“Pasdite” në “Top-Channel” solli në qendër të vëmendjes në serinë hapëse të sezonit të ri një profesion që e shohim çdo ditë në ekranet e televizorit, por për të cilin nuk flitet pothuajse kurrë… atë të prezantuesit.

Të konsideruar si imazhe të një televizioni, në studion e “Pasdites” mbërritën katër prej atyre që kanë bërë epokë në prezantimin shqiptar, si Genta Popa-Prodani, Albana Osmani, Eneda Tarifa dhe një prej personazheve më të suksesshëm në televizionet kosovar, Adriatik Kelmendi.

Genta Popa-Prodani: Ende vazhdoj të kem emocione përpara një kamere

Një prej personazheve në të hershëm në ekranin e “Top-Channel”, Popa-Prodani ka provuar të drejtojë pothuajse të gjithë zhanret e emisioneve, nga lajmet televizive, në raportazhe si “Exlusive” apo “talk-show” si “Pasdite në Top-Channel”. “Mendoj se kam qenë me fat sepse kam gjetur një media që më ka mbështetur dhe kolegë që kanë punuar së bashku me mua për realizimin e ëndrrave dhe dëshirave tona brenda kësaj media”, nisi rrëfimin e saj Genta, e cila edhe sot vazhdon të ndiejë emocione përpara kamerave.

“Mund të them se gjithmonë kam emocione përpara kamerave. Së fundmi po lexoja një libër për artin e komunikimit nga profesor amerikan, i cili rekomandon se emocioni nuk duhet të luftohet, por të mësohet që të përdoret për të mirën e asaj që bën, pra për të mirën e profesionit”.

Si një ish-drejtuese e “Pasdites”, Genta rrëfeu gjithashtu emocionet e veçanta të këtij formati të veçantë televiziv. “Ka kaluar një vit dhe disa momente i kam harruar, por mbaj mend sa herë që prekesha nga të ftuarit, intervistat që shprehnin pjesë nga jeta, karriera, familja dhe gjithçka që i rrethonte. Herë të tjera jam prekur nga kronikat që kemi pasur, që na kanë çuar kudo në Shqipërinë tonë”.

E diplomuar në gjeografi, Popa-Prodani është një prej prezantueset më të suksesshme shqiptare në dekadën e fundit. Por, cilët janë sekretet e këtij profesioni dhe avantazhet e tij. “Ndoqëm kronikën më parë në lidhje me prezantuesit. Duke marë shkas nga ata, unë jam e mendimet që prezantuesit janë një hallkë e rëndësishme e televizionit. Televizioni është një koncpet i gjerë dhe shikoj shumë programe me tendenca e përmbajtje të ndryshme. Unë shikoj që pëlqehet realiteti në ekran, realiteti i përditshëm, ai që ekspozohet dhe njerëzit duan reality-show. Nëse flasim për prezantuesit, mua më pëlqen që ata të kenë bashkëpunim me autorët e programave, por njëkohësisht të jenë në gjendje të flasin edhe me zërin e tyre”.

Eneda Tarifa: Nuk e kam zgjedhur ende profesionin tim

Midis prezantuesve të shumtë në Shqipëri, Eneda Tarifa është mbase ajo që është katapultuar në këtë profesion në mënyrën më të rastësishme. Këngëtarja e diplomuar në filozofi, pranoi se: “Ishte prezantimi ai që më zgjodhi mua. Pa dyshim, meritë e “Portokallisë” dhe regjizorit Altin Basha, që pa tek unë cilësitë e nevojshme dhe pa dyshim, edhje me një përgatitje nga ana ime”.

Për Tarifën, dilema e asaj që do të bëjë “kur të rritet” është ende prezente. “Dilema ime më e madhe është se kush quhet profesion, ai që ushtron apo ai që ke mbaruar. Unë ende nuk e kam gjetur. Thonë që profesioni është ai që ushtron dhe nëse profesioni im është artiste, do e pranoj me kënaqësi dhe pse në ëndrrat e mia kisha menduar që të isha dikush, në një ambient të vogël dhe intim, mes katër muajve me një kod veshje, me një jetë të qetë. Mendoj se ende mund ta bëj këtë një ditë”.

E frymëzuar nga programet dhe prezantimi i Larry King në rrjetet amerikane, Eneda vlerëson se “prezantimi në Shqipëri është në rrugën e drejtë”, ndërsa e vlerësoi këtë “një profesion të përshtatshëm, të paguar mjaftueshëm sa për të jetuar mirë dhe në gjendje që të realizojë pasionet dhe ëndrrat e karrierës”.

