Historia e “Qemal Stafës”

16/10/2012 17:10

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ka qenë arena historike e futbollit shqiptar për plot 73 vjet që nga dita kur u vu guri i parë për t’u ndërtuar. Puna për ngritjen e kësaj vepre me vlerë disa milionë lira nisi disa muaj pas pushtimit nga Italia. Arkitekti i ri nga Firence, Xherardo Bozio, projektoi stadiumin 15 mijë vendesh (përmasa “olimpike”) për Shqipërinë në fundin e viteve ’30.

Arena e re e sportit në Tiranë do të kishte formë eliptike, diametri më i madh i të cilit do të ishte 274 metra, ndërsa më i vogli 142. Stadiumi do të rrethohej i gjithi me mur të dekoruar me mermer dhe hyrja qendrore do të ishte madhështore. Tribunat do të përbëheshin nga 10 shkallë dhe një prej tyre do të ishte e mbuluar. Në këtë stadium, përveç ndeshjeve të futbollit, mund të zhvilloheshin edhe gara atletike. Ndërtimi i tij vazhdoi për 3 vjet dhe u ndërpre në gushtin e vitit 1943, pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste.

Pas çlirimit të vendit, rinisi puna për ta vënë në funksionim stadiumin. Përveç fushës dhe pistës së atletikës, do të kishte edhe 22 dhoma dhe 6 korridorë. Tirana tashmë kishte një stadium të parametrave ndërkombëtarë, i cili mori emrin e heroit të luftës, Qemal Stafa. Ndeshja e parë u zhvillua më 7 Tetor të1946-ës, në një aktivitet zyrtar për kuqezinjtë. Në këtë stadium  përfaqësuesja shqiptare e futbollit u shpall kampione e Ballkanit për të vetmen herë në historinë e saj, duke pasur edhe një debutim mbresëlënës, pasi edhe publiku mbushi shkallët në javën kur u mbajt turneu i rëndësishëm. Kështu stadiumi u kthye shumë shpejt në një pikë referimi, duke pritur thuajse të gjitha aktivitetet sportive, përfshi edhe garat e para të peshëngritjes dhe mundjes.

E ashtuquajtura arena e sportit shqiptar pati këtë formë për vite me radhë, përveç shkallëve portative të tribunës përkarshi, të cilat u shembën gjatë derbit Tirana– Partizani, duke u zëvendësuar me ato prej betoni, në mesin e viteve ’60. Me rënien e sistemit komunist, pati ndryshime të tjera, të cilat modernizuan dhe shtuan komoditetin në stadium, duke filluar me pajisjen e tij me stola, të cilat e ulën kapacitetin e tij në rreth 17 mijë vende. Ndërsa në shtator të vitit 1996 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” u vendos për herë të parë një sistem ndriçimi. Projektorët që u vendosën nga inxhinierë suedezë, me një fuqi ndriçuese 1200 lux të shpërndarë në katër kulla qenë një dhuratë e UEFA-s për Federatën Shqiptare të Futbollit

Ka kaluar mbi gjysmë shekulli e në stadiumin tonë kombëtar janë festuar ndeshje të mëdha, siç është rezultati 2-1 kundër kombëtares greke, megjithatë jo pak herë lojtarët tanë kanë dalë të zhgënjyer.

Sot, ky stadium historik nuk përmbush më parametrat e kërkuar dhe të domosdoshëm për lojtarët. Shqipëri-Slloveni, praktikisht është kjo ndeshja e fundit e kombëtares në stadiumin „Qemal Stafa“.

Sot të gjithë besojmë tek forca dhe profesionalizmi i formacionit tonë, të gjithë shpresojmë për fitore!

Top Channel