Borxhet e ujësjellësave ndaj CEZ

09/10/2012 00:00

Qeveria ka bllokuar mbi 12 milionë dollarë nga fondet e pushtetit
vendor, për të shlyer borxhet që ujësjellësat kanë ndaj kompanisë CEZ,
si pasoje e energjisë së papaguar.

“Me këtë ndërhyrje që ne bëjmë i dëshmojmë CEZ-it, KESH-it, etj që ne mundohemi të jemi korrekt në përmbushjen e detyrimeve tona”, u shpreh Nezir Hajdedaj, zëvendësministër i Financave.

Akti Normativ u votua në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Opozita që votoi kundër e quajti atë, represion financiar ndaj pushtetit vendor, që prek edhe privatët të cilat kanë kontrata me bashkitë dhe komunat.

“Ne nuk po ndërhyjmë në të ardhurat e pushtetit vendor, se buxheti i një bashkie ka të ardhurat e veta dhe transferta të pandryshuara dhe nuk vjen asnjë të japë këtë zgjidhe teknike po merren duke bërë politikë. Si doni që ta lemë pa energji qytetin, pa ujë? Po kjo nuk shkon”, thotë deputeti i PD-së, Igli Cara.

“Ne duhet të ofrojmë një zgjidhje,eshte riskedulimi i borxheve. Por këtë duhet ta bëjë kompania me pushtetin vendor, ndërsa një bllokim apriori që sjell ca kosto shtese te bizneset e tjera dhe po ndihmokemi një kompani përkohësisht dhe po dëmtojmë një mijë kompani të vogla, unë besoj se kjo nuk është në të mirë dhe nuk ndihmon”, tha deputeti socialist Arben Malaj.

Përveçse shtrenon bashkite dhe komunat te paguajne borxhet tek CEZ, përmes Aktit, Qeveria jep edhe 7 miliardë lekë garanci për KESH, që kompania të kompensojë importin e pakryer të CEZ-it.

“Ju jepni një garanci shtetërore borxhi dhe ku shkon ajo? Ajo është kosto për tatimpaguesin drejtpërdrejtë. Kush e paguan? E paguan qytetari tek fatura e vet”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

Sektori i energjisë është zhytur në një zinxhir të ngatërruar borxhesh në qendër të të cilit qëndrojnë KESH, privati CEZ, por edhe institucione dhe nderrmarrje shtetërore.

Top Channel