Deputeti belg dhe imazhi ynë

02/09/2012 00:00

Ilir Yzeiri – Imazhi është një mjet komunikimi, është një nga shenjat që përdor media për të transmetuar informacion, mesazhe që ndihmojnë për të njohur botën.

Në tekstet e komunikimit, kuptimi për imazhin jepet në mënyra të ndryshme, por ai më i thjeshti është “imazh do të thotë në vend të …”. Dhe për këtë jepet shembulli i një fotoje të zakonshme e thuhet se në këtë foto, unë, në vend të shtëpisë, fjala vjen, kam imazhin e saj. Problemet që lidhen me imazhin janë të shumta dhe historia e këtij nocioni është gjithashtu e larmishme. Ndërsa përdorimi i tij në kinema ka nxitur një varg studimesh sidomos në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Mirëpo, termi imazh përdoret edhe në një kuptim tjetër në shkencat sociologjike sidomos. Për të sjellë sa më afër ndodhitë që mungojnë, ngjarjet që nuk mund të përsëriten më, sociologët e filozofët, me anë të dokumenteve të ndryshme e analizave, arrijnë që të krijojnë imazhin e tyre dhe të na sjellin në përfytyrim jo atë që është, por imazhin e asaj që ka ndodhur, pra fotografinë e saj. Kaq e fortë është te njeriu ndjesia e përfytyrimit, saqë edhe fjala shoqërohet në memorie me një imazh të caktuar.

Jo më kot dijetarët flasin edhe për atë që njihet me termin imazhi brenda në koncept. Mirëpo imazhi zgjerohet gjithnjë e më shumë dhe njeriu është i aftë jo vetëm që të përfytyrojë atë që nuk e ka parë kurrë, Athinën e lashtë fjala vjen, por mund të krijojë përfytyrime të përgjithshme edhe për epoka të tëra. Në këtë mekanizëm, një rol të dukshëm luajnë stereotipat, të cilat janë konstruksione mendore që përpunohen në mënyra të ndryshme dhe merren të gatshme nga publiku i gjerë. Tema në këtë rast zgjerohet shumë dhe mund të arrihet në fusha të dijes siç janë qytetërimet dhe racat, kulturat dhe fetë e kështu me radhë dhe objekti ynë përsëri humbet. Por ajo që vihet re më së shumti, është se ky shekull, për shkak të hapjes dhe globalizimit, ka sjellë përplasjen dhe takimin e kulturave të ndryshme dhe paradoksalisht, demokracia, në vend që të zbusë diferencat dhe paragjykimet mes popujve, i ka rritur ato dhe i ka zmadhuar herë pas here. Europa, sa herë që duhet të merret me Ballkanin, e përfytyron atë si një vend ku njerëzit rrinë me armë në dorë e janë gati të ndeshen e të vriten, apo si një territor ku jetojnë më shuma trafikantë e njerëz të korruptuar, sesa njerëz normalë. Kjo fotografi e Ballkanit natyrisht nuk është shpikur prej europianëve, ajo është realizuar prej ballkanasve, por tani ajo shërben si një imazh që është kthyer në stereotip për të vështruar me anë të sajë cilindo banor të Ballkanit.

Deputeti belg para disa ditësh, i nervozuar pse gjykata kishte vendosur ta lironte pas ca kohësh gruan e një pedofili të rrezikshëm, shpërtheu e tha se është mirë që të paguajmë një shqiptar që ta vrasë atë plehrë. Në imazhin e belgut, shqiptari është një vrasës gjakftohtë me pagesë, pra mercenar dhe, po ta vështrosh paradigmën nga një anë tjetër, mund ta interpretosh këtë thënie si një mit të shoqërisë moderne në të cilën shqiptari mbron të mirën dhe belgu pedofil të keqen. Shqiptari është thirrur në këtë rast që të zhdukë një të keqe. Mirëpo, ajo që e penalizon këtë akt të deputetit belg, është koha. Ky imazh i shqiptarit që i zgjidh punët me grykën e pushkës, është një stereotip që njihet mirë në këngët tona popullore dhe në imazhin tonë kolektiv. Imazhi që ndërtuam sidomos në vitet e socializmit për veten tonë, ishte simbioza e shqiptarit me pushkën. Për fat të keq, edhe në këto njëzet e ca vjet jo diktaturë, shqiptarët, gjithnjë e më shumë, për të zgjidhur punët e tyre apo mosmarrëveshjet e çdo lloj tipi, e kanë më për zemër t’i drejtohen armës sesa arsyes. Në këtë kuptim deputeti belg tha një pjesë të së vërtetës, ai iu referua imazhit të një pjese të shqiptarëve që kanë bërë emër nëpër Europë si vrasës e si kriminelë. Ndërkaq, belgu nuk ka pse të fajësohet shumë sepse ne shqiptarët që jetojmë këtu, nuk kemi bërë asgjë për të dërguar jashtë vendit tonë një imazh tjetër, një fotografi tjetër. Imazhi që zotëron më së shumti jashtë Shqipërisë është rëndom bunkeri dhe Enver Hoxha. Pra, bunker, vrasës, Enver Hoxha dhe në këto njëzet vjet kemi krijuar imazhin e një vendi që nuk e kupton askush. I fundit për t’u anëtarësuar në Europë, sistem politik që nuk ngjet me askënd, ku qeveris prej njëzet vjetësh një ish-komunist që nxjerr Gardën e Republikës dhe qëllon mbi protestuesit, që vjedh zgjedhjet. Një vend që pasuron ministrat dhe aparatçikët. Një vend që të vetmen ikonë, siç është Ismail Kadare, e anatemon ashtu siç bëjnë turqit me nobelistin Orhan Pamuk. Një vend që bën festivale filmash, por nuk prodhon asnjë film. Një vend në të cilin televizioni shtetëror jep nga mëngjesi në darkë filma mediokër me karabinierë italianë dhe fëmijë që këndojnë si të lebetitur. Një vend që, sa herë vijnë ndeshjet paraeleminatore të veprimtarive europiane, lë nam duke humbur me 5 ose 6 me zero dhe pas kësaj të gjithë kanë të drejtë të krijojnë imazhin se shqiptarët shesin ndeshje e bëjnë ndonjë lek.

