Mbrëmja e “PriFilm Fest”

02/10/2012 17:50

Një ngjarje kinematografike është pa dyshim edhe një event mondan. Një mbrëmje e bukur mund të quhet nata përmbyllëse e “PriFilm Fest”. Ambient i këndshëm, njerëz të talentuar, veshje të përzgjedhura, sjellje elegante.

Shumë më diskret dhe i frenuar në luksin publik krahasuar me ceremonitë e ngjashme në festivalet e Kanës, Berlinit apo Venecias, nuk munguan demonstrimet e mëndafshit e tantellave, bizhuterive dhe gurëve të çmuar.

Nuk arriti të jetë e pranishme në ceremoni ajo e cila u shpall aktorja më e mirë e festivalit: Arta Dobroshi. E spikatur me Heshtja e Lornës, 32-vjeçarja nga Prishtina është e para aktore shqiptare e cila shkeli tapetin e kuq në Kanë, Berlin dhe Sandens.

Megjithatë Arta ishte kujdesur të dërgonte një letër përmes së cilës falenderonte jurinë për vlerësimin.

Cmimi për regjinë më të mirë i shkoi jo një, por dy krijuesve. Në pamundësi për të përzgjedhur më të mirin mes dy shumë të mirëve, juria vlerësoi njëherazi Umut Dag për filmin Kuma dhe Benc Fuegot për filmin Vetëm Era.

I pritur me kureshtje dhe i shpërblyer me pjesëmarrje e vëmendje nga publiku filmi i regjisorit nga Kosova Agim Sopi, i cili rrëmbeu trofeun e çmimit të publikut. Agnus Dei, bazuar në ngjarje të vërtetë, sjell një variant modern të mitit antik të Edipit, po aq tragjik e pikëllues.

Një aktor i ri dhe premtues nga Algjeria, Nabil Aslli, mori çmimin për rolin kryesor në dramën i penduari, histori e fuqishme dhe e guximshme e një xhihadisti të ri që vendos të tërhiqet. Një rrugë aspak e lehtë për të dhe të afërmit.

Për të parën herë u dha në këtë edicion të katërt të “PriFilmFest” çmimi i medias “Dritan Hoxha”. Favorit i jurisë së medias ishte filmi “Tre botë”. Cmim që korrespondoi dhe me vlerësimin e jurisë së festivalit për filmin më të mirë: “Tre botë”.

Filmi trajton një dilemë morale, ka një suspans të brendshëm. Është historia e një djali të ri, ambicioz e me mundësi i cili një natë, në gjendje të dehur, godet një person me makinë dhe largohet nga vendngjarja pa dëshmuar. Ka tension, implikime psikologjike, linja e narracionit kryesor gërshetohet me atë të jetëve të individëve pa dokumente në Francë.

“PriFilm Fest” mbylli siparin mbrëmë, në një fillim tetori pazakonshmërisht të ngrohtë për kryeqytetin e Kosvës në këtë periudhë të vitit.

Protagonistët e Prifest

Aida Begic është një regjisore boshnjake e cila tregon për kinematografinë ballkanase ekskluzivisht për ‘Pasdite në Top Channel’.

Fenomeni i tranzicionit, për fat të keq, është një gjë e përbashkët çfarëdo që kjo nënkupton. Vetë fjala është e çuditshme sepse tranziti do të thotë kalimi nga një gjendje në një gjendje tjetër. Për shumicën e vendeve tona, kemi ngecur, nuk kemi lëvizur nga një gjendje mendore, ekonomike, por kemi mbetur të bllokuar në këtë tranzicionin e gjatë. E shoh si një moment të vështirë për vendin tim, për popullin boshnjak, gjithashtu kuptoj se në një numër vendesh mund të gjesh të njëjtat probleme si në Kosovë, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Për vendet që provuan luftën, vuajtjet kanë qenë më të mëdha dhe efekti i tranzicionit më i rëndë. Ndjeva nevojën të tregoja në film historinë e brezit të ri në vendin tim dhe fëmijët e vegjël të kohës së luftës të cilët gjëja e parë që kuptuan rreth jetës ishte lufta. Në këtë brez të rinjsh në të 20-tat ka potencial, por po ashtu edhe rrezik për përfshirjen në krim, drogë etj.  

Në lidhje me të qenit kineaste, Begic theksoi: “Nga njëra anë ndjeja se ishte qesharake të studioja në Akademinë e Filmit, gjatë luftës. Të lexoja rreth filmave, të shihja e të bëja filma në një kohë kur vriteshin njerëz çdo ditë, nuk kishim për të ngrënë, për të pirë, as energji elektrike. Por po ashtu ishte koha kur kuptova sa i rëndësishëm ishte filmi sepse ne kemi nevojë të shohim koncerte, shfaqje teatrore dhe filmi më provoi se arti është po aq i rëndësishëm sa ushqimi, uji dhe energjia elektrike. Edhe sot, kur mendoj se a ka kuptim të jem regjisore në një botë që bëhet gjithnjë e më e çuditshme dhe e çmendur, gjithmonë kujtohem për kohën e rrethimit të Sarajevës: arti ynë ishte rezistenca jonë dhe spiritualiteti, kontakti me të, na riktheu dinjitetin.  

