Kanceri i gjirit, suksesi qëndron tek parandalimi

04/10/2012 00:00

Konsiderohet si vrasësi numër një i grave dhe shkaku më i madh i sëmundjeve të tyre. Cdo vit e më shumë po rritet numri i të prekurave nga sëmundja e kancerit të gjirit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vëren se është ulur mosha e të prekurave.

Sipas kirurgut pranë Spitalit Amerikan, Burak Koza, 10% e grave në të gjithë botën  preken nga ky lloj tumori: ”Kanceri i gjirit është kanceri më i përhapur tek gratë.  Një në 10 gra në botë preket nga kjo sëmundje. Por alarmant është fakti se kjo përqindje po rritet. Në krye të listës së të prekurave janë femrat nga mosha 40 vjeç deri tek të 50-tat. Por kanceri i gjirit fillon të godasë që në moshën 25 vjeç deri në fund të jetës. Pra nuk do të thotë se nëse je shumë e re apo shumë e vjetër nuk mund të prekesh nga kanceri i gjirit. »

Edhe pse shifrat janë rritur në mënyrë të frikshme, numri i vdekjeve nuk korrespondon me këtë trend. Avancimi i shkencës, por edhe ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit e kanë shtuar listën e të mbijetuarave.

“Nëse diagnoza bëhet herët, pacientët mund të kurohen 100 përqind. Me aparaturat si mamografia, ekografia apo rezonanca manjetike e gjoksit, mund të kapet shumë herët kanceri dhe madje të shërohet komplet. Flasim për stadin e parë të sëmundjes. Në stade më të avancuara, gjithesesi pacientet nuk rrezikojnë jetën sikurse me tumoret e tjerë sepse ky lloj kanceri reagon shumë mirë nëse fillon ta trajtosh në kohë. Nëse një paciente vdes nga kanceri i gjirit do të thotë se ajo kurrë nuk ka shkuar tek mjeku, ajo kurrë nuk është trajtuar”, shton doktori.

Nëse gratë i frikësohen transformimit të fizikut kur preken nga ky kancer, kirurgu jep shpresa shumë të mira për ristrukturimin e gjoksit: “Nëse është pak i avancuar, nuk do të thote se mund të heqësh gjithë goksin. Hiqet masa tumorale dhe bëhet rikonstruktim i pjesës së dëmtuar. Por nëse sëmundja është e avancuar, atëherë duhet hequr gjithë gjoksi, por diferenca është thjesht çështje estetike.”

Tanimë mjekësia jep garanci të plotë se kanceri i gjirit nuk është më sëmundja që duhet të frikësoje gratë. Me pak përkushtim nga ana e tyre, ajo mund të parandalohet dhe trajtohet me sukses.

Të jetosh me kancer në gji

“Kur u diagnostikova me kancer në gji e përjetova shumë keq. Mendoja gjëra të këqia. Thashë me vete se kaq ishte jeta ime, por operacioni më shpëtoi. Më pas fillova kimioterapinë që ishte shumë e vështirë dhe filluan të më binin flokët. 
Tani i them mikeshave të mia të bëjnë çdo analizë të mundshme dhe të mos lënë asgjë pas dore”, tregon Kristina Musha, e mbijetuar nga kanceri në gji.

Ndërsa Fatbardha Jonuzi, një tjetër e mbijetuar, tregon për ‘Pasdite në Top Channel’: “Shkova në Turqi dhe më shpjeguan çfarë të bëja dhe nuk u shqetësova fare. Unë e kisha malinj fatmirësisht, por mendoja që fëmijët i martova, me nipër e mbesa u bëra, kështu që si ta kisha të shkruar.

Iris Hajdini, nëna e së cilës ka humbur jetën nga kanceri i gjirit në moshën 30-vjeçare tregon: “Kam qenë 1 vjeç kur u diagnostikua dhe kur isha e vogël nuk e dija aspak se çfarë ishte kjo sëmundje. Mamaja ime nuk e jepte kurrë veten, por dukej që në familje kishte rënë një re e zezë. Në momentet e fundit të jetës më kërkoi të flisnim tek për tek. Më tha: Ti duhet të tregohesh e fortë!
Më la disa porosi që më bënë të kuptoja se gjërat nuk do të ishin si më parë edhe pse isha fëmijë.”

