Shkollat dynden nga fëmijët e emigrantëve

05/09/2012 18:15

Më shumë se 300 nxënës të rinj të mbërritur nga emigracioni pritet t’i shtohen këtë vit shkollave shqiptare në Gjirokastër.

Prej këtij numri, më shumë se gjysma pritet t’i drejtohen shkollës së gjuhëve të huaja me drejtim gjuhën greke për shkak të pamundësisë për të nisur shkollimin në shqip.

Shkolla e ngritur për edukimin në gjuhën amëtare të fëmijëve të minoritetetit grek ka shërbyer për vite me rradhë edhe për fëmijët e emigrantëve të shqiptarë të rikthyer në atdhe, fëmijët e të cilëve nuk kanë pasur pothuajse asnjë njohuri të shqipes.

Bujar Dudumi, drejtor i shkollës “Pandeli Sotiri”, thotë se këtë vit vihet re një shtim i numrit të nxënësve shqiptar të ardhur nga Greqia. “Duke qenë se kjo është një shkollë e minoritetit, interesi i prindërve të riatdhesua është i madh që t’i sjellin fëijët në këto shkolla. Kam konstatuar se niveli i njohjes së shqipes nga nxënësit e ardhur është i ndryshëm dhe kjo e bën edhe më të vështirë punën me ta”.

Por, drejtoria arsimore rajonale bën me dije se këtë vit numri i nxënësve që do të fillojnë mësimin në shkollat shqiptare është mjaft më i lartë se një vit më parë dhe fëmijët e crregjistruar nga shkollat greke do të zënë këtë vit 3,5% të numrit të përgjithshëm të nxënësve.

Sipas drejtorit të arsimit në Gjirokastër, Arjan Pano, këtë vit do të angazhohen dhjetëra mësues me orë suplementare për tiu mësuar këtyre nxënësve gjuhën shqipe.

Sipas tij, regjistrimet në shkollën e gjuhëve të huaja degën greqisht do të kryhen vetëm mbi kriter kombësie, ndërsa të gjithë nxënësit e tjerë do të regjistrohen në shkollat shqiptare, pavarësisht nivelit të njohurive mbi gjuhën.

Ndërkaq, vlerësimet e kryera nga mësuesit, gjatë vitit të kaluar sjellin në vëmendje se më shumë se 80% e fëmijëve të mbërritur nga emigracioni kanë probleme me drejtshqiptimin e fjalëve, 75% e fëmijëve nuk janë të gjendje të përvetësojnë termat.

Ndërkohë progresi i nxënësve të klasave të larta është dy herë më i ulët se tek ata në ciklin fillor.

Sjellja e fëmijëve të rinj në klasa është e ndryshme nga sjellja e fëmijëve të tjerë. Shpesh thonë mësuesit ata janë të drojtur, të pavëmendshëm dhe të prirur të humbasin interesin për lëndët e ngarkuara me terma shkencore.

Top Channel