Moto GP, Stoner konfirmon rikthimin në Motegi

03/10/2012 14:00

Casey Stoner, i cili ka një muaj e gjysmë që i mungon pistave të Moto GP për shkak të një dëmtimi në kaviljen e këmbës së djathtë, ka konfirmuar se do të rikthehet të garojë në javën e ardhshme në cirkuitin e Motegit, aty ku do të zhvillohet Cmimi i Madh i Japonisë.

“Kam kaluar një tjetër javë të qetë në Australi duke pushuar dhe duke bërë fizioterapi. Lajmi i mirë është që ndihem i gatshëm për të garuar në Motegi dhe do të kthehem javën e ardhshme”, theksoi piloti i Hondës në blogun e tij.

Kampioni në fuqi i botës, i cili do të tërhiqet nga garat në përfundim të këtij sezoni, u dëmtua më 19 gusht gjatë provave zyrtare të Cmimit të Madh të Indianapolis.

Casey Stoner ka munguar në garat e Republikës Ceke, San Marinos dhe Aragonit dhe kur kanë ngelur edhe katër gara nga përfundimi i sezonit ka humbur matematikisht mundësinë për të mbrojtur titullin kampion.

Në këtë mënyrë, australiani 27-vjeçar do të jetë “arbitri” i luftës për titull mes Jorge Lorenzo dhe Dani Pedrosa (Honda).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA