ARTAN MULLAJ – Që grekët ndaluan Marin Memën e “Top Channel” në kufi,
kjo gjë krijon përshtypje të madhe, por nuk përbën aspak një befasi të
rrallë. Nuk është hera e parë që autoritetet greke dëshmojnë një
ndjeshmëri të shëmtuar ndaj të vërtetave që thuhen.
Kjo ndjeshmëri ka rënë në sy edhe më parë si një dobësi kolektive: dobësi për mënyrën primitive se si ata përballen me realitetin e gjërave. Sa më shumë spikatin faktet dhe të dhënat, aq më shumë shtohen përpjekjet e tyre për t’i fshehur e fshirë. Prandaj grekët sot, sfidën e kanë sa me historinë, që nuk lejon të zhbëhen të bërat, aq me veten e tyre.
***
Para shumë vitesh, në kohën e ikjeve masive, një mbrëmje korriku po kaloja ilegalisht kufirin e Greqisë, pranë Doganës së Kapshticës. Sapo isha diplomuar dhe, bashkë me dy shokë shkolle, e kishim marrë vendimin e arratisë. Si shumë studentë të tjerë të dhjetorit, mbrapa po linim Shqipërinë mes kaosit që solli rebelimi ynë kundër diktaturës. Qielli mbi mal ishte i pastër, yjet vezullonin kaq afër sa mund t’i prekje me gishta. Përpara kishim premtimin e ëndrrës. Mbi kokë ndienim magjinë vezulluese të yjeve mbërthyer në mister. Ajo çka provonim, ishte si emocionet e një dashurie të frikshme, që nuk zgjati shumë. Ne ecnim mes shkurreve çjerrëse në mal, në mesnatë, kur papritur ramë në pritën e ushtarëve grekë. U derdhën mbi ne duke thirrur, duke shkrehur armë dhe duke lehur egër (kishin qen me vete). Pastaj na lidhën dhe na çuan në postën ushtarake të Kristalopigjisë.
Kur rrezet e mëngjesit ranë në sheshin para postës, një ushtar grek, trupmadh e i pashëm, që mbante një shkop të trashë në duar, me unaza metali, u afrua. Na pyeti ku shkonim dhe i thamë, si mundëm, se ishim emigrantë shqiptarë dhe vinim për të punuar në tokën e tyre. Ju jeni vorio-epirotë, na pyeti sërish dhe ne mblodhëm supet. U sul në fillim mbi mua pastaj mbi të tjerët. Na qëllonte me shkop lart e poshtë nëpër trup, xhunglërisht. Pas çdo goditjeje klithnim si kobrat prej dhimbjes. Shkopi fishkëllente në ajër, me ca tinguj ulëritës, mes të cilëve shfaqej lakuriqe urrejtja. Ishim dëshmitarë të dhimbjes sonë dhe të një paradoksi mes të cilit po humbiste shpresa për të jetuar. Sulmi fillonte në kokë, kërciste mbi këmbët e zbathura, mbi gishtërinj, ngulmonte në shpinën e gjakosur. Lodhja e njërit qëllonte mbi dhimbjen tonë, mbi ne. Dhimbja dhjetëfishohej mes nesh. Me vështirësi kuptonim se e gjitha po përfundonte në një realitet shtazarak. Nuk ishte thjesht një torturë. Përtej kufijve të krimit, ajo që ndodhte ishte një mohim absurd. Një sfidë e përzotshme. Një poshtërim i qenies përmes një mungese barbare të keqardhjes. Kur ushtari e pa të udhës të bënte një pushim, ne rrinim ende në këmbë, por nuk e njihnim më njëri-tjetrin. Të nxirë e të gjakosur nga koka te këmbët, mezi mbaheshim. Pastaj trimoshi helen m’u afrua dhe më kërkoi të zgjasja para pëllëmbën. Sytë i kishin dalë nga zgavrat. I mbytur në djersë e kishte rrëmbyer amoku. E kishte ndezur, si një dem, gjaku ynë. Më qëllonte si i tërbuar me shkop në dorë, deri sa pëllëmba ime u ënjt, u nxi, u fry. Një moment lëkura u ça, plasi si flluskë. Në tokë rrodhi një lëng i bardhë, përzier me gjak mavi. Atëherë ushtari me shkop ndaloi. Në fakt nuk kishte ndaluar ai, kisha rënë unë përdhe, pa ndjenja.
