Rruga nacionale Memaliaj – Tepelenë, një segment prej 6,5 km është kthyer aktualisht në fragmentin më të shkaterruar të aksit nacional Levan –Tepelenë.

Punimet që pritej të përfundonin në korrik të vitit 2010 nuk janë ende as në fazën e trashesë dhe rruga është në gjendje disa herë më të keqe se përpara fillimit të punimeve. Firma austriake “Alpine Mayreder” pritej të ndërtonte aksin Levan-Teplenë me vlerë rreth 70 milionë euro financim i BEI (Banka Europiane e Investimeve) dhe BERZH-it (Banka Europiane per Rindërtim dhe Zhvillim), sipas standardeve bashkëkohore dhe në një kohë të shkurtër, por punimet u ndërprenë për mungesë fondesh rreth 1 vit më parë.

Qyteza e Memaliajt e vendosur buzë rrugës nacionale duket se po i vuan përditë pasojat e këtij aksi të shkatërruar. Kreu i Bashkisë së Memaliajt Lulëzim Meçe thotë se nuk kanë asnjë njoftim se cfarë do të ndodhë në vijimësi.

“Është shqetësim, është një paralizë e përgjithshme e cila krijon goxha atmosferë negative në jetën e qytetarëve dhe banorëve të qytetit tonë”, thotë kreu i Bashkisë së Memaliajt, Lulëzim Meçe.

Ky aks pershkohet cdo dite nga rreth 3500 mjete. Vetë drejtuesit e mjeteve thonë se e përshkojnë distancën prej 6,5 km për 45 min apo më tepër dhe se amortizimi i mjeteve është maksimal sidomos për ata që e kanë të lidhur jetën e tyre të përditshme me qytetin e Tepelenës.

Rruga gjatë stinës me reshje bëhet pothuajse e pakalueshme prej thellimit të gropave dhe rrëkeve të ujërave, ndërsa në verë pluhuri mbulon edhe banesat e vendosura përgjatë këtij aksi.

Rruga Levan-Tepelenë do të përfshinte ndërtimin e rreth 50 urave dhe rreth 48 veprave të vogla të artit. Aktualisht në lotin e dytë të punimeve segmentin Damës-Tepelenë me gjatësi prej 32,5 km  ku bën pjesë edhe aksi Memaliaj– Tepelenë, nuk janë kryer as 30 % e punimeve.

Firma së cilës iu dha me koncension ndërtimi i këtij aksi prej “Alpine Mayreder”,  “Alpine Bau Gmbh” la të papaguar vitin e kaluar qindra punëtorë që po merrnin pjesë në ndërtimin e këtij segmenti rrugor.

Top Channel