Dita pa makina, Sequi: Të mbrojmë mjedisin

22/09/2012 00:00

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e
njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat
emetojnë lënë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të
kontribuar në mbrojtje të mjedisit.

Në këtë kuadër, në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit janë organizuar aktivitete me nxënës të shkollave, të cilët kanë marrë pjesë në gara të ndryshme me biçikleta. Aktiviteti sensibilizues dhe argëtues në Tiranë është organizuar nga Ambasada e BE dhe Ministria e Mjedisit, ku ka qenë i pranishëm edhe kreu i diplomacisë së BE në Tiranë, Ettore Sequi. Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, Sequi vlerësoi rëndësinë e kësaj dite për të kontribuuar sa të mundemi në mbrojtjen mjedisit, gjë që sipas tij tregon qytetari dhe kulturë.

“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme. Pjesëmarrja e njerëzve duke lëvizur në qytet në mënyrë më racionale është me rëndësi, të gjejnë mënyra të ndryshme të lëvizjes, të shmangin trafikun dhe ndotjen në mënyrë që të kemi cilësi më të mirë ajri për fëmijët tanë. Ajo është në të mirën e çdo qytetari, kryesisht fëmijëve dhe të rinjve. Le të jemi europianë”, tha Sequi.

Ndërkohë, në kuadër të kësaj dite, Bashkia e Tiranës është angazhuar në bllokimin e lëvizje së makinave në disa rrugë kryesore si sheshi ‘Nënë Tereza’, bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, rruga ‘Faik Konica’, të cilat do të kenë kufizime të lëvizjes së automjeteve për t’ia lënë vendin biçikletave dhe aktiviteteve kulturore të organizuar me këtë rast.

Top Channel