Dhëndri e akuzon për dashnore, vjehrri i moshuar tenton ta vrasë

17/09/2012 00:00

Duke dashur që vjehrri i tij i moshuar të mos prishte familjen, pasi
kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore, dhëndri i ka kërkuar që t’i
jepte fund, por si përgjigje ka marrë sacmet e një çifteje.

Një 71-vjeçar është vënë në prangat e policisë në Delvinë, nën akuzën e tentativës së vrasjes. I moshuari Vangjel Braho ka tentuar të vrasë me çifte dhëndrin e tij, Vasil Ilia, 52 vjeç, pas një konflikti në banesën e autorit. Mësohet se 71-vjeçari ka qëlluar disa herë me çifte ndaj dhëndrit të tij, por atij i është shkaktuar vetëm një plagë e lehtë në qafë.

Ngjarja është regjistruar në fshatin Bamatat të Delvinës, ku 52-vjeçari kishte kapur vjehrrin e tij, në banesë me një grua në marrëdhënie intime. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur dy net më parë, kur është marrë një telefonatë se një plagosje me çifte ka ndodhur në fshatin Badamat të Delvinës.

Forcat policore janë nisur drejt vendngjarjes dhe pasi kanë kontaktuar me familjarët, menjëherë kanë shpallur në kërkim autorin e dyshuar, i cili ishte larguar nga shtëpia. Forcat policore kanë kontrolluar banesat e të afërmve të 71-vjeçarit dhe pas dy orësh kërkime kanë mundur ta gjejnë në kodrat përmbi fshatin Bamatat, së bashku me armën e gjahut, e cila është edhe arma e krimit. Po sipas burimeve policore të Sarandës, mësohet se 71-vjeçari Vangjel Braho ka pasur një lidhje intime me një banore po të fshatit Bamatat dhe për këtë lidhje kishte dyshuar dhëndri i tij, me të cilin kishte pasur disa herë debat. Këto fjalë nuk i kanë pëlqyer 71-vjeçarit Braho, kështu që mes tyre ka plasur sherri. Në këto kushte, i moshuari ka marrë çiften dhe në ambientet e shtëpisë së tij ka shtënë në drejtim të dhëndrit. Por, 52-vjeçari ka shpëtuar me një plagë të lehtë.

Top Channel