Vrasësi s’fali braktisjen pas falimentimit

02/10/2012 00:00

I rrënuar ekonomikisht nga lidhja jashtëmartesore, i tradhtuar nga ish e
dashura e tij, e cila e ka braktisur pas falimentimit në biznes, dhe i
përqeshur nga i dashuri i ri i saj, ai nuk ka duruar më, por ka marrë
automatikun duke i vrarë të dy pa mëshirë.

Më pas, i vetëdijshëm për krimin e kryer, ai ka telefonuar inspektorin e zonës, duke i treguar se çfarë kishte bërë dhe ku ta kërkonte. “Mos më kërko në shtëpi, por këtu ku kam vrarë dy të tjerët, pasi do vras veten…” Ky është epilogu i krimit të trefishtë, i ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Potgorie të Korçës, ku shkak është bërë viktima femër e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që të tri viktimat ishin të martuar dhe me fëmijë. Madje, historia tronditëse ka bërë që burri i “mollës së sherrit” nuk e ka pranuar kufomën e të shoqes në shtëpi…

Historia dhe provokimet

E pandalshme për të siguruar me çdo kusht mbijetesën e saj e të familjes, nusja e fshatit Podgorie, Eliverta Çoçka, e ka braktisur ish të dashurin e saj dhe është lidhur me një tjetër banor të Potgories, i cili duke pasur një aktivitet privat arrinte t’i siguronte edhe shpërblime për lidhjen intime që krijuan. Por, kjo tradhti e 35-vjeçares, pas disa vitesh historie të përbashkët me 52-vjeçarin Viktor Rozani, nuk është kapërdirë lehtë nga ky i fundit. Ditët e fundit, komunikimet telefonike mes dy partnerëve të 35-vjeçares, mësohet se ishin shumë provokuese. Edhe për mbrëmjen e së dielës, kur ndodhi krimi i rëndë, ka të dhëna se 52-vjeçari Rozani ka marrë një telefonatë të tillë nga bashkëfshatari i vet, Feridon Bollguri, në kohën që ky po kryente marrëdhënie intime me 35-vjeçaren Çoçka. Nuk saktësohet nëse ka qenë ose jo në gjendje të dehur, por Viktor Rozani, sapo kishte lënë punën në arë, është armatosur me një automatik dhe pasi ka marrë hua një makinë është nisur drejt vendit, ku ndodhej ish e dashura e tij me partnerin e ri. Të tre protagonistët e kësaj ngjarjeje tragjike, me vdekjen e tyre kanë shuar çdo dëshmi të asaj kohe të shkurtër kur u krye krimi i trefishtë, por dihet vetëm se i armatosuri nuk ka lënë shumë kohë për debate dhe ka pasur një përleshje fizike. Janë dëgjuar dy breshëri automatiku, të cilat i kanë marrë jetën në moment 35-vjeçares Eliverta Çoçka dhe 39-vjeçarit Feridon Bollguri. Më vonë, është dëgjuar një qitje e vetme.

Telefonata me inspektorin

Ai që vrau dy personat, pushoi një çast sa për të telefonuar policinë, për t’i bërë të ditur se kishte vrarë dy vetë, dhe më pas, me një plumb të vetëm poshtë mjekrës vrau edhe veten. Burime të policisë rajonale të Korçës thanë se ka qenë ora 19.05 e mbrëmjes të së dielës kur Viktor Rozani i ka telefonuar inspektorit të zonës, për ta njoftuar se kreu dy vrasje. “Të mos vish në shtëpinë time për të më kërkuar, sepse këtu do të më gjesh edhe mua, pasi do të vras veten”, ka shtuar fjalët e tij të fundit për inspektorin e zonës 52-vjeçari Viktor Rozani. Të tri viktimat, sipas policisë, janë gjetur në afërsi të një guroreje pranë rrugës që lidh fshatrat Potgorie dhe Koritë, në vendin që vendasit e quajnë “Buçune”.

