Politikani Fidel Ylli është modeli i personit që na tregon se mjafton vullneti për ta mposhtur vesin e duhanpirjes. Edhe pse sportist dhe i njohur me pasojat e konsumit të duhanit, ai e nisi krejt rastësisht dhe pa një motiv të fortë.

Ishte viti 1989 dhe ai kujton mjaft mirë edhe llojin e cigares që pinte: “E nisa kur lashë sportin. E piva për dy vite me radhë. Kanë qenë cigare bullgare Arga. Duke ndenjur me miqtë në tavolinë, të duket vetja si më burrëror kur pi cigare, por është vesi më i shëmtuar dhe më i keq për shëndetin e njeriut.”

Edhe pse kishte ditë që pinte edhe dy paketa në ditë, vendimi për ta lënë erdhi pas një episodi fare të zakonshëm dy vite më vonë: “Një ditë, duke ngjitur me nxitim shkallët e kryeministrisë mu mor fryma. Thashë me vete: jam sportist dhe jam katandisur kështu. E mora paketën dhe e hodha. Nga viti 2002 e piva sërish në Greqi duke e filluar sërish, por me shkëputje. Tani nuk e pi më.”

Ai përcjell një mesazh për të gjithë të rinjtë që pinë duhan: “Jeta e shëndetshme dhe cilësore duhet bërë pa duhan, alkool dhe drogë. Rinia duhet t’i afrohet palestrave dhe aktivitetit fizik.”

Statistika të pirjes së duhanit në botë

Aktualisht, në të gjithë botën konsumatorët e duhanit janë rreth 1 miliardë e në vitin 2025 llogaritet që ky numër të shkojë deri në
1.6 miliardë.

Këto janë të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të përpunuara nga mjekja Brunilda Marku, sipas së cilës çdo vit vdesin rreth 5.4 milionë persona si rezultat i dëmeve të shkaktuara nga konsumi i duhanit.

Llogaritet që në vitin 2030 kjo shifër të shkojë në rreth 8 milionë vdekje në vit. Për këtë periudhë mendohet se më shumë se 80% e vdekjeve të jenë në individët që jetojnë në vendet me zhvillim të ulët ekonomik. Në shekullin e XX, rreth 100 milionë persona kanë vdekur si shkak i dëmeve të duhanit, në shekullin e XXI ky numër llogaritet të shkojë në 1 miliardë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i individëve që konsumojnë duhan është rreth 47 milionë e çdo vit vdesin rreth 400.000 persona (rreth 20% e vdekshmërisë së përgjithshme) si rezultat i dëmeve që shkakton duhani. Në vendet e komunitetit europian, vdekshmëria është 650.000 persona në vit.

Rreth 1/3 e popullsisë europiane konsumon duhan duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre, por edhe të personave që ju rrinë afër dhe ekspozohen ndaj duhanit edhe pse nuk e konsumojnë atë. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin duhan pasiv. Në Europë vdesin çdo vit rreth 19.000 persona jo duhanpirës si rezultat i ekspozimit pasiv ndaj duhanit që mund të jetë në shtëpi ose në vendin e punës.
 
Në vitet e fundit Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se konsumi i duhanit po rritet në mënyrë alarmante në vendet me nivel ekonomik të ulët.

Konsumimi kostant dhe i tejzgjatur i duhanit ka aftësinë të ndikojë negativisht në mbijetesën e popullsisë dhe në cilësinë e jetesës për këta persona. Të pish 20 cigare në dite do të thotë që të ulësh me 4.6 vjet mbijetesën e një të riu që fillon duhanin në moshën 25-vjeçare. Më saktësisht, për çdo javë që pihet duhan humbet një ditë jete.

Mendohet që në rreth 1000 meshkuj që pijnë duhan, një mund të vdesë nga vdekje e dhunshme, 6 mund të vdesin për aksident rrugor, ndërsa 250 do të vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga pirja e duhanit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar tashmë që duhani është shkaku kryesor i rritjes së vdekshmërisë në shoqërinë e tanishme dhe mbetet shkaktari kryesor i shumë sëmundjeve që mund të shmangen nëqoftëse hiqet dorë në kohë nga pirja e duhanit.

Të pish duhan edhe në spitale

Nëse do të vësh këmbën në Sanatoriumin e Tiranës, këshilla e parë kategorike e mjekëve është: Qëndro sa më larg duhanit.  Por në fakt, në spitalin universitar të specializuar për sëmundjet e mushkërive, edhe pse të shtruar në një gjendje të avancuar, shumë pacientë konsumojnë ende duhan.

Këtë e konfirmon Silvana Bala, Shefe e Shërbimit të Dytë të Pneumologjisë: “2/3 e pacientëve që shtrohen në spitalin tonë fatkqeqësisht e konsumojnë duhanin. Ky është ves dhe është i vështirë të ndërpritet. ”

E megjithatë, të ndërgjegjshëm për pasojat negative të duhanit, pacientët tregojnë se e kanë të vështirë që ta lënë duhanin.

Vetëm tymi i duhanit përmban 4 mijë kimikate, të cilat shkaktojnë një sërë sëmundjesh që prekin pothuaj gjithë organet e trupit. Me kalimin e viteve është rritur edhe numri i femrave të prekura nga sëmundje malinje.

Strategjitë anti-duhan, sa të efektshme janë?

Pararendëset e reklamave anti-duhan kanë qenë në fakt reklamat pro tij. Për herë të parë, një reklame pro duhanit doli në faqet e një gazete njujorkeze, në vitin 1978. Ishte koha kur duhani nuk konsiderohej aspak i dëmshëm, por vetëm si një nga produktet e konsumit.

Do të duhej të kalonte shumë kohë që të shfaqeshin reklamat dhe fushatat publicitare kundër tij. Vitet e fundit është shënuar një kulm i tyre. Nga ana financiare, me fushata disa milionëshe, si ajo e fundit në SHBA që kap vlerën e 54 milionë dollarëve, por edhe fushata që tentojnë, permes pamjeve shumë të rënda, të frikësojnë apo neverisin në njëfarë mënyre duhanpirësit serialë.  

Pavarësisht këtyre fushatave, është e vështirë të thuhet nëse ato kanë pasur apo jo një ndikim realisht të fortë që përbën një ndryshim thelbësor. Është shumë e vështirë që të gjesh me shifra dhe tregues konkretë se cili mesazh funksionon dhe cili jo. Gjatë gjithë kohës organizatorët e fushatave të tilla ndeshen me dilemën e llojit të mesazhit që duhet të perdorin. Gjithsesi ideja është që një fushatë të ketë ndikim ndaj një grupi sa më të madh njerëzish.  

Ka studiues të cilët thonë se pikërisht ashpërsia që shpesh shkon në ekstrem e një reklame kundër duhanit mund të ketë efekt të kundërt. Megjithatë ka edhe të tjerë që janë të mendimit se pikërisht tmerri që përçohet apo edhe neveria janë ato që kanë efektin më të madh. Gjithsesi në luftën kundër duhanit është vënë një arsenal i tërë fushatash, parash, ligjesh dhe çmimesh të larta.

Madje këto të fundit, sipas një studimi australian, del se janë ndër masat më efikase të marra kundër duhanpirjes. Kjo duket më qartë tani në këtë periudhë krize kur rritja e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe kostos së jetesës ka bërë që shumëkush, edhe pse me dhimbje, të heqë dorë nga duhani, për të vazhduar të hajë bukë.
 

Top Channel