Itali, trafiku i drogës, pranga 5 shqiptarëve

25/09/2012 00:00

Policia italiane ka arrestuar pesë shtetas shqiptar nën akuzën e
trafikut ndërkombëtar të drogës, bëjnë të ditur mediat italiane.

Sipas burimeve, grupi shqiptar importonte heroinë dhe kokainë nga Spanja dhe Holanda, për ta shpërndarë më pas në zona të ndryshme të veriut të vendit fqinj.

Arrestimet janë kryer nga agjentët e seksionit kundër krimit të organizuar të Guardia di Finanza në qytetet Vixhevano dhe Bresso, pranë Milanos.

Zonat ku më pas shpërndahej lënda narkotike, nga grupe të tjera shqiptare, ishin rajonet e Toskanës, Lombardisë, Markes dhe Umbrias.

Më herët gjatë muajit, një shtetas shqiptar u arrestua në qytetin e Grosetos, pasi u kap në zotërim të një sasie prej 90 gramë kokainë.

Policia bëri të ditur se personi në fjalë ishte shtetasi Arbër Shehu, 26 vjeç, i cili jetonte ilegalisht në vendin fqinj dhe ndryshe njihej me emrin Visi.

Gjatë operacionit agjentët e policisë sekuestruan edhe një peshore që shërbente për të matur sasinë e drogës, e cila në treg do të kapte vlerën e 10 mijë eurove.

Ndërsa në fund të gushtit, gjithësej 75 thasë të mëdhenj me 940 kilogramë marijuhanë u zbuluan nga karabinierët e skuadrës investigative të Romës në parkingun e një banese.

Dy persona u arrestuan, njëri prej të cilëve ishte shtetas shqiptar, 23 vjeç dhe pa preçedentë penalë. Ndaj tij autoritetet ngritën akuzën e mbajtjes së paligjshme të lëndëve narkotike dhe e dërguan në burgun Regina Coeli të kryeqytetit.

Top Channel