Protestë e AK në Bruksel

17/10/2012 00:00

Nëpërmjet një proteste simbolike para selisë së Komisionit Europian, disa përfaqësues të Aleancës Kuqezi kërkuan kushtëzimin e statusit kandidat ndaj Shqipërisë me largimin e kryeministrit Sali Berisha, si dhe bënë apel për garantimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.

“Niveli i brishtë i demokracisë, militantizmi në administratën publike, niveli i lartë i korrupsionit, aferat mafioze të privatizimeve dhe konçesioneve në Shqipëri nuk duhet të kalojnë pa u shqyrtuar nga Parlamenti Europian. Bashkimi Europian duhet të jetë dëshmimtar i forcës së ndryshimit që shqiptarët kërkojnë në zgjedhjet e vitit 2013”, ka deklaruar Bajram Koboçi, koordinator i AKZ në Belgjikë.

Ndërkohë, rekomandimi i Komisionit kushtëzon dhënien e statusit kandidat nga vendet anëtare me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, atë për shërbimin civil dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit, para Këshillit të Dhjetorit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel