Parlamenti Europian dhe shoqata belgo-shqiptare “Konica” festuan 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit, nëpërmjet një takimi simbolik me temë “Shqiptarët në Europë : një shpirt krijues”.
Me përfaqësimin e të djathtës nga Eduard Kukan, dhe të së majtës nga Tanja Fajon, takimi u moderua nga gazetari Ernest Bunguri.
“Historia e Shqipërisë e cila ka qenë e rrëmujshme, ndonjëherë dramatike, nuk ka qenë gjithnjë e drejtë me qytetarët e vendit, të cilët nuk kanë marrë e as kanë pasur kohë të reflektojnë e të gjejnë rrugën drejt Europës, megjithëse ndiheshin dhe ndihen, si dhe ishin dhe janë thellësisht europianë”, deklaroi Genti Metaj, kryetari i shoqatës belgo-shqiptare “Konitza”.
Nga ana e saj, eurodeputetja Tanja Fajon shtoi: “Nëse e mbani mend, Tiranës iu caktua statusi i vendit potencialisht kandidat në vitin 2003, por ajo dorëzoi aplikimin për anëtarësim vetëm në vitin 2009. Dhe tani që është vlerësuar një progres i shquar, ky vit dhe viti që vjen sipas meje, do të jetë thelbësor”.
“Të gjithë brezat mund të përdorin përvojën që kanë dhe të ri-lidhen me Shqipërinë për të përdorur njohuritë tuaja, aftësitë dhe talentin tuaj, për të stimuluar zhvillimin e Shqipërisë. Është më mirë të themi se ne jo vetëm po përpiqemi, por ne (Parlamenti Europian) po e mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj europiane. Gjithsesi i takon atyre që janë në vend për të bërë pjesën më të madhe të punës. Nëse banorët e Shqipërisë, sëbashku me milionat e shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, do të bashkonin përpjekjet e tyre, unë besoj fort se vendi do të ketë një të ardhme”, deklaroi eurodeputeti Eduard Kukan.
Përveç disa përfaqësuesëve të komunitetit shqipëtar që jetojnë e punojnë në Belgjikë, në festimin simbolik merrnin pjesë edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës, por dhe zëvendëspresidenti i Parlamamentit Europian, Miguel Angel Martinez dhe raportuesi i të majtëve për Shqipërinë, Libor Rouçek.
Gjatë seancës së pyetjeve, Teuta Vodo, asistente-profesore në “ULB”, Bruksel, i drejtoi zotit Kukan pyetjen se “çfarë do të ndodhë nëse tre kushtet që i janë vënë aktualisht Tiranës nuk plotësohen ose plotësohen vetëm pjesërisht?”.
”Po të isha unë në vendin tuaj, nuk do ta kisha bërë një pyetje të tillë. Unë mendoj se ju duhet të mendoni sesi këto tre kushte duhen përmbushur, e jo se “çfarë do të ndodhte nëse ne nuk i përmbushim”. Unë refuzoj të mendoj mbi një mundësi të tillë”, përgjigja e eurodeputetit.
Përveç kësaj pyetjeje, të emocionuar e të ndrojtur, përfaqësuesit e diasporës shqiptare nuk bënë komente apo pyetje të tjera gjatë debatit të posaçëm, i cili i parapriu koktejlit të organizuar me këtë rast në ambientet e Parlamentit Europian.
Pergatiti: Arta TOZAJ, Bruksel
Top Channel