Alket Veliu, Administratori i Agjensisë për Publikimin e Teksteve në Gjuhë të Huaja në Shqipëri, ka akuzuar Këshilltarin e Ministrit të Arsimit, por edhe kryetarin e Komisionit të Miratimit të teksteve, Jovan Kristiqi për favorizim të konkurentëve të caktuar.

“Nuk i lejohet me ligj një drejtuesi të arsimit duke filluar që nga qendra dhe drejtuesve lokalë të sugjerojnë botues të ndryshëm. Shkollat kanë bërë porositë zyrtare, por aktualisht këto shkolla nuk po marrin këto tekste për të cilat kanë bërë porosi si pasojë e ndërhyrjes së zotit Kristiqi në drejtoritë arsimore. Aktualisht në kohën që në flasim, në listën e madhe shkollash që unë kam këtu si në Lushnje, Lezhë, Durrës e Gjirokastër, aktualisht nuk po bëhet mësim në gjuhën angleze. Raste të ngjashme të ndërhyrjeve ka patur gjatë gjithë këtyre viteve dhe ekzistojnë, por kësaj radhe ne kemi kapur dokumenta të cilat janë kompromentuese”, thotë Alket Veliu, administrator i WFL.

Ministria: Akuzat te pabaza, kerkohet te behet presion

Por zoti Kristiqi, deklaron se këto akuza janë të pabazuara. Ky administator, i cili sipas Ministrisë së Arsimit ka 97% të teksteve në gjuhën e huaj, po kërkon të sulmojë konkurentin e tij përmes Ministrisë së Arsimit.

“Në asnjë mënyrë në atë shkresë nuk thuhet qoftë edhe një rresht i vetëm që të përzgjidhet kjo metodë nga komisionet e përzgjedhjes së teksteve. Përsa i përket e-mail-eve, sigurisht që kjo metodë ka hyrë në katalogun e teksteve shkollore dhe e-mail-et janë dërguar vetëm për lëndën frëngjisht klasa XI dhe XII sepse kishte mbetur vetëm me një alternativë. Dmth nuk mund të zgjidhnin tjetër, kështu që iu është shpjeguar dhe këto e-mail-e janë sqaruese për drejtoritë arsimore”, deklaron Jovan Kristiqi, Këshilltar i Ministrit të Arsimit.

Kristiqi sqaron se ky botues nuk ka shpërndarë tekstet në kohë duke shkaktuar mjaft probleme në shkolla, ndërkohë që drejtorët drejtorive arsimore përcaktojnë vetë tekset që përzgjedhin.

“Në rast se ne do të kishim bërë këtë ndërhyrje, sic pretendon distributori, nuk do të ishte me këto shifra kjo metodë që me siguri në të ardhmen do të mësojnë nxënësit tanë dhe nxënësit e gjithë botës”, shton zoti Kristiqi.

Reforma e alterteksit synon që grupet e mësuesve të përzgjedhin tekstet në cdo shkollë, duke bërë më pas porosinë. Një procedurë që më së shumti nuk është zbatuar pasi drejtorët e drejtorive arsimore, kanë paracaktuar tekstet që duhet të merren nisur nga rekomandimet nga lart për botues dhe autorë të vecantë.

Top Channel