Lavdërimi i fisit dhe triumfi i “fisnorëve”

11/09/2012 00:00

NDUE DEDAJ –  “Prapa do të na vijë historia”, është një postulat i
udhëheqësve shqiptarë prej një shekulli. Edhe nëse nuk e ka shqiptuar me
gojën e tij, Ismail Qemali, rapsodët kështu ia kanë thënë. Mbreti Zog e
mori republikën dhe e bërë monarki, duke u vetëshpallur Mbret, pa
dashur t’ia dijë nëse ky ndërrim i formës së shtetit ishte dhe vullneti i
popullit.

Pasuesi i tij, Hoxha, kishte krijuar kultin e vet të pashembullt, kinse duke luftuar “kultin e individit”. Ai fliste për bukën e mineralet, pataten e jonxhën, internacionalizmin proletar dhe historinë, shpallte heronj të fshatarësisë dhe heretikë të regjimit. “Lideri historik i të majtës” thuhet për Fatos Nanon, e po kështu për Berishën “lider historik i së djathtës”. Bile për doktorin këndohet dhe ndonjë këngë me çifteli. Një më i ri se këta gjatë një fushate marshonte me sloganin “Unë do ta fitoj këtë garë”. Unë! E sa e sa mburrje të tjera-historike! Të krijohet përshtypja se është një racë në këtë planet që i bën të gjitha, mbase duke qenë, më së shumti, amatorë në shumëçka. Tipike për ushtrimin e vetëmburrjes janë tribunat për liderët dhe kafenetë plot thashetheme për popullatën e fortdëshiruar për muhabete të rënda politike. Ismail Kadare, në një nga fletët e ditarit të tij të Rambujesë, 19 mars 1999, shkruan: “Është e habitshme xanxa e shqiptarëve për të futur hundët në çdo gjë, për të ngatërruar, për të kundërshtuar, për të shitur mend, për të qenë në qendër të vëmendjes. I shoh se si hyjnë në polemikë me delegatët, me ambasadorin shqiptar, me ministrin e Jashtëm, me këdo që iu del përpara. Japin mendime për atë që ka ndodhur, për atë që do të ndodhë, për atë që s’duhet të ndodhë, e kështu me radhë. Japin gjykime për platformën shqiptare, për zgjidhjen rajonale, për strategjinë globale. Kërkoj të marr vesh se ç’punë bëjnë ata më të zellshmit: një pjesë janë pa punë, disa janë shoferë djathi, të tjerë lyerës apartamentesh, pastrues në metro, përgjues hajdutësh në shitoret e mëdha. Natyrisht që s’kanë asnjë faj që janë të tillë… po kur i dëgjon si përzihen me duf në bisedë, si kundërshtojnë për çdo gjë e japin mendime për gjithçka, ata që nuk dinë asgjë, s’ka si të mos nervozohesh e të thuash: llafazanë të pandreqshëm, mbylleni atë gojë të prapë!” (H.K., “Kohë e pamjaftueshme”, 578.) Gojëmbylljen, bashkëkombësve të tij, atyre që s’kishin asgjë për të thënë, ua kërkonte dhe Konica. Me gjasë hierarkia e salloneve mondane nisi të shthurej me regjimin komunist, ku proletariati, siç kishte qenë i pushkës e revolucionit, tashmë ishte dhe i “gojës”, për të bërë zap borgjezinë. Në këtë kohë nuk kishte më rend normal të gjërave, por një rend të përmbysur, ku në fuqi ishte vegjëlia. Tipike ishin mbledhjet e Frontit Demokratik ku demaskoheshin borgjezët, kulakët, pa shkuar te gjyqet e popullit, ku gjykatësit me dyfek, pa një grimë shkollë, jepnin dënime për elitat e kombit, intelektualët e shkolluar në Perëndim. Pas njëqind vjetësh shoqëri moderne, ia vlen të mos zemërohemi nga qortimet dhe të bezdisemi nga (auto)lëvdatat.

 

