Hetuesit, në pritje të dëshmisë së motrës së Ajshes

18/10/2012 00:00

Një nga dëshmitë që mund të hedhë më shumë dritë mbi vrasjen makabre të
Ajshe Vatës, është edhe rrëfimi i motrës së viktimës, e cila aktualisht
ndodhet në Itali. Grupi hetimor ka marrë vetëm versionin e Shaban
Norjes, monstrës që vrau dhe i preu kokën 18-vjeçares, pasi më parë
kishte një marrëdhënie 4-vjeçare me të, duke e lënë shtatzënë para 11
javësh, i cili ka pohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale edhe me motrat
e viktimës.

Rrëfimi i “kasapit”, krahas detajeve të marrëdhënies me 18-vjeçaren, ka qenë edhe për miqësinë me familjen Vata para 20 viteve, kur dhe i shiti tokën, ndërsa më pas ka folur për vizitat e vajzave të kësaj familjeje në shtëpinë e tij, ku dhe ka abuzuar me to, në moshë fare të vogël. Ai ka shpjeguar se para se të abuzonte seksualisht me Ajshen, ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me një nga motrat e saj, më e madhe, madje këtë histori e ka marrë vesh edhe Muhameti, babai i vajzave, i cili vetëm sa ka prishur miqësinë me të moshuarin.

Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë për gazetën “Shqip” se kanë kërkuar një dëshmi të motrës së Ajshes, por ka marrë si përgjigje nga familja se “V.Vata jeton në shtetin italian”. “Ne kërkojmë pyetjen e kësaj shtetaseje, pasi mund të jetë dëshmia kyçe. Ka dyshime se vajza mund të ketë dijeni për raportin e Ajshes me Shabanin, madje edhe kërcënimet që i bënte ky i fundit. Të njëjtin fat, sipas autorit, e ka pasur edhe kjo dëshmitare”, pohojnë burimet nga akuza, që saktësojnë se ende nuk janë mbyllur plotësisht veprimet hetimore, megjithëse deri më tani janë pyetur rreth 50 persona.

Versioni i të moshuarit

Prokuroria thotë se ka vetëm versionin e 80-vjeçarit, i cili është marrë disa herë në pyetje, pas arrestimit tri ditë më parë. Ai ka deklaruar se ka ndjekur së paku 4 apo 5 herë motrën e Ajshes, e cila sipas tij ka pasur marrëdhënie seksuale me një person tjetër në fshat. “Ai e ka ndjekur dhe i ka vëzhguar. Ai thotë që kishte lajmëruar babanë e saj, Muhamet Vatën që vajza nuk sillej mirë. 80-vjeçari i akuzuar ka thënë që, pas divorcit të motrës së viktimës nga bashkëshorti, një pjesë të fajit, Muhameti ia ka vënë atij, që në atë kohë ka qenë 76 vjeç. Po sipas dëshmive të autorit, vajza, pas divorcit ka thënë që marrëdhëniet i ka pasur me Shabanin. Nëse raportet janë të vërteta apo jo nuk dihet, dhe kjo nuk është objekt hetimi për momentin”, pohon prokuroria. Për të gjitha këto dyshime, akuza ka kërkuar me ngulm dëshminë e motrës së Ajshes, megjithëse një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur, pasi ajo jeton jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Top Channel