Withers sot, Arvizu nesër

09/09/2012 00:00

Artan Mullaj – Intervistë e re me Ambasadorin Withers në “Top Story”-n e Sokol Ballës!

I qeshur dhe i shëndetshëm, njeri modest dhe i qetë, si pjesëtar i një urdhri të shenjtë. Edhe pse në pension, energjia pozitive i regëtinte fytyrës, si shpërthim i një vullneti të mirë, por të ashpër. Kur ishte ende ambasador, kjo ashpërsi përdorej për të ruajtur ekuilibrin e duhur midis personit Withers dhe zyrtarit amerikan Withers. Sot, ajo ndihmon për të ruajtur një ekuilibër të nevojshëm midis së shkuarës së tij dhe së tashmes… (Rruajtjes së një ekuilibri, veç të tjerave, i patën shërbyer atëherë edhe përrallat me kafshë dhe simbole që rrëfente në daljet publike, për t’u krijuar hapësira meditimi shtetasve shqiptarë, simbolika dhe mundësi reflektimi politikanëve shqiptarë. Kjo simbolikë, si aurorë, e shoqëroi atë sa kohë ishte ambasador në Tiranë). Por, tani, në pension, i zhveshur nga detyra dhe përgjegjësitë protokollare, nuk është më e nevojshme të krijojë simbole me fabula me nënkuptime, ashtu si nuk është e nevojshme të mbajë ende kollare. Në një farë mënyre, detyra shndërrohet në një kurth të identitetit të njeriut. Shpesh, për hir të detyrës, nuk është detyrimisht vetja e tij, e ca më pak, nuk është ajo plazma qelizore, ai imazh, ajo ikonë, për të cilën lufton gjithë jetën të jetë…

Edhe në intervistën e fundit, dhënë Sokol Ballës, Withers foli përsëri qartë nga shtëpia e tij, për realitetin tonë. Epo e dimë. Kryeministri është një autokrat i babëzitur, që synon të tejsundojë duke rrëmbyer të gjitha pushtetet. E dimë se Basha e rrëmbeu me thonj Bashkinë. Se 21 Janari ishte një tragjedi. Kjo është Shqipëria reale. E ashpër! Zhgënjyese! E varfër! Dhe mbi të gjitha, pa shpresë ardhmërie. Ç’të bëjmë? E reja në intervistën e tij është qartësia e skajshme. Për Withers-in, me sa duket, nuk ka një politikan tranzicioni që të spikasë si diamant mes rrëmujës. E ka thënë përsëri troç dhe për këtë duhet t’i jemi mirënjohës të gjithë. Nuk ka dhe ndoshta nuk do të ketë.

Çfarë nuk tha, por la të kuptohej pensionisti amerikan Withers? Kur nuk i shërbejnë më njeriut, demokracitë si kjo jona, nëse mund të quhen ende demokraci, i shërbejnë anarkisë së zhvillimit. Harbutërisë! Kaosit! Kur përdoret prej pushtetit për të sunduar, demokracia nuk është më e tillë. Nuk është më qëllim, është mjet. Kur demokracia nuk është qëllim, kambanat e anarkisë gjëmojnë pranë. Në anarki, në kaos, sundohet më lehtë, shoqëria është e zbërthyer. Qëllimi i liderëve tanë, mos është pikërisht kjo gjë, vrasja e arsyes? Mos është qëllimi i tyre anarkia, rendi i rrëmujës, pavetëdija?

Për Withers-in, përgjegjës janë liderët. Prandaj, mendon ai, nevojiten ngutshëm të tjerë, të lirë, të moralshëm, të pastër. Liderë politikanë që ta ndiejnë shpirtërisht sensin e ndershëm të gjërave. Nuk ka qenë e vështirë për diplomatin e çmuar të nuhasë që politikanët aktualë, nuk kanë kulturën e nevojshme, as vullnetin e duhur politik për ta udhëhequr vendin drejt një demokracie të shëndetshme. Këtë thotë i këndshmi Withers. Në tërësi politikanët duhet të ndryshojnë mentalitetin e tyre. Vetëm ky ndryshim do të mund të përmirësojë mentalitetin e shtresave të rralluara popullore. Dëshpërimi i Withers-it vjen për shkak se ky ndryshim ngjan mjaft i vështirë. Ky dëshpërim prej miku është i dukshëm. Nuk mund të ndryshojnë ata që e ndryshuan për keq këtë vend. Nuk mund të krijojnë vlera ata që shkatërruan vlera. Në rastin më të mirë, mbetet të largohen dhe të zëvendësohen me të rinj. Por edhe kjo është e vështirë. Për të mos thënë e pamundur. Të paktën tani për tani.

