Vokalisti i grupit Green Day, Billie Joe Armstrong, ka hyrë në një klinikë rehabilitimi për shkak të abuzimit me substanca të ndaluara.
Lajmi vjen dy ditë pasi këngëtari 40-vjeçar doli jashtë kontrollit kur gjatë një festivali në Las Vegas grupit iu shkurtua me 20 minuta koha në dispozicion për t’i lënë vend këngëtarit Usher. Billie Joe nisi të shante dhe të bënte gjeste ofenduese para se të thyente kitarën e tij duke mos harruar të tallej edhe me Justin Bieber.
Kur në ekranin e madh u shfaq se kishte edhe një minutë kohë, këngëtari ndaloi këngën në mes dhe tha: “Një minutë??? Jam në qarkullim që nga vitet ’80 dhe ju më lini në dispozicion vetëm një minutë të qelbur??? Nuk jam Justin Bieber o ndyrësira!”
Një zëdhënës i grupit tha për ‘TMZ’: “Green Day i kërkojnë falje të gjithë atyre që u ofenduan gjatë festivalit iHeartRadio në Las Vegas.”
Green Day janë të njohur me këngë si ‘Wake Me Up When September Ends’, ‘American Idiot’, ‘21 Guns’, ‘Boulevard of Broken Dreams’ etj.
Top Channel