Ish të përndjekurit: Të vendosur për t’u vetëflijuar

02/10/2012 00:00

Ish të përndjekurit politikë shprehen të vendosur për t’i shkuar deri në fund grevës së urisë së nisur pak ditë më parë për realizimin e kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me dëmshpërblimet për vitet e përndjekjes komuniste.

Ish i përndjekuri, Shpëtim Karamuça, një ndër shembujt tipikë të kësaj shtrese të shoqërisë, i pastrehë, pa pension, me kancer në laring dhe me 26 vite burg mbi shpinë, shprehu vendosmërinë e grevistëve jo vetëm për t’i shkuar në fund plotësimit të kërkesave të tyre, por paralajmëroi se janë të vendosur të vetëflijohen edhe duke u djegur me benzinë.

“Nëse nuk plotësohen kërkesat tona do të lyhemi me benzinë dhe do t’i
vëmë flakën njëri-tjetrit. Kjo varet nga ligjet e shtetit shqiptar, nga
ndërgjegja e atyre njerëzve, nëse ata do arrijnë deri në ktë pikë që ne
të flijohemi. I kërkojmë gjithë popullit të mos lejojnë të flijohemi
këtu! Jemi të gjithë familjarë!”, deklaroi zoti Karamuça duke shprehur
bindjen se shoqëria shqiptare do të mbështesë protestën e së mërkurës së
ish të përndjekurve që kërkojnë dëmshpërblimet për vitet e kaluara pas
hekurave gjatë regjimit.

Gjergj Ndreca, një ndër emrat e mirënjohur të ish të përndjekurve për aksionet, shpesh ekstreme të ndërmarra ndaj autoriteteve dhe drejtuesve të lartë të vendit tha se greva do të vijojë dhe falenderoi gjithë shqiptarët për mbështetjen, sipas tij, të dhënë deri më tani.

Fatura, asnjëherë publike

Fatura e dëmshpërblimit të ish të përndjekureve politike asnjehere nuk eshte bere publike, nderkohe edhe vete buxheti i shtetit qe pas hyrje ne fuqi te ligjit per kompensimin e tyre ka qene i vogël për të përmbushur kërkesën financiare.

Ata që janë në grevë urie nuk kanë përfituar as këstin e parë. Në nisjen e këtij procesi Qeveria filloi një fushatë propaganduese duke e konsideruar si një vendosje të drejtësisë në vend, ndërkohë që sipas vetë ish të burgosurve gjërat kanë qenë ndryshe. Zyrat shteterore kanë kthyer përgjigjen e mungesës së fondeve.

Nderkohë shërbimi mjekesor eshte kthyer në dispozicion te grevisteve. Ndersa tete prej tyre kane marre ndihme mjekësore ne spital, gjendja shendetesore e atyre qe ndodhen nen tenden e greves se urisë po përkeqësohet së tepermi.

Top Channel