Krijimtaria ballkanike nga optika e një aktori britanik

David Gant i sheh kështu karakteristikat e filmave ballkanikë: “Për mua është një dëshirim për diçka ndryshe, është e qartë se ka pasur shumë tronditje, beteja dhe njerëzit po përpiqen ta mbledhin veten nga kjo dhe e shohim në ekran këtë përpjekje për ta tejkaluar dhe për të gjetur veten. E shoh dhimbjen në filma, më prekin veçanërisht fëmijët me fytyrat e tyre të mrekullueshme të pafajshme, të cilët pyesin se ç’ po ndodh dhe ajo që dëshiroj është që ata të ndjehen të sigurtë. Ajo që shoh në këta filma është orvatja për diçka më të mirë.  

“Të bësh filma duhet të jetë zbavitëse. Si djalë i ri, kur shkoja me shokët për të parë filma bardhë e zi, donim thjesht të zbaviteshim. Filmat janë lartësues, arti është lartësues. Muzika dhe teatri, filmi dhe televizioni. Kur je në kinema dhe dritat ulen dhe të gjithë janë një gjë, e quajtur audiencë. Kurdo që ulesh në kinema, kudoqofsh në botë, nëse është diçka politike apo diçka zbavitëse, apo diçka me imazhe të gjeneruar kompjuterikisht, ndodh e njëjta gjë: dritat ulen dhe të gjithë bëhen një person: të quajtur audiencë. I dua filmat, i kam dashur gjithmonë, qëkurse isha një djalosh i ri.

Filmat pjesëmarrës në “PriFilm Fest”

7 ditë në Havana

Jo një por shtatë regjisorë, shumë muzikë, ngjyra dhe aromë kube. Shtatë ditë në Havana është i përbërë nga shtatë filma të shkurtër. Në secilin prej tyre, një regjisor tregon mënyra të ndryshme se si një turist do të kalonte ditën në kryeqytetin e Kubës. Emra të famshëm si Benicio del Toro, Emir Kusturica, përshkrime pasionante dhe zbavitëse të qytetit.

Arkeo

Është një film siç nuk jemi mësuar të shohim. Aspak i ngjashëm me filmat aksion. Aty nuk ndodh pothuajse asgjë. Nuk gjen ngjashmëri as me filmat narrativë. Aty askush nuk komenton. E megjithatë Arkeo komunikon. Komunikon me ne përmes fotografisë dhe sjell përmes imazheve marrëdhëniet mes një gruaje, një burri dhe një fëmije. Asgjë që ndodh mes tyre nuk është e lidhur me kohën. Ka ndodhur, ndodh, ose mund të ndodhë në të ardhmen. S’ka fjalë, vetëm pëshpërimat e erës, ujit dhe tokës. Arkeo është poezi filmike.

Barbara

Është tregimi rreth një mjekeje nga Gjermania Lindore që ka aplikuar për vizë. I dashuri i saj përgatit arratisjen nga vendi. Barbara s’bën gjë tjetër veçse punon me përkushtim në profesionin e saj në kirurgjinë pediatrike edhe pse e kanë hequr nga kryeqyteti e zhvendosur në një spital periferik province. Ajo është e përqendruar tërësisht në të tashmen, duke pritur që e ardhmja të fillojë dikur, diku përtej atij vendi e rrethanash absurde.

Vetëm era

Lajmi i vrasjes së një familjeje rome trondit një tjetër familje rome fqinje. Kur muzgu bie mbi fshat, të rritur e fëmijë, afrojnë shtretërit thua se afërsia do t’i mbrojë nga rreziku atje jashtë. Ata e ndjejnë se fati i dikujt, mund të bëhet fat i shumëkujt kur shpërthen dhuna, diskriminimi dhe ksenofobia. Filmi bazohet në serialet e vrasjeve në Hungari që u morën jetën tetë personave në më pak se një vit.

Kuma

Të jesh gruaja e dytë e një burri. Kjo gjendje quhet KUMA. Në epiqendër të filmit, me të njëjtin emër, janë historitë e dy grave tradicionale turke. Njëra 50 vjeç, nënë e gjashtë fëmijëve dhe tjetra 19 vjeç. Nje histori manipulimi që kërkon përgjigje në petkun e traditës së vjetër.

Fluturim special

Filmi “Fluturim special” sjell një vështrim unik mbi jetën e disa të burgosurve. Realizuar në formën e një dokumentari filmik, autorët kanë hyrë brenda hekurave të qendrave ku mbahen pa gjyq persona, për fajin e vetëm se kanë qendruar ilegalisht në Zvicër, edhe pse punojnë e paguajnë sigurime. Aty brenda, tensionet rriten dita-ditës në pritje të deportimit te padëshiruar. Në 100 minuta, filmi dokumentar hedh dritë mbi jetët e shtatë personave, njëri prej te cilëve nga Kosova.

“Gruaja e cila fshiu lotët e saj”

Është një film maqedonas që trajton temën e mëmësisë, dhimbjes, emancipimit dhe barazisë në një botë të dominuar nga meshkujt. Filmi e përcjell protagonisten, Helenen, nga Franca për në pyjet e Maqedonisë, ku ajo është kthyer të shpërndajë hirin e të birit të cilin e ka humbur tragjikisht. Por një seri rrethanash e vënë në mbrojtje të një jete tjetër.

Top Channel