Sequi: Konsensus për integrimin

02/10/2012 00:00

Nga Elbasani, Ambasadori i BE-së Ettore Sequi i ka bërë thirrje klasës poltike që të arrijnë konsesus mes palëve për  plotësimin e kritereve të kërkuara nga ndërkombëtarët për integrimin e vendit.

Gjithashtu, ai ka kërkuar përfundimin e reformave përpara publikimit të progres raportit për Shqipërinë dhe për këtë ka shprehur mbështetjen e Bashkimit Europian.

Kjo deklaratë është bërë gjatë vizitës së tij në inagurimin e Qendrës së Paraburgimit në Elbasan, i cili  është financuar në pjesën më të madhe nga Bashkimi Europian me një vlerë totale prej 6 milion euro.

Sipas Sequit një komb nuk njihet nga mënyra se si i trajton njerëzit e njohur, por nga burgjet dhe mënyra se si i trajton të dënuarit, duke garantuar mbështetje të plotë edhe në institucione të tjera në vend.

“Thuhet se askush nuk e njeh mirë një komb pa parë burgjet e tij. Nuk mund të gjykohet një vend nga mënyra se si trajton njerëzit e famshëm, por nga mënyra se si sillet me të dënuarit. Fuqizimi i shtetit të të drejtës, për këtë arsye, është një përparësi në kriteret e Bashkimit Europian, ashtu si promovimi i të drejtave të njeriut”, deklaroi ambasadori Sequi.

Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi thote se qendra e paraburgimit në Elbasan, është e para në Shqipëri dhe përmbush të gjitha standardet e kërkuara, por kjo nuk do të jetë e vetmja, pasi të tjera po ndërtohen.

“Gjatë këtyre viteve kemi bërë të mundur të nxjerrim Shqipërinë nga harta e vendeve problematike në trajtimin e të dënuarve. Së shpejti, përfundon nga ndërtimi institucioni i burgimit në Fier, mbaron së shpejti Berati dhe gjithashtu në Shkodër realizohet një investim nga 33-40 milionë euro, ku përfshihet edhe kontributi i qeverisë shqiptare”, informoi ministri Halimi.

Qendra e paraburgimit ka një kapacitet prej 120 të  paraburgosurish. Ajo ka hapësira të nevojshme për të miturit dhe gratë.

Godina përmbush të gjitha standardet e kërkuara nga vendet e BE-së. Mësohet se edhe në Berat po ndërtohet nje qendër e tillë paraburgimi, me fondet e ndërkombëtarëve.

Top Channel