Rruga Plepa-Rrogozhinë nisi të dnërtohet në vitin 2009 dhe parashikohej të zgjaste nëntë muaj, por sot, pas tre vitesh, ndërtimi ende nuk ka përfunduar.

Zvarritja ka marrë jetë njerëzish, më e fundit ajo e një nëne 28-vjeçare dhe foshnjes së saj 4-muajshe. Gruaja e re tentoi të kalonte në këtë aks ku nuk ka mbikalime për këmbësorët dhe humbi jetën duke lënë edhe tre fëmijë jetim.

Asnjë masë nuk është marrë edhe pas këtij aksidenti ku mjetet lëvizin me shpejtësinë e lejuar dhe ku nuk ka trafik-ndarës dhe sinjalistikë.

Ata që vuajnë më shumë janë këmbësorët, por edhe drejtuesit e mjeteve.

Një këmbësor shprehet: “Makinat janë në rrugën e vet dhe do ecin me shpejtësinë e lejuar. Këmbësorët duhet të ruhen sepse nuk duhet të kalojnë këtu, por nga halli…”

Askush nuk po punon për të përfunduar ndërtimin e këtij aksi shumë të ngarkuar dhe që kalon në një zonë ku po shtohen edhe banorët.

“Ka 4-5 muaj që nuk punohet më”, shprehet një banor i zonës.

Ndërtimi i rrugës hasi edhe në kundërshtimin e komunës së Golemit pasi sjell izolimin e Golemit të Sipërm dhe nuk parashikon mbikalime dhe nënkalime të përfshira në masterplanin urbanistik të zonës duke bllokuar hyrje-daljet në këtë komunë.

Top Channel