Tepelenë, bllokohet granti vjetor

03/10/2012 00:00

Bashkia e Tepelenës bën me dije se vendimi  për të autorizuar degën e
thesarit të mos çele fondin e mbetur të grantit vjetor prej 25% është i
padrejtë dhe rrënues.

Megjithëse nuk ka asnjë dokument zyrtar drejtuar Bashkisë së Tepelenës për të njoftuar ndonjë detyrim dega e thesarit ka njoftuar se granti është pezulluar për të kompensuar humbjet e ndërmarrjes së Ujësjellësit  dhe detyrimet e kësaj të fundit ndaj CEZ.

Ligji i tetorit të vitit 2010 mbi buxhetin detyron njësitë vendore që të mbështesin me fonde  sipas përqindjes së aksioneve ndërmarrjet e ujësjellësit në momentin që raportohen humbje apo nevojë për investime emergjence. Por ky detyrim sipas kreut të bashkisë së Tepelenës Tërmet Peci lind pasi ndërmarrja raporton për gjendjen finaciare, dhe kjo nuk ka ndodhur ndaj nuk janë parashikuar në buxhetin e këtij viti.

Nga ana tjetër z. Spiro Kora shef i Financave në Bashki thotë se fondi i ndërprerë për fundvitin do të bëjë që të mos paguhen punonjësit dhe të mos mbështeten me fonde pastrimi, ndriçimi, gjelbërimi, mirëmbajtja e shkollave.

Detyrimi që ndërmarrja e Ujësjellësit Tepelenë i ka CEZ kap vlerën e 32 milionë lekëve, shifër që është vendosur të paguhet nga aksionerët. Ndërkaq sipas burimeve konfidenciale gjatë vitit financiar 2010 – 2011 qeveria ka subvencionuar këtë ndërmarrje me një vlerë prej 37.6 milionë lekësh.

Drejtuesi fizik i saj Vladimir Bakiaj nuk ndodhet në zyrë por i kontaktuar me telefon nuk ka pranuar të komentojë rreth cështjes. Problemet në menaxhimin e ujësjellësit u bënë të dukshme sidomos këtë vit kur QKR ka regjistruar dhe çregjistruar disa herë bordin e ndërmarrjes ndërsa aksionerët mes të cilëve bashkia e Tepelenës aksioneri kryesor me 24,1 % të aksioneve nuk kanë asnjë kontroll mbi këtë ndërmarrje.

Top Channel