Spitali Amerikan, mamografi falas gjatë tetorit

Cdo grua duhet të kryejë vetëkontrollin e gjirit e madje duhet bërë shumë shpesh, për çdo muaj. Por kjo nuk është arma më e fortë për tu mbrojtur nga kanceri i gjirit.

Përmes mamografisë sëmundja kapet që në fazat e fillesës, ndërkohë që për tu kapur me një vizitë të thjeshtë, sëmunjdes do t’i duhen së paku dy vjet përparim. Kështu që mjekët këshillojnë aplikimin e mamografisë çdo vit mbi moshën 40 vjeç dhe kryerjen e ekografisë nën të 30-tat.

Lumja është 56 vjeç dhe ajo ka përfituar nga oferta mujore e Spitalit Amerikan. Në kuadër të muajit tetor, i cili është shpallur muaji sensibilizues për luftën ndaj kancerit të gjirit, në këtë institucion do të kryhen mamografi falas për çdo grua që do të drejtohet për diagnostikim të gjirit.

Gra të famshme që i kanë mbijetuar kancerit në gji

Nuk ka rëndësi nëse ato janë të bukura apo të famshme. Pavarësisht pupullaritetit dhe reputacionit që kanë, këto nuk i bëjnë aspak më të privilegjuara se gratë e tjera kur vjen puna për t’u prekur nga një sëmundje e rrezikshme. Kanceri i gjirit, është nga patologjitë më të përhapura tek gratë, e që nuk i kanë shpëtuar as shumë gra të famshme.

E kujtoni të bukurën Brigitte Bardot, aktoren e famshme franceze të Hollivudit? Në moshën 49-vjeçare ajo mësoi se vuante kanceri i gjirit dhe duke e pranuar këtë si fatin e saj refuzoi madje të kurohej. Por më vonë, nën ndikimin e miqve, ajo nisi trajtimin duke e tejkaluar sfidën me sëmundjen.

Anastasia. Këngëtarja shumë popullore amerikane edhe ajo është prekur nga kjo sëmundje. Në vitin 2003 gjatë një vizite rutinë, zbuloi përmes mamografisë se kishte kancer në gji. Prej atëherë iu nënshtrua operacionit dhe falë trajtimit është sot një prej të mbijetuarave të sëmundjes. Por, nga viti 2005 ajo ka ndalur rrugën e muzikës, pasi ka deklaruar se gjatë trajtimeve ka humbur fuqinë e zërit të saj.

Këtë eksperiencë të vështirë e ka kaluar edhe aktorja Christina Applegate. Pasi u diagnostikua me kancer ajo e përjetoi shumë dëshpërimisht sëmundjen. “Disa herë qaja, disa herë friksohesha dhe e ndrydhja frikën mes vetes, e disa herë inatosesha me fatin. Por më pas i thashë vetes që kjo është pjesë e jetës sime dhe le të bëhet c’të bëhet”, ka thënë Applegate.

Në vitin 2002 diagnostikohet me këtë sëmundje edhe aktorja Cynthia Nixon. Në vitin 2003, aktorja  Edie Falco. Më pas në vitin 2005 kanceri i gjirit do të prekte edhe këngëtaren e famshme nga Australia, Kylie Minogue.

Sheryl Crow, këngëtare amerikane, gjithashtu ka vuajtur nga sëmundja tumorale. Ishte viti 2006, kur falë kontrolleve të rregullta tek mjeku ajo arriti ta kapë sëmundjen në një fazë shumë të hershme.

Një tjetër prej të prekurave nga fusha e kinematografisë ka qenë Suzanne Somers. Pas broblemit me gjirin ajo shprehet se çdokënd e shihte ndryshe. Cdo  fëmijë, çdo lule, çdo gjë më dukej e mrekullueshme.

“Kur ti prekesh nga kanceri mëson të vlerësosh jetën”, ka thënë Somers.

 

Top Channel