Duke u ndalur tek të fshehtat dhe profesioni i prezantuesit në Shqipëri, Tarifa shtoi: “Përsa i përket televizionit, unë them se prezantuesit tani e kanë në dorë të jenë kushdo dhe gjithçka. Kanë hapësirën e duhur, kush do të fokusohet në reality mund ta bëjë shumë mirë dhe është shumë ok. Kush do të perfeksionet në drejtime politike, mund ta bëjë, kush do të jetë figurë e bukur në prezantim, edhe kjo është është një mundësi. Fati është se i kemi të gjitha mundësitë të jemi kush duam ne, por kam vënë re tendencën që një prezantues duhet t’i ketë të gjitha nga pak, kërkohet paketa, duhet të jetë i bukur dhe i pëlqyeshëm dhe është fat kur bashkohen të dyja”.

Adriatik Kelmendi: Prezantuesi i suksesshëm, i paparashikueshëm dhe pa skenar

Një prej figurave më të rëndësishme të prezantimit dhe ekranit kosovar, Adriatik Kelmendi mbërriti në studion e “Pasdites” gjithashtu me petkun e një pedagogu të rëndësishëm, e një gazetari të mirëshkolluar në SHBA dhe të një profesionisti që ka mundur të përshtatet me shumë formate të ndryshme televizive. Nipi i Ramiz Kelmendit, një prej ikonave të gazetarisë kosovare, Adriatiku vlerësoi se: “Prezantimi ka filluar të bëjë që edhe meshkujt t’i kushtojnë më shumë rëndësi se më përpara pamjes vizive dhe televizioni e kërkon këtë. Unë kam punuar në gazetë dhe e shkruara përqendrohet  është në terren apo zyrë dhe aq, por këtu duhet të kombinosh, nuk është vetëm goja dhe e folura e i ftuari, por duhet të jesh i kompkletuar në çdo aspekt që të jetë i mundur”.

Duke u ndalur tek karriera e tij, Adriatiku shtoi: “Mund të them se sidomos me këto formate televizive, një prezantues nuk mund të punojë më me një skenar të përcaktuar dhe duhet të dijë të orientojë të ftuarit, e kjo nuk bëhet duke përgatitur që më parë pyetjet. Një prezantues duhet të jetë në gjendje të improvizojë në moment, të përmbysë të gjithë skenarin, të ofrojë befasi për të gjithë publikun”.

Sipas Kelmendit, “gazetaria është një profesion ku në 10 vitet e para të punës mëson 90% të sekreteve dhe në 30 vitet e tjera atë 10% që mbetet. Megjithatë, duhet të sprovohesh në terren, të prekësh vetë me dorë lajmin e prezantimin, pasi edhe noti nuk mund të mësohet në tokë të thatë”.

Albana Osmani: Sekreti im? Spontaniteti dhe ecja përkrah publikut

Një prej figurave më të simpatike dhe popullore ndër vite në ekranin e “Top-Channel”, pak e dinë se Albana Osmani është në të vërtetë një piktore dhe se ajo erdhi në “Top-Media” si montazhiere. “Është emocionuese kur shikoj këtë retrospektivë timen”, komentoi Albana, pas prezantimit të profilit të saj në “Pasdite në “TCH””. “Më erdhi të qesh me flokët e mi bionde, por është shumë e bukur që të realizosh veten tënde dhe unë mendoj se nuk mund të zëvendëj vendin, Shqipërinë, një televizion me çfarë do lloj standarti, me atë që “Top-Channel” më ka ofruar dhe mënyrën që ai më ka realizuar deri këtu”.

Por, cili është sekreti i një prezantuese kaq të suksesshme. “Unë nuk kam punuar gjithmonë me skenar, madje këtë e kam bërë në raste të rralla në fakt. Kjo është praktika ime e punës, spontaniteti më çon atje ku publiku do të jetë dhe deri diku ia kam arritur, edhe pse është e qartë që ka momente që duhet të qëndrosh kundër rrymës dhe të thuash atë që duhet thënë”.

Duke qëndruar në retrospektivën e karrierës së saj, Osmani shtoi: “Njeriu në kohë fillon e mendon ndryshe për të njëjtat ngjarje. Siç u tregua tek profili im, ka pasur shumë gjëra që nuk më përkisnin mua, ka qenë një propozim për të qenë velinë fiksi në ambientet e punës, por unë nuk rashë dakord dhe e refuzova menjëherë. Thjesht qëllimet e mia orientoheshin diku tjetër, jo se e paragjykoja atë pjesë të të bërit televizion, por nuk më përshtatej mua si performancë. Me kalimin nga produksioni në “TCH”, në pjesën e imazhit kanë qenë gjithmonë e qartë, doja të punoja në këtë fushë sepse po më realizonte aq sa harrova pikturën. Doja të bëja çdo program, të isha vazhdimisht në ekran, në talent show, reality show, festival i muzikës moderne, etj. Do ta krahasoja energjinë që më ka dhënë ekrani me atë gumëzhimën që bëjnë nxënësit e shkollës fillore, në momentin kur futen për herë të parë në klasë dhe njohin shokët e tyre të rinj”.

Top Channel