Kredia për ekonominë në ngërç

01/09/2012 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se kredia për ekonominë po
ngadalësohet me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të Bankës së
Shqipërisë në korrik, rritja vjetore e kredisë për ekonominë zbriti në 7
për qind, nga 12.6 për qind që ishte një vit më parë dhe 9.4 për qind
që ishte në 2010-ën.

Që pas tremujorit të parë, rritja e kredisë thuajse është stopuar dhe dy muajt e fundit madje ritmet kane qenë negative. Banka e Shqipërisë thotë se ngadalësimi i kredisë lidhet së pari me me uljen e kërkesës konsumatore në treg.

Sipas INSTAT në tremujorin e parë të vitit, indeksi i shitjeve me pakicë, që është treguesi më i afërt i konsumit ra me 8.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Ngurrimi i familjarëve për të shpenzuar e ka futur ekonominë në qerthull negativ, pasi rënia e kërkesës në treg po frenon biznesin të bëjë investime të reja. Kjo konfirmohet edhe nga ecuria e kredisë në valutë për sektorin privat, e cila përdoret kryesisht për të financuar investimet.

Që nga fundi i vitit të kaluar, kredia në monedhe të huaj thuajse është ndalur. Shifrat tregojnë se pothuajse e gjithë kredia e re për biznesin kanë qenë në leke, që përdoret kryesisht për të financuar shpenzimet e përditshme.  

Por rënia e kërkesës për hua nga individët dhe bizneset nuk është arsyeja e vetme se pse kredia ka hyrë në ngërc. Edhe vetë bankat janë bërë më të kujdeshme, duke shtrenguar kreditë e reja për shkak se perceptojnë rreziqe më të mëdha në ekonomi. Banka e Shqipërisë thotë se kjo situatë është e përkohshme dhe pret që kredia t’u rikthehet ritmeve më të larta të rritjes gjatë, muajve në vijim. Por deri më tani masat e saj për të nxitur ekonominë, kanë patur efekte minimale.

Stimuli monetar, përmes uljes së normës bazë në minimumin historik kanë dështuar të rigjallërojë kërkesën e konsumatorëve për mallra dhe shërbime apo të ulë interesat e kredive në tregun e brendshëm, ndërkohë që nga ana tjetër bizneset ankohen se në treg nuk ka likuditet.  

Top Channel