“Homazhe” për drejtësinë

27/09/2012 00:10

Raporti i fundit i OSBE-së, theksonte se korrupsioni rrallë ndiqet penalisht apo ndëshkohet, duke bërë që zyrtarë të lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzojnë imunitet para ligjit. Për të reaguar ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësië, alternative civile, dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, nën frymën e levizjes “Act now”, ftuan qytetarët në protestën e parë ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur mbi supe flamurin kombëtar.

Drejtuesi i Alternativës Civile, e cilësoi drejtësinë e korruptuar përgjegjëse për situatën e krimit dhe mozbatimit të ligjit në vend.

“Shkatërrimi i drejtësië ka vrarë frikën e njerëzve ndaj ligjit dhe shtetit. Sot ne nuk kemi frikë të shkelim rregullat kur ecim, nuk kemi frikë të vjedhim dhe as të vrasim për një fjalë goje dhe për një gërvishtje makine. Sot kushdo që ka pushtet e abuzon dhe shpërdoron atë pa u trembur, sepse të gjithë mendojë se duke paguar do t’i shmangen ndëshkimit të ligjit dhe kjo gjë ka ndodhur deri tani. Degardimi i drejtësië ka vrarë shpresën e njerëzve se edhe ky vend mund të jetë si gjithë vendet e tjera ku sundon rregulli, ligji dhe drejtësia e barabartë”, theksoi Mentor Kikia.     

Mentor Kikia u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë padrejtësive që u bëhen, por të denoncojnë dhe reagojnë publikisht.

“Këtu mund të ishin dhe duhet të ishin shumë më tepër njerëz, por ka shumë nga ata që mendojnë cfarë do të zgjidhim me një protestë. Unë dua t’i pyes ata cfarë duhet të bëjmë ne kur shikojmë se drejtësia jonë ka degraduar? Cfarë duhet të bëjmë ne se ata që duhet të vendosin ligjin dhe rendin tonë shndërrohen në banditë? Duhet të heshtim? Duhet të largohemi nga vendi ynë? Unë them jo! Dhe ju që jeni këtu thoni jo! Ndaj ju themi të tërëve të mos heshtin”, deklaroi Mentor Kikia.  

Një banore nga Shkodra kishte mbërritur me një pankartë në dorë ku shkruante emrat e gjykatësve, që sipas saj i kishin mohuar të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë e saj.

Portreti i gruas së vrarë për t’i grabitur varësen, Maries së vrarë për gjakmarrje, shefit të komisarit të Shijakut dhe katër agjentëve të policisë vrarë në Durrës tre vjet më parë, ishin zgjedhur si simbol i këtij tubimi. Ndërsa me qindra qirinj u formua fjala “Drejtësi”.

“Viktimat e krimit nuk kanë nevojë për homazhe, por për drejtësi”, tha në fund Mentor Kikia. Ndërsa drejtësisë sot u duhen bërë homazhet”.

Top Channel