhe kontrollet e shpeshta mbi bisnesin po krijojnë sipas tij një klimë negative krahas efekteve të pashmangshme të krizës.

Top Channel