Riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një nga çështjet që mbajti pezull deri dy muaj më parë konsensusin mes socialistëve dhe demokratëve.

Ky nen u pa me lupë nga të dyja palët derisa ata erdhën në një variant konsensual që çoi në miratimin e të gjitha ndryshimeve të tjera të Kodit dhe më pas në dekretimin e Kodit të ri Zgjedhor nga Presidenti i Republikes, Bujar Nishani, më 16 gusht.

Sipas Kodit konsensual, kjo është data nga nis dhe llogaritja e afateve për zgjedhjen e 6 anëtarëve të rinj të Kmisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas të kryetarit të ri. Sipas ligjit elektoral, partitë parlamentare duhet ta kishin përmbyllur këtë proces deri në 15 shtator, pasi neni përkatës i Kodit përcakton se “Kuvendi, 30 ditë nga data e shpalljes së këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së”.

Ajo që ka ndodhur nuk është as më shumë e as më pak, por shkelje e afateve ligjore me mirëkuptimin e kryetarëve të grupeve parlamentare, të cilët kanë rënë dakord ta shtyjnë dhe për pak ditë kohën kur partitë të çojnë në parlament emrat për 6 anëtarët e KQZ-së. Nga zgjedhja e tyre varet më pas zgjedhja e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që sipas Kodit ka një procedurë të veçantë dhe “zgjidhet jo më vonë se 10 ditë nga përfundimi i procedurës për zgjedhjen e anëtarëve”.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se për kryetar të KQZ-së kanë aplikuar pranë Kuvendit disa persona, por burime të tjera konfirmojnë se asnjëri prej tyre nuk ka mbështetjen e partive politike. Që do të thotë se do të duhen edhe disa ditë të tjera që partitë kryesore të nxjerrin nga poshtë mëngës asin me të cilin do të luajnë për të fituar Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Top Channel