Withers ka folur hapur, drejt, qartë edhe vonuar edhe në këtë intervistë të radhës, aq sa natyrshëm mund të krijojë adhurim, keqardhje për disa, edhe zhgënjim për disa të tjerë. Është e pafajshme dhe jo e pafalshme që dikush të mendojë se zoti Withers ka ngatërruar radhën e gjërave, orientimin. Kur ishte ambasador, a duhej në vend të përrallave, t’i tregonte publikut shqiptar hapur atë që deklaron përsëritur sot në intervistë? T’ju thoshte shqiptarëve se qeveria e Tiranës është një bandë të korruptuarish, që synim të vetëm kanë jo thjesht pushtetin, por shtetin dhe pas tij, pushtetin me çdo kusht. Por a mund t’i thoshte?
 
Përfytyrimi i ardhshëm edhe për ambasadorin aktual Arvizu na vjen i tillë, i pashmangshëm. Pas disa vitesh, në çlodhtoren e tij të pensionit, njëlloj si Withers-i sot, mbase ai do të meditojë pranë një oxhaku me dru lisi në qetësi, duke pirë çaj. Në Misisipi, në Ilinois, në Miçigan, ose kushedi ku. Flakët e oxhakut do t’i regëtijnë fytyrën e menduar në errësirë, si për t’i gjallëruar kujtimet. Do të kemi atëherë një libër prej tij, me kujtime të forta nga vendi i njeriut që quhet Berishë? A do ketë mes paqes së tij diçka që do mund t’i shkaktonte vrasje të ardhme ndërgjegjeje Ambasadorit Arvizu, kur të përballet me vuajtjet e ardhshme të kujtesës? Mbase, si një lëndim i njëtrajtshëm në kohë, i lehtë, por këmbëngulës, meraku i tij do të jetë paqartësia ndëshkuese në rolin e tij ndaj ngjarjeve në Tiranë. Pavarësisht ngjyrimeve, pati qenë një rol i epët diplomatik, natyrisht. Dhe pavarësisht ngjyrimeve, ambasadori mbase do të kujtojë se si frazat mbështetëse “burrë shteti” për Kryeministrin Berisha dhe “një yll në ngjitje” për Kryebashkiakun e ri të Tiranës, krijuan në Shqipëri një pështjellim, të hidhur si ilaçet e zemrës.

Paqartësia, nganjëherë, është lënda e diplomacisë, ashtu si mjet i saj është dinakëria. Duke mos e kuptuar, njerëzit mendojnë se thellë veprimeve apo vendimeve të diplomacisë, gjithmonë ka hije dhe skenime që s’dihen. Vetëdija kolektive se në çdo rast, sjellja e diplomatëve ka doemos një kuptim, një shpjegim, edhe pse në mister, tregon se diplomacia ka ligjet e veta, kurthet e veta, që nuk është e thënë të përkojnë në çdo rast me logjikën civile, e ca më pak me moralin. Prandaj, edhe pse shkaktoi habi dhe zhgënjim, së paku për një pjesë të shqiptarëve, Arvizu, në të ardhmen, në pension, duket se do ta ketë të lehtë, ashtu si Withers-i sot, të bëjë paqe me realitetin e shkuar. Do ta ketë në xhep arsyen, shpjegimin, justifikimin.

Intervista e fundit e Withers-it nuk mund të mos na rigjallërojë fort vëmendjen. Si do të shprehej Arvizu-ja për Berishën, për vrasjet më 21 Janar, për gjyqin e Metës, për zgjedhjet e Bashkisë dhe për “yllin” e Bashkisë, kur të lirohej nga zgjedha e etikës diplomatike? A do ta ndiente së brendshmi, njëlloj si Withers-i, atë shtysën instiktive të moralit, që nxjerr në dritë ndryshimin nervoz midis njeriut dhe profesionit? A do të mendonte, do të shkruante e do të fliste pak a shumë si ai? Apo do të kishte këndvështrime të tjera? Duke qenë jo rastësisht ambasador i SHBA-ve, rastësia nuk mund të ketë kontrolluar përshtypjet e tij për Shqipërinë dhe politikanët e saj. Ashtu si nuk mund të jetë rastësi qetësia dhe rastësia me të cilën të huajt po ndjekin sundimin e qartë të Berishës dhe mizerjen në Shqipëri. Mbase që tani, optimistët shpirtthjeshtë, po përfytyrojnë gëzueshëm se ndryshimi i përfolur midis Withers-it dhe Arvizu-së, realisht nuk ekziston. I vetmi ndryshim ndoshta është maska e nevojshme diplomatike, që Arvizu është i detyruar të ketë, por që Withers realisht nuk e ka.

Kur Arvizu të largohet, kureshtarët patjetër do uronin të joshen shumëfish nga personi që ndoshta, për të mos dalë nga shinat e detyrës, shtrëngoi vidhat e tundimit, për të mos folur hapur. I shtrëngoi kaq shumë, sa e privoi veten e tij edhe nga rrëfimi i përrallave plot me mesazhe dhe nënkuptime. Dhe të tjerët, pesimistët dhe indiferentët, në barrikadat e vjetra të perceptimit, patjetër do të mbeten në pritje të jenë pranë një çasti lehtësimi, që s’mund t’ua japë veçse një intervistë e qartë e amerikanit Arvizu në pension, apo një libër i tij me të vërteta dhe me kujtime.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel