Zyrtarët më të lartë të Kosovës, qeveritarë dhe opozitarë, klerikë, si dhe shumë qytetarë u bashkuan këtë të hënë në Prishtinë për t’i vendosur gurëthemelin xhamisë qendrore.

Gajtë ceremonisë, presidentja Atifete Jahjaga tha se Kosova është shtet laik, i ndërtuar mbi parimin qytetar, që garanton çdo të drejtë të secilit individ për lirinë fetare.

Por, ndërsa ajo po fliste, disa persona vërshëllenin dhe mbanin ngritur pamflete me mbishkrimin: “Jahjaga shau Kuranin”. Megjithatë, reagimi i policisë ishte i shpejtë dhe presidentja vijoi fjalimin e saj.

“Kosova është një vend ku kulturat, traditat dhe fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj. Është vend i besimit tek njeriu dhe mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar. Ky gërshetim vlerash fetare e kulturore i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një vlerë më të madhe, atë të guximit të bashkëjetesës në diversitet”, deklaroi Jahjaga.

“Ishin pikërisht faltoret, ato që dhanë bërthamat e para dhe organizuan shoqërinë. Në to, përveç se është adhuruar e madhëruar Zoti, ka filluar edhe edukimi, emancipimi, arsimimi dhe qytetërimi i shoqërisë”, tha më pas myftiu Naim Tërnava.

Ndërkohë, kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi ritheksoi se, derisa e drejta fetare garantohet me Kushtetutë, duhet luftuar çdo rrymë radikale që ka për qëllim destabilizimin.

“Prishtinës ndoshta deri më sot i ka munguar një xhami e këtyre përmasave, për të siguruar hapësirë të mjaftueshme që të gjithë besimtarët të kryejnë në kushte optimale ritet fetare. Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike po hap rrugë të reja për të gjithë, edhe për kultet fetare. Në republikën tonë e drejta e fesë është e garantuar me Kushtetutë, prandaj duhen krijuar edhe kushtet e ushtrimit të besimit për qytetarët tanë”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi tha se, Kosova edhe pse shtet i ri, është shembull për rajonin dhe tërë botën për harmonin ndërfetare. Ndërkohë, kryetari i Prishtinës Isa Mustafa theksoi se, ndërtimi i një monumenti të tillë fetar, kulturor që simbolizon qëndresë dhe tolerancë tregon shumë.

Vendi ku do të ndërtohet xhamia ishte caktuar nga komuna e Prishtinës, pas një debati që përfshiu komunitetin mysliman në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA