Universiteti Europian i Tiranës i ka dhënë titullin Honoris Causa ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili e cilësoi këtë si dhuratën më të bukur për 60-vjetorin e tij.
Në fjalën e tij me rastin e ceremonisë së organizuar në UET, zoti Nano e ka vënë theksin tek bashkëpunimi më i madh i politikës shqiptare për një synim të përbashkët, siç është integrimi europian.
Sipas ish-kryeministrit, mazhoranca duhet t’i jepte një hapësirë më të madhe opozitës, qoftë edhe në përfaqësimin e saj në krye të institucioneve të pavarura, çka sipas tij është bërë në 8 vitet e qeverisjes së majtë.
Në UET zoti Nano tha gjithashtu se problemi më i madh në situatën aktuale nuk janë shifrat ekonomike që prodhojnë sipas tij një debat shterp, por përqendrimi i projekteve në fusha të caktuara që do të sillnin një sukses më të madh në këtë fushë.
Integrimi i botës akademike në politikë si pjesë e domosdoshme përbërëse e saj, sipas ish-kryeministrit, është një hap që duhet ndërmarrë domosdoshmërisht për të kaluar politikën shqiptare në një stad tjetër më të përparuar.
Top Channel