Rrënimi i fermerit

Autorin e këtij krimi të rëndë, 52-vjeçarin Viktor Rozani, bashkëfshatarët e tij e tregojnë si një person që dikur ishte në gjendje të mirë ekonomike, aq sa ndihmonte dhe përkrahte banorë të tjerë të Potgories. Duke zotëruar makineri bujqësore, ai jo vetëm siguronte të ardhura të mjaftueshme për familjen e tij, por u vinte në ndihmë edhe fshatarëve, kur këta nuk ishin në gjendje të paguanin për punën që u kryente. Arben Pilinçi, kryeplak i fshatit Potgorie, thotë se bashkëfshatari i tij, para ca vitesh ishte në një gjendje ekonomike krejt ndryshe nga ajo që përfundoi kohët e fundit, kur pësoi një falimentim të plotë. Në Potgorie, thonë se prej 5 apo 6 vitesh, Viktor Rozani kishte krijuar një lidhje intime me Eliverta Çoçkën, një grua e martuar në këtë fshat me Yllson Çoçkën, me të cilin kishte një fëmijë. E kaluara e kësaj gruaje, me origjinë nga fshati Starovë i Pogradecit, si dhe sjellja që mbante në fshatin e burrit të saj, nuk kishin lënë shumë vend për respekt. Banorët kanë dëgjuar për disa martesa të mëparshme të Eliverta Çoçkës në Maqedoni dhe ngrenë shumë dyshime për qëndrimin e saj moral, ndërsa shtojnë se shfaqte një karakter të ashpër aq sa ishte në gjendje të rrihte, jo vetëm gra të Potgories, por edhe burra, nëse hynte në debat me ta. Me këtë grua, në kohën e tij të artë, kishte arritur të krijonte lidhje Viktor Rozani, baba i dy fëmijëve të rritur. Por, ka rezultuar se historia e dashurisë me këtë femër i ka kushtuar shumë, aq sa e shkatërroi ekonomikisht dhe moralisht. Në Potgorie tregojnë se Viktor Rozani, nga një banor që gëzonte respekt për gjendjen e mirë sociale që kishte krijuar dhe mbështetjen e shumë fshatarëve, kaloi në një falimentim të gjithanshëm. “Nuk ishte më në gjendje as të paguante një gotë raki, as të blinte paketën e cigareve, ndërsa mjetet bujqësore dhe toka iu sekuestruan nga banka, ku me sa duket kishte marrë kredi. Kishte mbetur fare trokë nga ekonomia”, thotë një banor i fshatit. Por, edhe pse në këtë gjendje të rrënuar, ai nuk ka pranuar që e dashura e tij t’i kthente krahët, pasi për shkak të saj kishte lënë shumë mall e pasuri.

Poshtërimi nga partneri

Banorët tregojnë sesi të mos mjaftonte poshtërimi për këtë shkallë të ulët ku përfundoi, mësohet se kohët e fundit 52-vjeçari po poshtërohej nga partneri i ri i Eliverta Çoçkës. Kjo grua kishte krijuar tashmë një lidhje të re, me një tjetër banor të Potgories, i cili me aktivitetin e tij të një dyqani të shitjes me shumicë në fshat, ishte në gjendje që ta mbante me para. Por, 38-vjeçari Feridon Bollguri, baba i tri vajzave, nuk ka kaluar pa rënë në sy për këtë lidhje, madje duke ngacmuar me telefon bashkëfshatarin e vet. Në Potgorie, banorë të këtij fshati thonë se kanë dëgjuar që këto ditët e fundit Feridon Bollguri i telefononte Viktor Rozanit për t’i thënë se i kishte rrëmbyer ish të dashurën dhe se ku ndodhej me të. Të tjera dëshmi që vijnë nga ky fshat, bëjnë të ditur se 53-vjeçari i indinjuar disa herë, kishte paralajmëruar Feridon Bollgurin se do ta vriste atë dhe ish të dashurën, duke i kërkuar bashkëfshatarit të tij të hiqte dorë, sepse ishte shkatërruar prej kësaj gruaje. Edhe mbrëmjen e së dielës ka të dhëna se ka qenë një telefonatë e 38-vjeçarit Bollguri, ajo që e ka çuar Viktor Rozanin drejt krimit të trefishtë.

Burri nuk pranon gruan

Yllson Çoçkën, burrin e Elivertës, përfaqësues të pleqësisë së fshatit Potgorie, e kanë gjetur mëngjesin e së hënë në shtëpi, në gjumë dhe gjendje dehjeje. Në kushte të mjeruara ekonomike, pasi të ardhurat e vetme të tyre dhe për fëmijën arrinte t’i siguronte në rrugët e saj Eliverta, ish-bashkëshorti i saj është rrëfyer për tradhtinë e vazhdueshme të së shoqes, e megjithatë është shprehur për hakmarrje ndaj bashkëfshatarit Viktor Rozani. Ndërkaq, ai nuk ka pranuar që të kryejë varrimin e ish-gruas së tij në Potgorie, duke bërë që për ta dërguar në banesën e fundit 32-vjeçaren Eliverta Çoçka të kujdesen të afërmit e saj nga fshati Starovë i Pogradecit. “Kë të varros? Ajo varrosi veten?, është shprehur ai kur është pyetur në lidhje me të shoqen. Viktima është dërguar në fshatin e të afërmve të saj dhe në Potgorie, një ditë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, janë organizuar vetëm dy funerale të burrave, që kishin krijuar lidhje intime me këtë grua. Por, fjalët kërcënuese që Yllson Çoçka ka shprehur për një hakmarrje të mundshme ndaj familjes së bashkëfshatarit të tij, Viktor Rozani, kanë bërë që policia e Korçës të marrë masa për të parandaluar pasoja edhe më të rënda. Përfaqësues të kësaj policie, kanë shkuar ditën e hënë në banesën e Yllson Çoçkës për ta mbajtur nën mbikëqyrje, si dhe për ta porositur që të mos kryente asnjë veprim të pakontrolluar.

 

Top Channel