“Vetro Energy”, drejt kontratës

28/09/2012 00:00

Pas tre javësh heshtje të plotë, që nga data e zhvillimit të tenderit,
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur rezultatet paraprake në
garën për privatizimin e ‘Albpetrol’.

“I pari në këtë renditje është konsorciumi ‘Vetro Energy'”, tha Sokol Dervishaj, zëvendësministër i Energjetikës.

Sipas tij, Komisioni ka verifikuar të gjithë dokumentacionin përkatës dhe oferta e renditur e para përmbush të gjitha kriteret dhe garancitë financiare.

“Kërkesat tona kryesore praktikisht kanë qenë mbi këtë kompani, për shkak edhe të vetë pozicionit të saj në këtë proces dhe ofertës shumë të lartë që ajo ka dhënë. I kemi kërkuar të gjithë korrespondencën e bashkëpunimit, dokumentet origjinalë, kapacitetet e saj financiare, marrëdhëniet që ajo do të ketë me sherhollderat e saj kryesorë”, tha Dervishaj.

Konsorciumi ‘Vetro Energy’, që u rendit i pari duke ofruar 850 milionë euro për blerjen e ‘Albpetrol’ përbëhet nga dy kompani. Shoqëria e parë është një fond amerikan investimesh me emrin ‘Silk Road’, që zotëron 49 për qind të aksioneve, ndërsa kompania tjetër është ‘Hypo Oil’, e cila do të ketë 51 për qind të aksioneve. Zoti Dervishaj thotë se të dy kompanitë përmbushin kriterin strategjik, pasi kanë eksperiencë në fushën energjetike.

Por çfarë ndodh pas shpalljes së këtij rezultati paraprak? Komisoni brenda 5 ditësh paraqet raportin me vlerësimin në Këshillin e Ministrave, i cili e miraton atë.

“Brenda 5 ditëve, secila prej kompanive ka të drejtën e ankimimit apo të apelimit të këtij vlerësimi. Më pas dhe gjatë kësaj kohe përmbyllet raporti përfundimtar i Komisionit, i cili i dërgohet për miratim Këshillit të Ministrave. Më pas fillon negociimi i kontratës, në momentin e negocimit të kontratës, kompania që ka fituar të drejtën e këtij negociimi duhet të depozitojë apo të ngrijë në llogari dhe në emër të shtetit shqiptar 20 për qind të vlerës së kontratës”, tha zëvendësministri.

Zoti Dervishaj thotë se sipas ligjit kontrata nënshkruhet rreth një muaj pas vendimit të Këshillit të Ministrave dhe pastaj kompania kryhen menjëherë pagesën prej 850 milionë eurosh.

Dervishaj: Të drejtat e shfrytëzimit janë transferuar

Zëvendësministri i Energjitikës, Sokol Dervishaj ka sqaruar në një intervistë për Top Channel detajet e proçesit të privatizimit të “Albpetrol” dhe ofertën e konsorciumit “Vetro Energy”.

TCH: Zoti Dervishaj, përpos faktit se u arrit që “Albpetrol” të shitet për një shumë të kënaqshme që pakkush e priste, kritikët e proçesit fokusohen tek shitja përjetësisht e të gjitha të drejtave të shfrytëzimit kompanisë fituese. Pse u veprua kështu?

Dervishaj: “Albpetrol” ende nuk është shitur apo privatizuar. Ka afat deri në nëntor për rinegocimin e kontratës. Pastaj ajo do të miratohet nga qeveria dhe do të ketë një sqarim ligjor. Ne jemi ende pa fitues.

TCH: A ka hapësira për ndryshimin në të ardhmen të termave të kontratës, pra që të kufizohet në kohë e drejta e shfrytëzimit të nëntokës së vendit?

Dervishaj: Së pari, nuk janë dhënë të gjitha të drejtat pasi 95 për qind e tyre janë konçesionuar për kompani të tjera që operojnë në këtë treg. Ajo që i ka mbetur “Albpetrol” është vetëm një posedim prej 5 për qind. Nuk ka shitje të të drejtave, ato janë të përcaktuara me ligj se si funksionojnë dhe në bazë të marrëveshjeve të kontratës. Ky quhet transferim i të drejtave tek pronari i ri. Të drejtat e nëntokës janë të drejta të patjetërsueshme të shtetit shqiptar, që shteti i operon në emër të popullit. Besoj se këto janë bërë të qarta më parë. Nuk ka privatizim të nëntokës, por të “Albpetrolit”.

TCH: Një nga kushtet për konkurrentët ishte depozitimi i garancisë në një nga 50 bankat më të njohura të botës. Përse nuk u respektua ky kriter dhe a përbën kjo një shkelje në tender?

Dervishaj: Në momentin që është dorëzuar dokumentacioni në fjalë nuk ka qenë një kriter. Por Ministria e Ekonomisë u ka bërë thirrje kompanive që të depozitonin garancitë. Duke qenë se disa e kanë kryer depozitimin, besueshmëria është më e madhe. Në momentin e shpalljes së fituesit do bëhet depozitimi në një prej bankave kryesore dhe ju do të jeni në gjendje për ta verifikuar.

TCH: A keni të dhëna të mjaftueshme për seriozitetin e kësaj kompanie, pasi ajo nuk rezulton të ketë ndonjë aktivitet të rëndësishëm në fushën e hidrokarbureve?

Dervishaj: Kjo nuk është një kompani, por një konsorcium, një përbërje prej shumë kompanish që në përbërjen e tyre kanë kapacitetet e nevojshme profesionale për të operuar në Shqipëri. Bëhet fjalë për 5 për qind të “Albpetrol”-it të dikurshëm. Kjo nuk përbën shkak për paragjykime.

TCH: A mund të themi se “Albpetrol” iu shit investitorëve amerikanë?

Dervishaj: “Albpetrol” ka dalë në ankand ku janë ftuar investitorë nga e gjithë bota. Gara nuk është mes fuqive globale, por mes kompanive që bëjnë ofertën më të mirë. Kompania e renditur në vend të parë dhe ajo në vend të tretë ofrojnë kredibilitet.

Prifti: I kënaqur për proçesin

Dritan Prifti në një koment të tij është shprehur se si ish-ministri i Ekonomisë që zgjodhi konsulentin amerikan të privatizimit dhe filloi proçesin, ndjen kënaqësi për çmimin e lartë dhe të paparashikuar që është ofruar për “Albpetrol”.

Por, përveç vlerës së lartë, Prifti shprehet se proçesi duhet të zgjidhë një problem deri në përfundim, atë të mbi 3.000 punonjësve që do dalin pa punë, duke u ofruar atyre mbrojtje dhe shpërblim.

“Me këtë rast duhet zgjidhur përfundimisht dhe statusi i naftëtarit, sepse janë sakrificat e brezave të naftëtarëve që krijuan këtë vlerë për kompaninë”, shprehet Prifti. 

Top Channel