Delvinë, drejt zhdukjes xhamia e parë

01/09/2012 20:30

Xhamia e parë e ndërtuar në Shqipëri, xhamia-mbret e Xhermahallës në Delvinë, është duke u rrënuar.

Kompleksi islamik i vitit 1682, i vetmi për nga arkitektura në territorin shqiptar, është monument kulture i kategorisë së parë, por ndërhyrjet restauruese të kryera vite më parë nuk mund të garantojnë aklualisht strukturën e saj.

Kompleksi nis me Çesmën e Llutroit, një monument i ndërtuar me harqe guri dhe një sistem kompleks kanalizimesh që furnizonin me ujë hamamin, medresenë dhe xhaminë.

Objekti e shembi çatinë e tij rreth viteve ‘70 dhe bashkë me çatinë agjentët atmosferikë zhdukën gradualisht dekorin dhe ornamentet e mureve.

“Rruga që të çon atje është e keqe, por problemi kryesor i xhamisë është se do një restaurim”, deklaron Naim Shameti, banor i Delvinës.

Në Xhermahallë mungojnë vizitorët. Arsyet së pari lidhen me mungesën totale të promocionit për këtë trashëgimi dhe së dyti, rruga drejt monumentit është pothuajse e shkatërruar.

“Presim restaurimin nga Universiteti i Venecias, pasi restaurimi do të sjellë më shumë turistë, të cilëve ne do t’u ofrojmë sa më shumë shërbime”, thotë Dhurim Alinani, kryetar i bashkisë së Delvinës.

Specialistët mendojnë se në të gjithë rrethin e Delvinës janë më shumë se 15 monumente që rrezikojnë degradimin dhe humbjen e vlerave autentike prej pamundësisë për restaurim, konservim, mirëmbajtje dhe promocionit për t’i kthyer në objekte të vizitueshme turistike.

Top Channel