E solla këtë detaj për të thënë se në kujtesën e çdo njeriu, mbeten përjetë dhe nuk fshihen kurrë, si tatuazhet në lëkurë, ngjarje të tilla, në të cilat vritet pafajësia. E solla edhe për të bërë një analogji me Çamërinë. Çamëria është një çështje dhe një “heshtje” që nuk mund të fshihet nga kujtesa e shqiptarëve. Por jo vetëm. Mbi ngjarjen në kufirin grek, doja të nxirrja në pah egoizmin primitiv të Greqisë. (Grekët duan që edhe të tjerët të besojnë se janë ata që udhëheqin planetin). Është e vërtetë që me mijëra emigrantë u torturuan kafshërisht ato kohë nga armata e ushtarëve grekë të kufirit dhe dhimbja e tyre u shua dhe u harrua pa u vënë re nga askush. Në këto seanca ndëshkimi helen, ushtarët shkumëzonin mes patriotizmit të tyre, të mbjellë si me vaksinë, qysh në barkun e nënës. Patriotizëm barbar! “Ju, shqiptarë të qelbur. Ju krimba! Na keni grabitur Vorio-Epirin, ë? Dashkeni dhe Çamërinë, ë? E doni ë? Ju shqiptarë bythëpalarë, dashkeni pronat atje? Por si guxoni e pretendoni ndaj grekëve që përfaqësojnë origjinën e qytetërimit, origjinën e intelektit dhe origjinën e kulturës? Ju që jeni racë inferiore, shumë poshtë nesh, çobanë të pagdhendur dhe myslimanë të Lindjes së largët, të ardhur këndej, dashkeni prej nesh Çamërinë, në vend që të na lironi Vorio-Epirin?”
Kjo ishte kënga helene për emigrantët shqiptarë, herë e thënë, herë e pathënë. Mes kësaj atmosfere e gëlltitën emigrimin djemtë shqiptarë. Si një parullë poshtëruese, ajo u shfaqej në çdo kthesë të ambicieve të tyre në tokën e huaj. Shfaqej për t’u kujtuar çdo moment inferioritetin e tyre dhe për t’i ndëshkuar me një racizëm brutal, të pandodhur ndoshta kurrë tjetërkund. Vazhdoi gjatë, po aq sa vazhdoi përbaltja e shqiptarëve, që qëndruan në këmbë dhe morën hak duke duruar. Por jo vetëm duke duruar. Edhe duke u lartësuar. Si kudo në Europë, shqiptarët në Greqi u rritën vit pas viti, u integruan dhe treguan se qytetërimi nuk trashëgohet vetiu, pa u përpjekur. Qytetërimi shkrihet me kohën. Krijohet dhe ruhet me vullnet të mirë, me tolerancë, me dashuri dhe dinjitet. Puna, urtësia, durimi dhe shpresa, u dhanë një dritë të epërme emigrantëve shqiptarë në Greqi. U dhanë atyre epërsi ndaj vendasve… Dhe epërsia e të huajve, nëse ekziston realisht, është edhe një mundësi për të njohur vetveten nën dritën e tjetrit. Kjo ka ndodhur. Emigrantët tanë në Greqi, nga më të fismit në planet, kanë ndriçuar hapësirat greke mes sakrificave të pathëna kurrë, duke iu afruar grekëve një shans të njohin vetveten. Të kuptojnë kush janë. Sa vlejnë realisht. Si duhet të sillen me të vërtetën. Pa asnjë dyshim, emigrantët tanë, që punojnë dhe jetojnë në Greqi, janë heronj të vërtetë. Për këtë rol të përzotshëm, ata janë krenaria e brishtë e shqiptarëve. Përveç dritës së bardhë, përsosja e tyre morale në mes të racizmit ishte një mësim ndershmërie, që grekët e morën falas dhe në mënyrë ekskluzive nga fqinjët e tyre.
***
Grekët kanë ngatërruar keq këmbët në kompleksitetin e tyre. Në Ballkan, helenët shihen si hapësira ku mungon modestia dhe vullneti i mirë. Asnjë shkallëzim ndjeshmërie për përmirësim të fqinjësisë. Turbullira me Turqinë, çështje me Bullgarinë, sherzën me Maqedoninë, dinakëri me Shqipërinë. Në kulmin e mizerjes që solli kriza ekonomike helene, kundër logjikës, Greqia ka marrëdhënie delikate me fqinjët ballkanikë, por edhe me Europën e Amerikën. Antiamerikanizmi i grekëve është po aq i sigurt sa egoizmi i pakuptimtë i tyre. Mënyra se si grekët orvaten të trajtojnë, minimizojnë dhe fshehin Çamërinë, plagën e saj të pambyllur, në njëfarë mënyre tregon se mes problemeve të tjera, ata kanë problem edhe me ndërgjegjen e tyre. Në përgjithësi sjellja komplekse e grekëve ndaj të vërtetës, përbën sot një cilësi kombëtare, që nuk është thjesht nacionalizëm. Kjo cilësi nuk fillon dhe nuk mbaron me Çamërinë. Tepria e krenarisë i shtyn të mohojnë edhe qenien shekullore të arvanitasve atje, ndonëse, komunitete të tëra, lart e poshtë, në Veri edhe në Jug, flasin shqipen e moçme. Mohojnë hapur edhe qenien e bullgarëve dhe maqedonasve në territorin e tyre, megjithëse në Greqinë e Veriut fshatra të tërë flasin zëulët në familje gjuhën e tyre. Atëherë, çfarë është kjo babëzi delirante e një kombi për të pasur doemos të drejtën në anën e saj në çdo rast? Raporti i grekëve me të drejtën dhe të vërtetën përbën sot një veçori kombëtare që i kalon kufijtë e një nacionalizmi të sëmurë. Nacionalizmi i sëmurë mund të ishte një shpjegim për mjegullën etnike që shpërndahet lart e poshtë, ashtu si, “ndjesia e inferioritetit kombëtar”, për shkak të “bythërënies në hendek”, në kushtet e krizës së thellë, dhe zhgënjimit të thellë, mund të japë një përgjigje të zbehtë se përse grekët nuk e durojnë dot në axhendën e tyre të ditës Çamërinë si problem, Vorio-Epirin si problem, emrin e Maqedonisë si problem, konfliktet e përhershme me Turqinë dhe antiamerikanizmin si problem.
Prej shumë vitesh kanë bllokuar padrejtësisht hyrjen e Maqedonisë në NATO, për shkak të emrit të saj. Rast unikal. Fjala “veto” është bërë si mbiemër i Greqisë, në vendimet e Komunitetit Europian. Jo rrallë dhe jo rastësisht. Jo rastësisht Greqia e varfër quhet fëmija i përkëdhelur i Europës. Ç’po ndodh me grekët dhe Greqinë? Gjithë kjo mjegull frike rreth tyre! Kush është arsyeja? Mos janë të pakënaqur me veten? Mos kanë instaluar më në fund edhe ata thellë vetëdijes së tyre atë që besojnë popujt e tjerë, se grekët nuk ngjajnë gjëkundi me paraardhësit e tyre brilantë të antikitetit? Se nuk kanë asnjë lidhje me ata që ndriçuan botën, ndërsa këta nuk kuptojnë dot as veten e tyre? Se mbas koke nuk e kanë më yllin që duhej të kishin si pasardhës të Aristotelit, Eskilit, Homerit dhe Pitagorës?
Greqia jo rrallë është treguar e padrejtë me fqinjët dhe duket sikur gabon, për shkak se vuan nga prishja e raporteve të saj me të vërtetën. Nga sindroma e një egoje të shëmtuar. Dëshmi e mungesës së ekuilibrit dhe kësaj egoje është edhe ndalimi i turpshëm në kufi i gazetarit të “Top Channel”.
Top Channel