Zotimi i ESA-s: Me apo pa NASA-n, do shkojmë në Mars

02/10/2012 17:50

Me apo pa NASA-n, Europa do të realizojë misionin e saj në Mars. Ky është zotimi i drejtuesve të ESA-s, Agjencisë Europiane të Hapësirës, pas refuzimit të agjencisë homologe amerikane për të bashkëpunuar në projektin ExoMars.

Projekti europian ExoMars synon dërgimin e një pajisjeje robotike në planetin e kuq me mision vëzhgimin e tij në kërkim të gjurmëve të jetës. Thuajse i njëjti mision është edhe ai i “Curiosity” të NASA-s të zbritur në Mars më 6 gusht. Por “Curiosity” ka një hapësirë të kufizuar lëvizjeje, ndërsa ESA synon që në misionin e saj lëvizshmëria të jetë më e madhe e për pasojë edhe të dhënat shkencore të përftuara të jenë më të mëdha.

Projekti europian duhet të marrë mbështetjen e ministrave të shkencës të Bashkimit Europian, që pritet të takohen muajin e ardhshëm. Pas marrjes së kësaj mbështetje, atëherë mund të niset nga puna.

Ndërkohë, NASA po punon për dërgimin e një tjetër misioni në Mars i planifikuar për t’u nisur në vitin 2016. Misioni do të synojë gjetjen e gjurmëve të jetës, por jo në sipërfaqe, por në nëntokë. Sonda e NASA-s që pritet të dërgohet në 2016, pritet të zhytet 5 metër në thellësinë e planetit të kuq nga ku nuk do të mund të lëvizë më, por do të grumbullojë të dhëna nga nëntoka e Marsit.

Ndërsa në konferencën ndërkombëtare të astronomisë që po mbahet në Napoli, europianët akuzojnë homologët amerikanë se po pengojnë bashkëpunimin dhe se refuzojnë të ndajne eksperiencat në fushat shkencore të studimit të hapësirës, sic bën Kina, Japonia apo Rusia së bashku me ESA-n.

Në këtë konferencë u shtrua nevoja e pastrimit të trafikut në orbitën e Tokës. Objektet e hedhura nga njeriu e të dala jashtë funksionit në këtë orbitë, përbëjnë rrezik për satelitët, por mbeten edhe një rrezik konstant se me rënien në Tokë mund të shkaktojnë dëme të mëdha. ESA kërkoi hartimin e një plani të përbashkët mes agjencive hapësinore të të gjithë botës për të ndërmarrë një mision të tillë që përvec vullnetit të secilës palë, kërkon edhe koston për teknologjinë e fundit që të mund të realizojë rrëzimin e kontrolluar në Oqeanin Paqësor të objekteve “të skaduara” në orbitë.

Top Channel