Gjirokastër, mungojnë tekstet në shkollat greke

05/10/2012 00:00

Tekstet shkollore të botuara këtë vit për shkollat e minoritetit kanë
probleme serioze të përmbajtjes. Problemi është vënë re nga mësuesit dhe
specialistët e fushës.

Mësuesit thonë se me disa prej teksteve është i pamundur planifikimi i orëve, shumë tema përsëriten ndërsa tekste të tilla si gjuha greke e klasës së gjashtë për shkollat e minoritetit, teksti i qytetarisë së klasës së 10-të dhe të 11-të si dhe tekstet e historisë dhe gjeografisë së klasave të 9-ta, 10-ta dhe 11-ta duket se kanë probleme serioze në konceptimin e shumë temave.

Mësuesja përgjegjëse për gjuhën greke pranë shkollës së gjuhëve “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër thotë se edhe këtë vit nxënësit që zhvillojnë mësimin në gjuhën greke nuk do të kenë tekste  për shumicën e lëndëve të gjimnazit ndërsa një pjesë e mirë e teksteve të botuara kanë problem me përmbajtjen.

Disa prej shkollave ende nuk kanë plotësuar nevojat me libra,kjo për shkak të numrit të lartë të fëmijëve të emigrantëve të mbërritur këtë vit në shkollat shqiptare.

Në shkollën e fshatit Dervician nxënësit e ciklit 9-vjecar janë pajisur me tekste në masën 70%. Mësuesit thonë se në hartimin e teksteve nuk është marrë asnjëherë mendimi i tyre ndërsa një pjesë e madhe e teksteve rezultojnë të përkthyera nga shqipja prej vetë mesuesve për mungesë fondesh.
 

Top Channel