Lezhë, shkishërohet autori i vrasjes së trefishtë

27/09/2012 00:00

Kastriot Zhuba, autori i dyshuar i vrasjes së një familje të tërë në
fshatin Blinisht të Lezhës është personi i parë që u prek nga dekreti i
Kishës Katolike për shkishërimin e vrasësve.

Gjatë ceremonisë mortore e tyre në Kishë kanë qenë të pranishëm si rrallë herë gjashtë priftërinj, të cilët kanë lexuar pjesë nga Bibla, ku flitet për ata që vrasin. Ata po ashtu kanë lexuar dekretin e shkishërimit, të miratuar para pak ditësh. Ndërkohë policia ka vazhduar kontrollet e saj për kapjen e Zhubës, për të cilin ka vënë edhe një shpërblim prej 1 milion lekësh të reja.

Policia ka zbardhur skenën e vrasjes së trefishtë në fshatin Blinisht në Lezhë. Autori Kastriot Zhuba ka goditur fillimisht me automjet Fajton Shtjefnin. Familja e 24-vjeçarit, ka shkuar në banesën e Zhubës, për të sqaruar konfliktin. Rrok dhe Mira Shtjefni kanë qëndruar para banesës, ndërsa mësohet se Rroku kishte një pistoletë me vete.

Pa u dhënë asnjë shpjegim Kastrioti ka dalë nga dera dytësore e banesës me një armë tip kallashnikov. Fillimisht ka qëlluar Fatjonin dhe më pas ka derdhur një breshëri plumbash mbi çiftin e bashkëshortëve. Si pasojë, kanë mbetur të vdekur në vend tre pjesëtarët e familjes Shtjefni, ndërsa autori, ka vrapuar për të vrarë një tjetër person, me të cilin ishte konfliktuar orë më parë. Fatmirësisht, nga shkëmbimi i zjarrit, nuk pati viktima të tjera, ndërsa Kastrioti është larguar nga fshati, pas masakrës. Sipas drejtorit të policisë së Lezhës, Muharrem Furriku “janë vënë në dispozicion 1 milion lekë të reja për çdo person që jep informacion për vendndodhjen e autorit të vrasjes së trefishtë të ndodhur në Blinisht”.

Top Channel