
Një gjykatë franceze ka bllokuar publikimin e mëtejshëm të fotove të dukeshës së Kembrixhit, Kate Middleton, teksa ishte me pushime.
Vendimi gjyqësor erdhi pasi Kate dhe bashkëshorti i saj, princi William, ndërmorën një aksion ligjor ndaj revistës franceze ‘Closer’ për shitje dhe shpërndarje të fotove.
Botuesi i tyre duhet t’ia kthejë orgjinalet çiftit brenda 24 orësh dhe për më tepër do të përballet me një gjobë prej 10 mijë eurosh për çdo shkelje nëse i publikon sërish ose i shpërndan ato.
Fotografitë u bënë teksa dukesha po bënte banjo dielli në një ambjent privat me bashkëshortin e saj në kështjellën franceze, pronë e nipit të mbretëreshës, Lord Linley, më herët gjatë muajit.
Çifti thotë se publikimi i fotove nga revista është një shkelje e privatësisë së tyre. Vendimi i gjykatës vjen pasi prokurorët deklaruan se po shqyrtonin nëse në këtë çështje kishte vend për akuza penale.
Vendimi për një hetim penal vjen pas një ankese formale të familjes mbretërore tek prokurorët, me synimin e proçedimit penal si ndaj revistës ashtu dhe ndaj fotografit që bëri fotot.
Ditën e hënë, Aurelien Hamelle, avokatja e princit William dhe Kate, deklaroi se pamjet e kapura me objektivin e aparatit ishin intime dhe personale dhe nuk duhet të publikoheshin në faqen e parë të revistës.
Top Channel