Tituj nderi për njerëzit e farefisit

Është kthyer në modë kërkimi i titujve të nderit për miq e shokë dhe sajdisja e institucioneve arsimore, kulturore me emra të afërmish të pushtetarëve, këshilltarëve etj. Një person kërkoi për vite e vite që emri i të atit t’i vihej shkollës së mesme në qendër të komunës, dhe pse ai nuk kishte pasur ndonjë lidhje me shkollën dhe nuk përbënte ndonjë figurë publike në atë zonë. Një tjetër u përgjërua para këshilltarëve bashkiakë për muaj të tërë, që emri i një paraardhësi të familjes së tij t’i vihej një institucioni shëndetësor. Një i tretë arriti që emrin e të atit t’ia vinte një enti të rëndësishëm kulturor, shkruar me germa kapitale, shumë herë më të mëdha se ato me të cilat ishte shkruar emri i Heroit Kombëtar. Të gjithë, përveç atyre që e kanë votuar këtë gjë, nënqeshin me fakte të tilla më të vërtetë komike për një shoqëri si e sotmja. Aty nga vitet ’70 të gjitha shkollat e rretheve u emërtuan me emra dëshmorësh e heronjsh, por ishin aq shumë shkolla sa nuk po dilnin emrat e të rënëve, ndaj nisën të viheshin dhe emra krejtësisht të padëgjuar, që nuk i ngjiten as shkollës, as mjedisit social, as publikut. Si dukej dhe atëherë ishte bërë vonë për farsa të tilla dekoruese, ashtu si dhe për vëllimet me jetëshkrime heronjsh të heshtur. Njëqindvjetori i Pavarësisë duhej të ishte nderim për më të shquarit e kombit dhe jo për çdo shqiptar, o me një titull, o me një medalje, o me një fletë nderi. E po, si do t’i mburrësh “fisit” tjetër, nëse nuk ke dekorata në gjoks! Në psikikën tonë, atë tjetrin përballë, ne kaherë e kemi parë poshtë vetes, doemos “fitimtar” mbi të; me fjalë pas fjale, me dhunë, me grada, me dekorata. Një grua e thjeshtë donte t’ia bënte të gjitha nderet ish-bashkëshortit të vdekur peshkatar, në njëvjetorin e tij, edhe varrin e mermertë, edhe ceremoninë me drekë, edhe një titull nderi nga komuna, edhe një libër nga një kalemxhi i porositur. Por ata që e kishin njohur, kishin thënë se ai njeri i mirë asgjë nga këto nuk do të kishte dashur, pos detit që kishte qenë “hambari” dhe ëndrra e tij. Ja deri ku shkon puna, që dhe nderimi për vdekjen të teprohet e deformohet. E kjo nuk ndodh vetëm në nivele “popullore” poshtë, por dhe në ato të epërme, qeveritare, presidenciale, ku ndonjë emër i shuar para kohe lartohet vit pas viti nga miqtë e shokët, por dhe nga zyrat e larta të shtetit. Nuk është e denjë të sillemi kështu me vdekjen, për dikë me lavdërim e për dikë me harrim. Edhe vajtimoret e maleve tona veç një ditë e lëshonin gojën, duke ia rreshtuar meritat si “gjyqtar” e “kuvendtar” atij që ikte. Por as e vajtonin e as e këndonin përditë e për vit.

 

Pseudolibra biografikë për gjithkënd e nga gjithkush

Psikologjia e fisit e do që kodra e fisit tënd të jetë dukshëm mbi të tjerët. Pastaj vjen kulla e familjes tënde, e cila po ashtu është më e virtytshme se ato përreth. Në dash për mend. Në dash për mikpritje. Në dash për trimëri. “I ka hyrë vetja në qejf” thuhej dikur për dikë që mburrej rend e pa rend. Ajo që më vonë në ligjërimin estradesk hyri si “A doni më për Belulin”? Nuk do t’i ishim kthyer sërish kësaj teme, nëse nuk do të ishte shtuar turra e monografive për familjen, fisin etj. Tani personazhe të krahinës nuk janë më heronjtë, dëshmorët, martirët, por babai, xhaxhai, daja, secili i përshkruar me tipare “heroi”. Secili nga pak disident. E kjo duhet kërkuar te mendësia jonë provinciale. Helena Kadare shkruan se “te ne ka qenë dhe vazhdon të jetë në modë lavdërimi i familjes, fisit e sidomos i vetes.” Sapo ke marrë në dorë librin “Anton Çetta”, botuar kohët e fundit nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me materiale të një sesioni shkencor, ndërkohë që shpërndahen njoftime për promovimin e një biçim libri kushtuar një ish-nëpunësi të vjetër, ku ky sojliu do të ishte në “presidium” së bashku me autorin e librit (!) Puna është se jo vetëm këta të dy i ka kapur marria për të mbetur në histori, njëri si protagonist e tjetri si autor, por dhe ata që venë në farsën e tyre, ata që botojnë dokrra të tilla etj. Këta janë libra rrugësh, miqsh dhe kurrë bibliotekash. Libra “suvenirë” që lezetojnë biografinë e personit për do kohë. Më saktë, nuk mund të quhen libra, por ca fletë të sheqerosura. Libra për njerëz që nuk rrojnë dhe për të gjallë. Për gjyshin patriot e gjyshen heroinë. Për dajën partizan e xhajën ballist. Libra dhe për individë që dergjen në burgje të huaja duke bërë “heroizma” arratisëse etj. Njëlloj si rapsodët e këqij të katundeve dikur, pasi ata të mirët dinin ç’bënin. Pra, more miq, ka ardhur një kohë e paparë, sa ti i moshuari, cilido qofsh, pension mund të mos kesh, por libër po!? Pa libër nuk ka mbetur as drejtori, as kryepunëtori. As veterani, as i persekutuari. As fisi këndej zallit, as tjetri përtej lakut. Tashmë libri, në duar grafomanësh, është një gjë e dalë boje në këtë vend. Nuk ke diçka tjetër për të bërë, hajde të shkruash një libër… për heroizmat e fisit. Por lavdi kësisoj nuk ka. Lavdia as dhurohet, as blihet, çka normalisht duhet të merret me mend. Gjithsesi, ruhuni nga dekoratat dhe librushkat e miqve e kushërinjve!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA