Tirana është qyteti të cilit i është kënduar më shumë. Prej kohës së krijimit e deri më sot mbetet burim frymëzimi për autorë e kompozitorë. Nga “Lule të Bukura ka Tirana”, “Në kodër të kuqe tre luanë” e deri tek prurjet e larmishme të ditëve të sotme, të gjitha këto këngë kanë krijuar një fond të pasur kompozimesh për kryeqytetin.
Por lajtmotivi ka evoluar sikurse edhe vetë përmasa dhe përbërja e metropolit të ditëve të sotme.
E madhja e muzikës popullore Fitnete Rexha dikur i ka kënduar Tiranës së lulëzuar me “Lule të bukura ka Tirana”. Është një krijim i kompozitorit Muharrem Gurra, me tekst dhe muzikë të tij.
Në Shqipërinë ideologjike, kanë qenë të shumta këngët me këtë motiv. Siç është “Tre Luanët në Kodër të Kuqe” po e kompozitorit Agim Krajka, “Është stolisur sot Tirana”, një këngë e krijuar nga Tish Daia, me tekst të Aleksandër Banushit, kënduar nga këngëtarja Fitnete Rexha.
Një tjetër përpunim i Agim Krajkës i këndon realitetit të para viteve ’90 “Në Tiranën Tonë Trime” që sillet mjeshtërisht nga Fatma Zyberi.
Janë të panumërta këngët lirike për Tiranën që pandashmërisht i ka mbajtur artistët të lidhur pas saj. Sërish bashkëpunimi Muharrem Gurra – Fitnete Rexha i këndon vendit me “Një Tufë Lule”.
Edhe i mirënjohuri Gaqo Cako i ka kënduar kryeqytetit. Ai ka sjellë “Këngë për Tiranën”.
Festivalet e para viteve ’90 pasuroheshin shpesh me këngë për kryeqytetin. Petrit Lulo ka interpretuar në një prej tyre “Për çdo ditë rritesh Tiranë”, vargje të cilat i thureshin Tiranës që atëherë ndërtohej e pasurohej me blloqe pallatesh të reja dhe lulishte.
Në ditët e sotme që krijimet janë abolutisht të lira, metropolit i këndohet në gjithë formash dhe mënyrash. Tekstet e shkruara me shumë delikatesë për ta cilësuar sa më të bukur Tiranën, tani nuk i kufizon më kush.
Pirro Cako me Elsa Lilën i kanë kënduar një këngë shumë të ndjerë dhe nostalgjike kryeqytetit.
Po ashtu edhe Fitnete Tuda me “Shi Bie në Tiranë” në festivalin e 48-të të këngës në RTSH.
Më pas vijnë edhe krijime jashtë institucionit të këngës. Madje Tiranës sot i këndohet edhe për motive politike siç kanë bërë West Side Family.
Madje ironizohet për prurjet dhe të rejat që kanë ridimensionuar metropolin shqiptar.
Një Tiranë mikse me përzierje krahinash, mendësish dhe traditash kjo e sotmja. Një Tiranë që ka ndryshuar e që premton zhvillime të reja. Kryeqytet që përpos qendrës së vëmendjes publike, intrigon frymëzimin e artistëve.
Top Channel