Kështu, në qoftë se do të na pyeste dikush po si t’ju njohim ju shqiptarëve, cila është fotografia juaj, cili është imazhi juaj, e kemi të vështirë që të përgjigjemi, sepse në këto njëzet vjet nuk arritëm të korrigjonim imazhin tonë dhe të paraqitemi ashtu si në të vërtetë jemi. Dhe shqiptarët kanë mjaft cilësi europiane. Janë aventurierë të çartur dhe mund ta shndërrojnë shumë shpejt jetën e tyre nga hiç në një sukses. Atë që kanë bërë shqiptarët në këto njëzet vjet, nuk e ka bërë askush. E kanë përmirësuar jetesën e tyre në mënyrë të pakrahasueshme me asnjë tjetër. Nëse do të udhëtosh nga Veriu në Jug nuk të zë syri thuajse asnjë shtëpi të vjetër. Pothuajse çdo familje shqiptare e ka ribërë shtëpinë dhe e ka përmirësuar jetesën në mënyrë spektakolare. Edhe shqiptarët që ikën në emigracion, kanë qenë misionarët më të shkëlqyer të këtij vendi. Ata me familjet e tyre jo vetëm janë integruar plotësisht, por kanë krijuar edhe atje mirëqenie e pasuri. Shqiptarët e duan dhe e respektojnë shumë të huajin. Në Shqipëri janë pa asnjë peshë shifrat e krimeve ndaj të huajve. Të mos harrojmë se rrugët e Milanos e të Romës, të Parisit apo të ndonjë qyteti tjetër janë të pasigurta për të huajt, sidomos për femrat. Këtë statistikë e pohojnë vetë këto vende. Ky respekt për të huajt ka krijuar edhe mitin e besës që është në themel edhe të mbrojtjes dhe ndihmës që ne u dhamë hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Ne kemi, gjithashtu, dy ikona që na përfaqësojnë me dinjitet në botë, Nënë Tereza dhe Ismail Kadare, mirëpo ne jemi populli që gjithmonë zgjedh të qeveriset nga një administratë e gabuar. Unë mund ta kuptoj ardhjen e Enver Hoxhës në skenën shqiptare, sepse pas masakrave të Luftës së Dytë Botërore, gjysma e botës ra në dorë diktatorësh gjakatarë, por nuk mund ta kuptoj se si pas viteve ‘90, shqiptarët bien në dorë të Sali Berishës dhe demokracia shqiptare në vend që të shenjohet si një sistem që prodhon vlera, është bërë nga të gjithë imazhi i një regjimi të pështirë që po dëmton Shqipërinë. Më vjen ndërmend Faik Konica dhe shkrimi “Armiqt’ e Shqipërisë” që ai e botonte në numrin e parë të revistës së tij “Albania” (1897).

Në këtë editorial, siç do të thoshim tani, ai thotë se armiqtë e Shqipërisë nuk janë as greku, as serbi, as turku, por janë vetë shqiptarët, sepse ata nuk e duan lirinë e tyre, sepse, sipas tij, për pesë franga të qelbura, ata ishin gati të shkonin mercenarë e të vrisnin lart e poshtë nëpër botë, por nuk bënin asgjë për të shpëtuar vendin e tyre. Ky imazh i shqiptarëve të Konicës, për fat të keq ka ardhur deri sot dhe duket se edhe deputeti belg sjell më shpejt në përfytyrim këtë fotografi të shqiptarit, sesa atë që unë përmenda më lart. Si është e mundur që edhe Kosova, sapo u bë shtet i lirë dhe i pavarur, shfaqi po të njëjtat plagë, shfaqi po të njëjtin imazh të shqiptarit? Shqiptari i Kosovës, i paraqitur në imazhin e atyre që qeverisin, është një njeri i korruptuar, që i intereson pushteti më shumë sesa shteti, sesa demokracia. Ku vajtën ato mijëra vargje e këngë për lirinë e Kosovës, ku shkuan ata qindra e mijëra të vrarë që e donin Kosovën të lirë dhe të pavarur? Kosova e tillë është, por ajo është nën thundrën e Hashim Thaçit që akuzohet përditë nga opozita për skandale korrupsioni. Ai në Kosovë dhe Berisha në Tiranë po ndihmojnë për keq që imazhi i shqiptarit në botë jo vetëm që nuk po përmirësohet, por po shkon gjithnjë e më për dreq, si për të vërtetuar edhe një herë atë që thoshte Konica në fund të shekullit XIX se armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët. Për ta mbyllur, dua të kujtoj këtë frazë të Zhak Atalisë: “Në qoftë se demokraci do të thotë që qytetarët, pasi të jenë informuar mirë, të marrin vendimet më të mira për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, atëherë ne sot nuk jetojmë në demokraci”. Ne sot nuk e krijojmë dot imazhin që duhet.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA