Mossolidariteti i çuditshëm i bashkëvuajtësve!

16/10/2012 00:00

Arben Manaj – Shurdhëria uluritëse sa e intelektualëve, simboleve të
gjalla të shoqërisë, aq edhe e nënintelektualëve të tjerë poshtë e pas
tyre, është epitomia e shumë tipareve dhe deformimeve të shëmtuara të
shoqërisë sonë, dukshëm aspak europiane në konstitucionin shpirtëror.

Në “Facebook” jo pa qëllim vendosa një status; “Kam dëgjuar se Agolli dhe Kadareja kanë mbështetur grevën e urisë, nëse di dikush më shumë, të më thotë, please” .

Padyshim jam ndier i zemëruar dhe gjithë dhimbje për këtë heshtje totale ndaj një grupi shqiptarësh, që protestojnë dhe kanë vënë bast jetën e tyre për një kërkesë ekonomike. Dhe mbi të gjitha ky reagim i leverdis Telendarkut të Shqipërisë, që sërish nxori librin e shtëpisë, për të sharë grevistët e ripërndjekur.

Ajo që vret më shumë është heshtja jo vetëm e atyre që jetuan jashtë mureve të burgjeve simbol dhe internimit gjatë viteve të regjimit të kaluar, por më shumë çuditërisht edhe e atyre që kanë bashkëvuajtur me grevistët e urisë.

Shumë prej tyre, sot e kanë zënë nga një cep pëllumbash dhe po kompensojnë mangësitë e jetës së tyre nën paprivilegj. Nuk i gjykoj për këtë, dhe padyshim ata kanë prioritete dhe nevojë për shumë domosdoshmërira materiale në jetën e vështirë të Shqipërisë. Por nuk mund të mos habitem me neglizhencën dhe inaktivitetin e shumicës së tyre, mossolidaritetin me ata që kanë ndarë të njëjtat vuajtje dhe deprivime nën komunizëm.

Shumë prej tyre mund të kenë frikë për një vend pune, për një shtëpi apo një favor, që mund ta kenë siguruar me të drejtë, si dikur shumica e shqiptarëve, por këta njerëz nëse duhen vlerësuar më shumë në postkomunizëm për veprën e tyre në diktaturë, është fakti që ata ndryshe nga shumë shqiptarë, të para ‘90-s, nuk menduan për rehatinë e tyre vetjake dhe shprehen më shumë me vetëdije “pakujdesshëm” pikëpamjet dhe kundërshtinë e tyre ndaj komunizmit dhe për këtë paguan një çmim shumë të madh.

Ata ishin njerëz që padrejtësisht janë sakatosur se i përkisnin një familjeje apo një grupimi politik që binte ndesh me fitimtarët komunistë.

Sot nuk bëhet fjalë në këtë grevë për të ndryshuar ata që ata i shohin si përfaqësues autentikë të pikëpamjeve dhe bindjeve të tyre politike, edhe pse një gjë e tillë është e diskutueshme, jo vetëm nga përfaqësimi konkret politik i njerëzve në qeveri, por edhe nga politikat e qeverisë së sotme.

Sot bëhet fjalë për një grup njerëzish që janë në fije të perit, dhe jeta e tyre është me sot e me nesër, nisur nga gatishmëria dhe vendosmëria e deklaruar e tyre, që unë e besoj.

Sot bëhet fjalë për një dimension njerëzor, për solidaritet me një grup, që nuk duhet të shtyhet dhe injorohet me asnjë çmim deri në vetëflijim, edhe sikur ta kenë gabim dhe të mos gjykojnë racionalisht, vetëm e vetëm, pse dikush që e ka në dorë përmbushjen e kërkesave të tyre ose negocimin me ta, kërkon pashpritësisht të ngulë në mendjet e shqiptarëve idenë dhe fiksimin se jeta e ju të gjithëve varet nga humori im dhe ilaçet që unë pi.

Të jem brutalisht i sinqertë nuk prisja aq shumë nga intelektualët shqiptarë, që në shumicë të solidarizoheshin haptas dhe masivisht me një dhimbje njerëzore, por të paktën edhe nëse janë kundër kësaj greve të kenë allate dhe të shkruajnë apo shprehen që janë kundër dhe të japin argumentet kundër, pasi edhe ata që i mbështesin mund ta kenë gabim.

Këtë e pres edhe nga ish të persekutuarit jashtë grevës, që nëse mendojnë se kërkesat e këtyre bashkëvuajtësve grevistë nuk qëndrojnë, ta thonë haptazi dhe të kenë atë kurajë që patën për t’u përballur me Enverin dhe pushtetin e tij, dhe jo të zhburrërohen nga një ish-toger komunist i regjimentit të ish-regjimit.

Edhe nëse janë kundër, edhe nëse mendojnë se grevistët e urisë nuk kanë të drejtë, edhe nëse mendojnë se nuk duhet të vazhdojnë grevën, të paktën të jenë Pro jetës dhe ruajtjes së saj si kapitali më i çmuar.

Mosfrenimi i shuarjes së jetëve njerëzore është një mëkat që nuk do të  mund ta justifikojnë dhe justifikohen prej tij, asnjë shqiptar që është në rrugën e Zotit.

Ju të djathtë dhe ish të përndjekurit, është koha të flisni ju më shumë se ne, jo të persekutuarit ose të privilegjuarit, siç janë një pjesë e madhe e qeverisë së PD-së.

Koha për të folur, të paktën në emër të jetës është sot. Nesër mund të zhbëni në mënyrë të pakthyeshme meritën e padiskutueshme për përmbysjen e komunizmit dhe t’u atribuohet inkurajimi i neokomunizmit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA