Aleksandër Çipa – “Do ketë investime që do e bëjnë Shqipërinë një superfuqi. Do t’u japim frymëmarrje të gjerë investimeve në sektorin privat’.
Ky është pohimi më i fundit i Kryeministrit Berisha, ndërsa përuronte pas përurimeve të pjesshme, një segment rruge në Hamallaj të Durrësit. Nisur prej kohës së foljes së Kryeministrit, vendi mund të bëhet superfuqi në vitet që vijnë… Por ama, mund!
Kjo retorikë e kahershme kryeministrore, mbetet e atakueshme prej opozitës politike të vendit, por deri më sot asnjë ekspert apo analist ekonomie, nuk ia ka dalë dot të recensionojë këtë strategji apo platformë të shumëpremtuar, jo vetëm në këto ditë paraelektorale, por sidomos gjatë tre vjetëve të fundit të qeverisjes së zotit Berisha. Asnjë ekspert investimesh dhe statistikash financiare nuk po shfaqet në skenën e debatit dhe diskutimit publik të zbërthejë me detaje dhe arsyetim financiar këtë pretendim që po formësohet në investime private miliardëshe në pika të shumta gjeografike të vendit. Janë disa dhjetëra operatorë privatë, të cilët janë zhytur në kredi bankare prej miliona eurosh, që në jo pak raste, ia kanë dalë të përfundojnë investimin dhe të vënë në shfrytëzim HEC-e të shumta dhe që aktualisht janë pjesë integrale e network-ut të shitje-blerjes së kompanisë monopoliste në vend, KESH-it dhe që pas këtij kalvari, kanë hyrë në kalvarin tjetër të moslikuiditetit të shitjes që kryejnë vijimësisht të energjisë që prodhojnë. Një javë më parë në edicionet informative të “Top-Channel”-it, u raportua se si ky fat i mospagesës, po i shndërron dhjetëra privatë dhe kompani të vogla të prodhimit të energjisë elektrike, përmes HEC-eve, në piramida të tmerrshme financiare të cilat ndryshe nga përvoja e piramidave të dikurshme të viteve ’90-të nuk kanë një perimetër aq të gjerë drame ekonomiko-financiare, por gjithsesi, mund të konsiderohen lak i merrshëm në fytin e sipërmarrësve vendas dhe kooperuesve të huaj. Natyrisht e fokusojmë këtë kategori pësuesish dhe udhëtarësh në fatin e paqartë financiar, pasi marrim shkas nga pretendimi dhe strategjia madhore e Kryeministrit për t’i dhënë vendit tonë aureolën e të qenët superfuqi energjetike e së ardhmes së afërt.
Opozitarizmi ndaj kësaj strategjie në gjithë kapacitetin e vet ka qenë i pamjaftueshëm, ka qenë thjesht politik dhe i bazuar te një sarkazëm, e cila na ka lënë shijen e publicistikës politike. Është injoruar dhe ironizuar në masën më të madhe të mundshme dhe si e tillë është parë edhe në këto ditë, kur sipas të gjitha gjasave Kryeministri Berisha hapur po e pretendon këtë si kazusin kryesor të krenarisë së tij të shumëdyshuar për rritjen ekonomike, për kapacitetin e lartë investues në vend etj., etj. Kjo është një ironi politike e rrezikshme dhe gjëmësjellëse për të ardhmen e afërt të shumë shqiptarëve, shumë investitorëve vendas dhe të huaj dhe për krejt sistemin energjetik në vend. Kjo ironi e opozitës, vë në dyshim vetë seriozitetin e saj. Arsyet janë lehtësisht të kuptueshme. Nëse lëmshi piramidal i HEC-eve që prodhojnë e shesin, por s’marrin para, do të zmadhohet edhe më shumë, atëherë sistemi informal që ka bukurinë e një investimi të kryer, do të shndërrohet në një ortek rrëzimesh dhe sekuestrimesh, për të cilat asnjë qeveri e re apo e vjetër nuk mund të gjejë shpëtim dhe ndalesë. Ky sistem është një faturë me shumë viktima, e cila nuk mbyllet me një ditë, por shumëfishohet për çdo ditë. Lëngata e bankave prej kësaj skote investitorësh dhe kompanish shqiptare është e heshtur dhe e përmbajtur. Guvernatori i vendit tërthorazi është shprehur për këtë lëmsh pësues për financat private dhe ato të bankave të nivelit të dytë. Po dëgjueshmëria politike është e pashfaqshme. Ndërkohë që shumë ankesa ka nga banka të huaja dhe partnerët e huaj të cilët kanë mundësuar kreditimin e biznesit shqiptar për t’i kryer këto investime në HEC-e. Në ditët e mbetura të këtij viti dhe ato të ardhme të vitit elektoral që po troket, askush nuk do të ketë qetësi e logjikë të formësojë apelin për këtë gropë të modelit të ri që po krijohet në ekonominë private dhe efektet pësuese mbi sistemin privat të bankave në vend. Ky model dhe kjo linjë e frymëzuar investimi, duhet të kalojë në filtrin e një analize të rreptë prej opozitës dhe kapaciteteve shqyrtuese të saj. Asnjë prej ish-ministrave opozitarë të ekonomisë, financave dhe eneteve publike të investimeve në këto linja, nuk ka marrë pjesë qoftë edhe në një debat të përqendruar publik. Ndërsa në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave diskutimet kanë qenë sporadike dhe thjesht të përqendruara në aspektin denoncues të politikave selektive për licencimet e bëra nga qeveria.
Partia në pushtet e zotit Berisha do të vijojë në ditët e ardhme me propagandën e vjetër të aureolimit të investimit me diga dhe HEC-e, ndërkohë që opozita do të shpërthejë bataretë e akuzave për pronësime e privatizime multimilionëshe…Ekonomia do të lihet në këtë fat jetim të saj, duke mos i dalë avokat asnjë skotë specialistësh e asnjë grup viktimash.
Ditë më parë, Kryeministri u përball polemizues me kolegun Fatos Lubonja për shkrimin e tij “Hidrocentralizimi i Shqipërisë”, pasi në atë shkrim atakohej irracionalizmi i Kryeministrit, i cili hidrocentralizimin e vendit po e përdor si një alternativë të njëjtë me betonizimin prej kundërshtarëve të tij gjatë qeverisjes socialiste. Përplasja e Kryeministrit me analistin e njohur, është e para e këtij lloji pas kaq kohësh. Në fakt, kjo është një përplasje mes atij që ka përgjegjësinë e pasojave të ardhme dhe atij që konstaton. Aktori tjetër, ai që do të duhej të ishte shprehur me kohë dhe me vendosmëri, pra, pala e ekspertëve, specialistëve dhe ish-drejtuesve në vite e dekada të këtij sektori në vend, ka heshtur dhe vijon të heshtë, është shmangur dhe fatkeqësisht vijon të shmanget nga një diskutim i përqendruar publik dhe pse jo edhe debat intensiv. Kjo është pamje tjetër e rënies së lirisë së debatit publik për kauza dhe çështje publike të shoqërisë.
Në këtë lëmsh pësimesh dhe humbjesh me kosto dhe fatura të larta financiare, nuk është vetëm protagonizmi i Kryeministrit, në këtë lëmsh po mbështillet bashkëfajësia e kundërshtarëve dhe sidomos e së ashtuquajturës elitë e ekonomistëve, financiarëve, statisticienëve dhe strategjistëve kombëtarë. Në këtë plan ekziston edhe një lehtësi e pashfrytëzuar brenda hapësirës shqiptare. Kjo përvojë e parisuar, së paku mund të huazohej prej grekëve në raport me Qipron, apo prej italianëve në raport me diasporën e tyre, pse jo edhe me ekspertët italianë në Zvicër…. Ka pasur kohë të ndryshme kur debatet në Athinë përfshinin edhe mendimtarinë e qipriotëve helenë, të cilët në jo pak raste shtonin kapacitetin e balancës dhe ekuilibrit mes dy kaheve të politikës për çështje dhe strategji kombëtare. Diçka e tillë do të ishte me vend të ndodhte edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës apo përfaqësuesve të ndryshëm ekspertë në hapësirën shqiptare. Dhe në rastin e strategjisë për energjinë dhe sistemin e ri të pretenduar si investim prej Kryeministrit Berisha, ndërhyrja e ish-ekspertëve dhe profesionistëve që kanë merita dhe kontribute në Kosovë, pse jo edhe në hapësirën e gjithë ish-Jugosllavisë, do të vlente si një kontribut për balancë dhe drejtorientim të debatit dhe jo për të krijuar tifo dhe mbakrahje politike për llogari të atmosferës elektorale në të cilën po hyn Shqipëria.
Top Channel